Foto:VCG

Foto:VCG

Në fshatin Xingqin të qytezës Gaize të zonës Ali në Rajonin Autonom të Tibetit të Kinës Jugperëndimore, një adoleshent i kombësisë tibetiane nxjerr në kullotë delet, duke shikuar video në celular. Vitet e fundit, qyteza Gaize ka shpejtuar ndërtimin e infrastrukturës së internetit dhe 44 fshatrat në varësi të saj janë lidhur me rrjetin e internetit. Në këtë qytezë janë ndërtuar kabllo optike me gjatësi 1000 kilometra dhe sinjali i internetit ka mbuluar të gjitha fshatrat në këtë zonë. Tani blegtorët mund të bëjnë punët e tyre në kullotë, duke parë celularët.

130 mijë fshatra me internet me bandë të gjerë

Në fakt, fshati Xingqin është vetëm një nga 130 mijë fshatrat që janë lidhur me internet pas zbatimit të mekanizmit kombëtar të subvencionit të telekomunikacionit. Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës bëri të ditur në një konferencë për shtypin se deri në fund të nëntorit të vitit 2021, të gjitha fshatrat kineze ishin të lidhura me internetin dhe, tani, sinjali 5G ka mbuluar mbi 97 % të qytezave dhe 40 % të konteve. Shpejtësia e ngarkimit me fibra optike në zonat rurale është mbi 100 Mb në sekondë, duke arritur të njëjtin nivel me zonat urbane.

Qysh nga tetori 2015, 130 mijë fshatra janë pajisur me fibra optike dhe është zgjidhur vështirësia e telekomunikacionit në zonat rurale. Lu Luo është nga fshati Daxiao Banzi në qytezën Zhuoni të provincës Gansu. Në vitin 2020, fshati i tij u lidh me internet me bandë të gjerë dhe shumë fermerë nisën të marrin shërbimet “Amvisëri në internet” të kompanisë “China Telecom”. Kështu, edhe pse ndodhen në një vend të largët për të punuar, ata mund të shohin gjendjen e përditshme të familjeve të tyre.

Kryeinxhinieri i Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës Tian Yulong shprehet që, për të pakësuar hendekun digjital mes zonave urbane dhe rurale, pas tetorit 2015, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Ministria e Financave kanë krijuar mekanizmin e subvencioneve për shërbimet e përgjithshme të telekomunikacionit, duke mbështetur ndërtimin e rrjetit të fibrave optikë në 130 mijë fshatra dhe ndërtimin e stacioneve 4G në 60 mijë fshatra.

Drejtori i zhvillimit të telekomunikacionit pranë Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit Xie Cun thotë që, para fillimit të mekanizmit për shërbimet e përgjithshme të telekomunikacionit, në Kinë kishte afro 50 mijë fshatra pa internet me bandë të gjerë, shumë prej të cilave ishin të varfra. Krahas kësaj, kishte edhe 150 mijë fshatra me kapacitet interneti nën 4 Mb për sekondë. Me përpjekjet e shumta, deri në fund të nëntorit 2021, të gjitha fshatrat në Kinë janë lidhur me rrjetin e internetit.


Foto:VCG

Foto:VCG

Përfitime telekomunikacioni për 28 milionë familje

Ulja e tarifave ka favorizuar 28 milionë familje të varfra dhe banorët ruralë mund të përdorin shërbimet e internetit me çmim të arsyeshëm.

“Synimi ynë është që shërbimet e telekomunikacionit të jenë të arritshme dhe të përballueshme financiarisht. Kemi përgatitur paketë prej 28 juanësh, që ofron 1800 minuta bisedë telefonike dhe 3GB internet. Për aplikacionet si “Tibet Daily” dhe “Tibet Voice”, shërbimet e internetit janë falas dhe ofrohen 40 juanë subvencion në muaj për telefonatat,” thotë drejtori i degës së kompanisë “China Mobile” në fshatin Xingqin, Zheng Chaojun. Ai shprehet që, pas planit të 13-të 5-vjeçar, paketa e telekomunikacionit për të varfrit nga kompania “China Mobile” në Tibet ka sjellë përfitime për 45 mijë të varfër, duke ndihmuar me mbi 15 milionë juanë, ndërsa Administrata Qendrore e Hapësirës Kibernetike ka dhuruar 35 mijë celularë dhe ka ofruar tarifa favorizuese me vlerë mbi 13 milionë juanë.

Xie Cun prezanton që, për të ulur efektivisht tarifat e internetit për familjet e varfra, Kina i ka nxitur kompanitë e telekomunikacionit të ofrojnë ulje me më shumë se 50% për shërbimet bazë të telekomunikacionit për të varfrit. Nga ulja e tarifave janë favorizuar mbi 28 milionë familje rurale, me një vlerë mbi 8.8 miliardë juanë. Tani në zonat rurale, me vetëm 30-40 juanë në muaj, njerëzit mund të marrin shërbimet e celularit, bandës së gjerë dhe televizionit në internet.

“Tani shkollat fillore dhe të mesme në zonat rurale janë lidhur me internet. Veçanërisht gjatë shpërthimit të epidemisë së COVID-19, mësimdhënia dhe arsimi në internet kanë pasur rezultate të dukshme,” bëri të ditur Tian Yulong, duke thënë që kyçi i aplikimit të internetit në zonat rurale është integrimi i internetit me prodhimin bujqësor, çrrënjosjen e varfërisë dhe lulëzimin e këtyre zonave. Ndërkohë, do të pasurohet jeta në fshat, duke ofruar nivelin më të lartë të shërbimeve publike.

Me përdorimin e teknologjisë digjitale, banorët në zonat rurale do të pasurohen më tej, me tregtinë e internetit, turizmin rural dhe bujqësinë inteligjente. Krahas tyre, njerëzit në këto zona mund të marrin shërbime të garantuara të mjekësisë në internet.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të dhënat statistikore tregojnë që, në tre tremujorët e parë të vitit 2021, shitja me pakicë në internet në zonat rurale ishte 1429.31 miliardë juanë, dhe shitja me pakicë e produkteve bujqësore në internet arriti 304.39 miliardë juanë, përkatësisht 16.3 % dhe 1.5% më shumë se një vit më parë.

Tian Yulong bëri të ditur që, në të ardhmen, do të nxiten programet si “Internet+mjekësi” dhe “Internet+arsim”, me synim që të integrohen më thellë burimet rurale me teknologjinë e internetit dhe të nxitet modernizimi i bujqësisë dhe zonave rurale. (Jiang Lei)