Edhe pse ende nuk kanë dalë shifra përfundimtare për bujqësinë për vitin 2021, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, në një intervistë televizive ka folur me tone optimiste për ecurinë e këtij sektori, duke u ndalur tek harku kohor janar- nëntor për vitin që shkoi. Ministrja Krifca nuk lë pa përmendur faktin që pandemia ka dhënë efektet negative dhe po ashtu edhe kriza energjtike ka ndikuar tek shtrenjtimi i imputeve bujqësore për fermerët shqiptarë.

Bujqësia shqiptare (Agroweb)

Bujqësia shqiptare (Agroweb)

Viti për bujqësinë është mbyllur me tone pozitive. Ne jemi me një rritje të vlerës së eksporteve dhe në vlerë dhe në sasi, prej rreth 13% të 11-mujorit të kaluar, kemi mbyllur statistikat e nëntorit. Dhe në këtë kuptim themi që jemi në terma pozitivë. Sigurisht që ka qenë një vit i vështirë sepse jemi post pandemisë dhe efekti i pandemisë është ndjerë dhe në rritjen e çmimeve, janë shkëputur zinxhirat e tregtisë botërore. Efektet e rritjes së çmimeve të energjisë kanë pasur një efekt edhe në rritjen e kostove të prodhimit primar bujqësor dhe të lëndëve të imputeve, kështu që kjo patjetër ka efektin e vet. Gjithësesi nëse shohim sipërfaqen e prodhuar dhe prezencën e produkteve shqiptare qoftë në tregun vendas edhe në tregun ndërkombëtar, kjo më së miri është e pasqyruar me shifrën e eksporteve, jemi në pozita të mira të bujqësisë. Jemi në 13% të 11-mujorit të parë të vitit, dhe në përqindje të volumeve dhe në përqindje të vlerës ekonomike”- tha Krifca.

Ministrja e Bujqësisë Frda Krifca (Facebook)

Ministrja e Bujqësisë Frda Krifca (Facebook)

Ministrja ka renditur se në cilat kultura jemi më konkurrentë. Po ashtu në fokus të këtij viti, sipas Ministres së bujqësisë është shtimi i sipërfaqeve me sera për të qenë më konkurrentë.

“Aktualisht bujqësia shqiptare është e fokusuar tek frutat dhe perimet. Sigurisht jemi shumë kompetitivë edhe në fushat e tjera, në bimët medicinale, në peshkim, kemi performancë mjaft të mirë edhe në eksporte gjithashtu. Kryesisht kompetitivë jemi me frutat dhe perimet sepse kemi një cikël mjaft të mirë, dhe kemi krijuar në fakt dhe një traditë dhe një eksperiencë, fermerët tanë, që mund të prodhojnë më herët për shkak të kushteve klimatike, por mund të prodhojnë dhe cilësisht. Ndërkohë që të njëjtën mënyrë dhe të njëjtën logjikë ne duam ta vijojmë dhe gjatë vitit 2022, ku fokusi do të jetë të përforcojmë dhe të rrisim sipërfaqen e shtuar të serave, ku fermerët shqiptarë kanë krijuar një avantazh konkurues”- tha Ministrja.

Bujqësia (Facebook)

Bujqësia (Facebook)

Risi, sipas Ministres janë modelet e suksesshme që kanë sjellë në vend fermerët shqiptarë, që kanë punuar përkohësisht jashtë vendit.

“Ne ndërkohë kemi marrë edhe për shkak të emigrimit të hershëm të fermerëve shqiptarë, të cilët kanë mësuar nga praktikat e mira bujqësorë në vende si Italia apo Greqia dhe janë kthyer në Shqipëri dhe kanë investuar në tokën e tyre dhe kanë mundur të krijojnë sera moderne ose tradicionale ku marrin dy prodhime në vit, ndonjëherë edhe tre prodhime në vit, si dhe janë lidhur me pikat e grumbullimit, të cilat tashmë janë standardizuar dhe i shesin produktet aty. Shpesh pikat e grumbullimit në fakt shërbejnë edhe si orientues të produkteve që ata duhet të mbjellin, të kulturave dhe është lidhur deri diku zinxhiri i prodhimit, i cili na sjell pastaj këto rezultate” ka theksuar Krifca.

Në tryezën e Ministrisë së Bujqësisë është duke u diskutuar edhe gjetja e një zgjidhje për fermerët, të cilët janë prekur nga kriza e çmimeve.

zarzavate (Ministria e bujqwsise dhe zhvillimit rural)

zarzavate (Ministria e bujqwsise dhe zhvillimit rural)

“Sektori i bujqësisë është një sektor që përmban problematika të vazhdueshme. Kostot e prodhimit këtë vit sidomos janë rritur dhe kanë pasur një efekt edhe në ekonominë familjare të fermerëve. Aktualisht ne jemi duke konceptuar dhe duke analizuar skemën kombëtare të mbështetjes për vitin 2022. Ne i kemi ftuar fermerët dhe përfaqësitë e tyre që të jenë pjesë e këtyre tryezave, në mënyrë që skema mbështetëse të adresojë pikërisht ato problematika që ata kanë shprehur”, është shprehur Ministrja e Bujqësisë.