Borxhet dhe detyrimet që kanë krijuar bashki të ndryshme në vend shihen me shqetësim nga ekspertët. Në një intervistë për mediat, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali thotë se e gjitha kjo është një barrë në kurriz të qytetarëve pasi në finale në cdo formë ata do ta paguajnë. Deri në dhjetor të vitit të kaluar që i referohet Haxhimali, borxhi numërohej në shifra të larta.

Agron Haxhimali (Facebook)

Agron Haxhimali (Facebook)

“Borxhi real i bashkive sot është 6.8 miliardë lekë për të 61 bashkitë e Shqipërisë, por krahasuar me vitin 2014 ka pësuar një ulje me 55% pasi ka qenë 11.8 miliardë lekë. Pra, në këto 5-6 vite bashkitë kanë ndërtuar një plan për t’i shlyer këto detyrime, të cilat në të vërtetë janë gangrenë për zhvillimin ekonomik rural. Borxhi që sot kanë bashkitë është i barabartë me 0.026% të GDP-së kombëtare. Pra, borxhi lokal është shumë i vështirë dhe i fortë për bashkitë, por në krahasim me borxhin e qeverisë është i papërfillshëm fare” shprehet Haxhimali.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë na jep edhe shkaqet e formimit të këtyre detyrimeve ndër vite. Sipas tij janë një sërë shkaqesh që çojnë në krijimin e borxheve nga pushteti vendor ndër vite. Një fenomen i përsëritur është ai i vendimeve të gjykatave për largimet nga puna, të cilat në finale janë një faturë për buxhetin e bashkive.

“Ky borxh sot është i akumuluar kryesisht, i grupuar në 5 drejtime kryesore. Gati 50% e këtij borxhi është për investimet kapitale që janë realizuar nëpër bashki, por nuk janë shlyer. Pjesa tjetër e këtij borxhi ka ardhur nga detyrimet për shërbime publike, shërbime koherente për bashkitë. Pra kanë bërë shpenzime, sërish nuk i kanë shlyer. Një pjesë tjetër e këtij borxhi vjen nga detyrimet nga vendimet e gjykatave për të cilët gjykata ka penalizuar bashkitë, për shërbime, kontrata të ndryshme. Por ajo që është shumë e rëndësishme është që rreth 11-12% e këtij borxhi është si pasojë e vendimeve të gjykatave për largimet nga puna. Kjo në fakt është e pafalshme sepse për një vend pune në bashki, mund të punojnë 1.5/2.5 apo 2 punonjës.”- thotë Haxhimali.

Takim i Shoqatës së Bashkive (Tv Rozafa)

Takim i Shoqatës së Bashkive (Tv Rozafa)

Kushdo nga ne do të japë kontribut në pagimin e këtyre faturave sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive.

“Këtë borxh e paguajnë qytetarët, me taksat e tyre, kushdo që punon, e paguan biznesi. Pra, ky borxh rëndon mbi xhepat e cilitdo qytetar të Republikës së Shqipërisë” shprehet Haxhimali.

Çdo bashki bën studimin se si mund të menaxhojë situatën e krijuar.

“Borxhi është detyrim ligjor, detyrim kontraktual, juridik. Bashkitë kanë hartuar një plan për menaxhimin e këtij borxhi. Në fakt ka pasur një farë progresi, kanë shlyer 55% të këtij borxhi. Dy janë zgjidhjet, ose të ulin shpenzimet e tepërta dhe të shlyejnë borxhin, ose të kalojnë në rrugë të tjera, të rrisin taksat dhe tarifat. Por kjo e dyta është me risk shumë të lartë”, thekson ai

Haxhimali rendit edhe bashkitë, sipas borxhit më të lartë.

“Ka disa bashki që përbëjnë borxhin më të lartë. 55% të këtyre detyrimeve i ka Bashkia Tiranë, Bashkia Kavajë, Bashkia Vorë, Bashkia Pogradec, Lezha, Roskoveci dhe Vlora. Sigurisht ka dhe disa bashki të tjera, por kanë një borxh më të ulët”, bën të ditur ai.

E nësë për t’i dhënë zgjidhje duhet të rriten taksat, këtë mundësi Haxhimali e përjashton për shkak të situatës ekonomike.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë (National Resource Center)

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë (National Resource Center)

“Një nivel ekonomik që ka shoqëria shqiptare, një nivel ekonomik që kanë qytetarët në të 61 bashkitë e Shqipërisë apo një nivel ekonomik dhe financiar që kanë bizneset e tyre e bën të pamundur të shkohet në rritje të taksave dhe tarifave për qytetarët apo bizneset”, thotë ai.

Sfidë mbetet edhe menaxhimi i mbetjeve për bashkitë, madje qeveria ka qenë e ashpër në paralajmërimet e bëra për shkaktarët e krimit mjedisor. Si problem nga Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive shikohet edhe hendeku i varfërisë, i cili po thellohet në zonat rurale. Vendet me varfërinë më të theksuar, sipas tij janë qarku Kukës, Dibër, Gjirokastër dhe Berat.