Rimëkëmbja ekonomike globale po frenohet nga pandemia Covid-19, e cila vazhdon të ketë ndikimin e saj kudo. Por, mutacionet që po krijon koronavirusi janë vetëm një nga rreziqet kryesore që mund të zbehë vrullin investues gjatë këtij viti.

Ekonomia globale (Foto Zoomal)

Ekonomia globale (Foto Zoomal)

Ekonomia globale pati një fuqizim të ndjeshëm në vitin 2021 krahasuar me nivelet më të ulëta të pandemisë, por në gjysmën e dytë të vitit, një pjesë e këtij fuqizimi ra për shkak të rritjes së infektimeve nga pandemia, të pengesave të shkaktuara nga zinxhirët e furnizimit, të mungesës së fuqisë punëtore dhe të një përhapjeje të ngadaltë të vaksinave anti-Covid, veçanërisht në vendet në zhvillim dhe ato me të ardhura të ulëta.

Ngadalësimi i rimëkëmbjes bëri që ekonomistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) të ulin disi parashikimet e tyre të rritjes ekonomike globale për vitin 2021, përkatësisht në muajin tetor dhe dhjetor.

Megjithatë, ata ruajtën perspektivën e tyre për vitin 2022, por paralajmëruan se variantet Covid mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike. Ata theksuan nevojën për të vaksinuar me shpejtësi shumicën dërrmuese të popullsisë globale.

Ndërkohë që pandemia mbetet një rrezik i madh për rritjen ekonomike globale, ajo nuk përbën kërcënimin e vetëm që do të shqetësojë investitorët në vitin 2022.

Në nëntor, zbulimi i variantit të ri të koronavirusit, Omicron, shumë i transmetueshëm, i raportuar në Afrikën e Jugut, bëri që tregjet globale financiare dhe të mallrave të marrin një tjetër goditje.

Qeveritë e shumë vendeve kanë forcuar kufizimet për të mbajtur në kontroll përhpajen e variantit të ri, duke kërcënuar kështu rimëkëmbjen ekonomike.

Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të analizojnë të dhënat, strategët e JP Morgan kanë thënë që nëse Omicron rezulton të jetë “më pak vdekjeprurës”, atëherë ai mund të sjellë fundin e pandemisë, përcjell “CNBC”, cituar nga “Monitor”.

Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse pandemia përhapet në përmasa të mëdha, atëherë mund të shfaqen variante të tjera të Covid-it që janë rezistente ndaj vaksinave, të cilat mund të sjellin rikthimin e izolimeve.

“Nëse Covid do të kishte një ndikim të zgjatur, deri në planin afatmesëm, ai mund të zvogëlojë PBB-në globale me një shumë kumulative prej 5.3 trilionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, në krahasim me parashikimin aktual”, -deklaroi në tetor kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath.

Bllokimet në zinxhirët e furnizimit kanë luajtur një rol kryesor në pengimin e rimëkëmbjes ekonomike globale. Vështirësitë në transport, së bashku me mungesat e kontenierëve të transportit, si dhe rritja e madhe e kërkesës pas lehtësimit të kufizimeve të pandeminë, i kanë bërë prodhuesit të kenë vështirësi në gjetjen e produkteve dhe të lëndës së parë.

Tregjet financiare (Foto Rtvahireti)

Tregjet financiare (Foto Rtvahireti)

Sektori i automjeteve ka qenë ndër më të goditurit, pasi në muajt e fundit prodhimi ka rënë ndjeshëm në Eurozonë. Prodhuesit e makinave kanë reduktuar prodhimin pasi disa pajisje, veçanërisht gjysmëpërçuesit, mungojnë në tregjet globale. Mungesa e lëndëve të para dhe e inputeve, së bashku me rritjen e çmimeve të energjisë, kanë bërë që inflacioni në Eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara të arrijë në nivelet më të larta të shumë viteve.

Kjo ka trembur investitorët globalë, të cilët kanë frikë se bankat qendrore do të detyrohen të rrisin para kohe normat e interesit për të zbutur rritjen e çmimeve.

Banka Qendrore Evropiane ka pohuar se çmimet janë rritur nga faktorë të përkohshëm si mungesa e furnizimeve dhe çmimet e rritura të energjisë. Ajo pret që inflacioni të bjerë sapo të ulen efektet çekuilibruese të kërkesë-ofertës globale.

Fuqia ekonomike e Kinës ndihmoi botën të dilte nga recesioni i shkaktuar nga pandemia në vitin 2020, duke u mbështetur te kërkesa globale për mallrat e saj elektronike dhe mjekësore. Ajo ishte e vetmja ekonomi e madhe që u rrit në vitin 2020 dhe pritet të rritet edhe këtë vit me rreth 8%, duke e bërë atë ekonominë kryesore me rritjen më të shpejtë.

Ecja me shpejtësi drejt dekarbonizimit të ekonomive, heqjes dorë nga lëndët djegëse fosile, dhe përdorimin e burimeve të pastra energjitike, po çon në investime të pamjaftueshme mbi kapacitetin e karburanteve fosile, përpara se të ketë një furnizim të mjaftueshëm me energji të rinovueshme. Kjo dinamikë, do të sjellë me kalimin e kohës çmime shumë më të larta të energjisë.

Nga ana tjetër, flukset e refugjatëve, që braktisin vendlindjen për shkak të ndryshimeve klimaterike, drejt SHBA-së, Evropës dhe ekonomive të tjera të përparuara pritet të rriten, edhe pse këto vende po i mbyllin kufijtë e tyre.

Në këtë sfond, po shtohen krizat politike si në ekonomitë e përparuara ashtu edhe në tregjet në zhvillim. Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA në vjeshtën e vitit 2022, mund të ofrojnë një shembull paraprak të krizës së madhe kushtetuese, që mund të pasojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Normalizimi i normave të interesit nga Rezerva Federale në SHBA, dhe banka të tjera të qendrore, mund të shkaktojë goditje të forta financiare në këto dhe tregje të tjera të brishta në zhvillim si Turqia dhe Libani, për mos të përmendur shumë vende në zhvillim me borxhet që janë që tani problematike.

Në fund të vitit 2021, tregjet financiare “lundruan” në ujëra të trazuara. Aksionet e kompanive publike dhe private ishin më të shtrenjta, çmimet e pasurive të paluajtshme ishin shumë të larta në SHBA dhe në shumë ekonomi të tjera.

Lulëzimi i ekonomisë (Foto Researchtriangle)

Lulëzimi i ekonomisë (Foto Researchtriangle)

Norma e interesit për obligacionet e qeverive, mbeten shumë të ulëta, ndërsa diferenca me normën e kredive është rritur pjesërisht, për shkak të mbështetjes direkte dhe indirekte nga bankat qendrore. Për sa kohë që bankat qendrore zbatonin politika jo konvencionale, festa mund të vazhdonte.

Por “flluskat” mund të shfryhen në vitin 2022, kur të fillojë normalizimi i politikave monetare. Për më tepër, inflacioni, rritja më e ngadaltë ekonomike dhe rreziqet gjeopolitike dhe sistematike, mund të krijojnë kushtet për një korrigjim të tregut në vitin 2022. Sido që të ndodhë, investitorët ka të ngjarë të qëndrojnë në kufijtë e aseteve të tyre për pjesën më të madhe të vitit.

Përgatiti: Irma Paloli