Sektori i ndërtimit në vështirësi

Një vendim i Bashkisë së Tiranës për të ndaluar qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe betoniereve gjatë ditës në kryeqytete ka ndezur reagimin e ndërtuesve. E ndërsa trafiku duket më i çliruar, janë punonjësit në sektorin e ndërtimit që po hasin vështirësi për shkak se sipas tyre, ushtrimi i punës gjatë natës është shumë i vështirë dhe ka rrezik.

Zef Shtjefni (facebook )

Zef Shtjefni (facebook )

Zef Shtjefni, prodhues i materialeve të ndërtimit thotë në një interevistë për mediat se efekti negativ ka nisur të ndjehet dhe se nëse vazhdohet me këtë kufizim, pasojat do të jenë më të mëdha.

Mendoj se është shumë shpejt për ta parë efektin, por ka filluar të dëgjohet mënjëherë. Unë pres që ritmet të ulen edhe 50%, sepse njerëz janë ata që punojnë natën, janë familjarë, vështirësitë e natës janë jashtëzakonisht të mëdha në të gjitha aspektet. Nuk është se ke zgjidhur një problem dhe mbaroi zgjidhja e gjithë problemeve të tjera. Ke kryer probleme shumë më të mëdha, duke vepruar kështu. Këshilli Bashkiak jo vetëm që s’ka një opozitë brenda që të konsultohet, që ta debatojë vendimin, por s’konsultohet as me faktorët.” - shprehet Shtjefni.

Goditjet në këtë sektor, sipas ndërtuesve, janë të njëpasnjëshme.

“Nuk ka pasur asnjë lloj konsultimi dhe ne vijmë pas dy krizave të mëdha, pas dy goditjeve të mëdha. Në vend që të ndihmohej biznesi që të ngrihej, këtu vijnë njëra pas tjetrës krizat. Pandemia ishte kufizim i orareve të punës, kufizim i tregut, ndalim total. Erdhi tërmeti që na dëmtoi në të gjitha aspektet. Pastaj erdhën ndihma që na ndihmuan dhe injektimi i parave nga qeveria bëri që ta rimarrë veten sektori i ndërtimit. Tani pritet energjia që të dy dhe trefishohet dhe kjo do të jetë tërmet tjetër shumë më i fuqishëm se ai i pari dhe tani ndalohet puna. Atëherë pse i jep leje për të bërë gradacela, ndërtime në qendër? Pastaj a është debatuar për të gjetur zgjidhje, se ka shumë zgjidhje”, reagon ai.

Vetë sipërmarrësit kërkojnë dialog me Bashkinë e Tiranës për të vendosur orare që përputhen me trafikun, duke shmangur lëvizjen në oraret e pikut kur ka qarkullim në mëngjes për në shkolla. Sipas ndërtuesve duhet të vendosen orare lëvizjeje gjatë ditës pa cënuar trafikun, por jo ndalim total.

“Nëqoftëse ti ke një problem për oraret e mëngjesit që do të shkojnë fëmijët në shkollë me makina, si mund të dëmtohet puna? Ti mund të kufizosh trafikun në atë orar, për shembull nga ora 7 deri në orën 9 dhe pastaj vazhdon puna normal. Kur është fluksi i trafikut, ose mbasdite nga ora 4 deri në 6. E njëjta gjë edhe për sezonin veror, sepse na e bëjnë të njëjtën gjë dhe në sezonin veror. Mjafton që të limitosh lëvizjen në atë orar dhe zgjidhen të gjitha problemet. Pse duhet të krijosh gjithë këtë dëm? Pse duhet krijuar gjithë kjo problematikë tjetër? Pra, zgjidh një problem e hap 20 të tjera mbrapa. Prodhuesit dhe ndërtuesit nuk mund të shihen me sy urrejtje, nuk mund të shihen se këta janë të pasur kanë lek boll e t’i dëmtojmë. Janë këta që po e mbajnë vendin në këmbë, janë këta që po prodhojnë, janë këta që përballojnë 80% si të punësimit, si të nevojave ekonomike të vendit, si të prodhimit të brendshëm industrial”, thotë Shtjefni.

Zef Shtjefni në fabrikë (facebook )

Zef Shtjefni në fabrikë (facebook )

Një tjetër problematike është fakti se puna natën, sipas ndërtuesve sjell kërkesa më të larta për pagë nga punëtorët.

“Ne punojmë 24 orë nëpër fabrika dhe e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë, dhe ligji thotë që punëtorët duhen paguar ndryshe natën. Pse? Sepse vështirësitë e natës janë shumë të mëdha. Rendimenti është pothuajse 50%. Po këta njerëz që do të punojnë natën, a janë familjarët e këtyre fëmijëve që shkojnë ditën në shkollë? Çfarë ke zgjidhur? Janë shumë që do të punojnë natën. Shkalla e rrezikshmërisë të punosh nëpër kantierë ndërtimi natën është jashtëzakonisht e madhe dhe mos harroni që quhet krim i rëndë një aksident në punë dhe gjithë policitë dhe prokuroritë vijnë nëpër ndërmarrje për t’u marrë me krimin e rëndë që ka ndodhur. Pra, rrezikshmëria e punës natën është shumë e madhe sepse syri nuk shef si ditën dhe e dyta s’të lënë të flesh gjumë kantierët natën. Ata njerëz që punojnë natën bëjnë zhurmë, kantierët e ndërtimit bëjnë zhurma të jashtëzakonshme, nuk flihet natën në Tiranë”, thekson ai.

Kostot e ndërtimit, sipas përfaqësuesve të sektorit kanë ardhë në rritje kohët e fundit.

“Jemi në rritje të vazhduezhme të kostove të ndërtimit, të gjitha llojet e kostove po rriten. Dhe të gjitha këto ku çojnë? Se ok po sulmon bizneset e mëdha, por ku çon rritja e kostove? Rritja e kostove çon te produkti final. Kush është produkti final? Është shtëpia, që nuk arrijnë kurrë familjet e reja shqiptare që ta blejnë nëse ne do tëvazhdojmë kështu, sepse të gjitha kostot atje do të rrahin, atje do të shkarkohen në fund. Ose pastaj bllokohet gjithçka dhe shkohet në një krizë totale. Tani për tani ne shohim rritje totale të kostove të prodhimit edhe të lëndëve të importit. Të gjitha shkarkojnë te metri katror i shitjes së banesave.”- vijon Shtjefni.

Betoniere (leroymerlin.it)

Betoniere (leroymerlin.it)

Shtjefni jep edhe një parashikim se çfarë ndodh nësë nuk zhbllokohet aktiviteti lëvizjes së automjeteve të rënda gjatë ditës.

“Do të mbyllen ndërmarrjet, do të falimentojnë ndërmarrjet, do të bllokohet puna, nuk do të ketë taksa, sepse këta njerëz paguajnë të gjithë taksa dhe paguajnë shumë taksa. Atëherë cila është logjika? Të kërkojmë zgjidhje të tjera se ka plot, thjesht të vrasim mendjen që t’i gjejmë dhe mendja vritet duke u konsultuar me faktorët. Zgjidhja është limitimi i trafikut në pikun e lëvizjeve, pastaj restoja duhet t’i takojë punës.”, thotë Shtjefni.