Bujar Zhuri(diaspora shqiptare)

Bujar Zhuri(diaspora shqiptare)

E ndërsa në Shqipëri shpesh ngrihet shqetësimi për mungesë të fuqisë punëtore në sektorë të ndryshëm apo biznese, mësohet se këto kohë ka patur një fluks aplikimesh nga infermierët për të punuar në vendet skandinave. Lajmi jepet nga Bujar Zhuri sipërmarrësi shqiptaro-norvegjez, pjesë e Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare. Ai flet në media për aplikimet e infermierëve, të cilët duan të punojnë jashtë Shqipërisë dhe arsyet përse kanë interes për të punuar në vende si Norvegjia dhe Suedia.

“Nisur nga situata e fundit, shqiptarët kanë lëvizur drejt Gjermanisë apo Italisë, sidomos në fushën e shëndetësisë për të gjetur një vend pune më të mirë se sa në Shqipëri. Ne e pamë të udhës që të anonçonim Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi si një mundësi ku mund të thithnim një kontigjent të caktuar infermierësh apo mjekësh specializantë për tregun norvegjez dhe suedez. Fakti që Norvegjia dhe Suedia kanë filluar të marrin kontigjentë infermierësh dhe ndimës mjekësh nga vende si India, Pakistani, Nepali apo dhe Filipinet, më bëri të mendoja pse jo dhe potencialet e Shqipërisë të shfrytëzohen dhe të orientohen drejt vendeve skandinave si Suedia dhe Norvegjia. Ne bëmë një workshop dhe interesi është jashtëzakonisht i madh. Janë mbi 300 vetë, të cilët kanë treguar interes në këtë fazë fillestare për të gjetur një vend pune si infermierë në Norvegji dhe Suedi. Fakti që interesi është rritur tregon se infermierët me origjinë shqiptare, të cilët punjnë edhe në vende të tjera të perëndimit, në Gjermani apo në Itali, kanë shprehur interes për t’u shpërngulur në vende të tjera siç është Skandinavia, ku janë potenciale dhe mundësi më të mira, qoftë të pages, por edhe të kushteve të punës”- tha Zhuri

Posteri për aplikimet (probizz web)

Posteri për aplikimet (probizz web)

Nuk janë vetëm infermierët që aktualisht punojnë në Shqipëri ata të cilët kanë treguar interes, por edhe infermierë që prej vitesh kanë ikur jashtë Shqipërisë.

“Fakti që dhe infermierë që janë të punësuar vitet e fundit në Gjermani dhe në Itali kanë treguar interes për t’u shpërngulur në vende si Norvegjia dhe Suedia, është përcaktuar nga disa faktorë. Njëri faktor është paga, që është shumë më e mirë. Faktori i dytë janë kushtet të cilat ofrojnë këto shtete, që janë shumë më sociale sesa Gjermania apo Italia, ku nuk flitet vetëm për pozicionin e punës që merr një kandidat i cili do të vendoset në këto vende, por dhe për stabilitetin e familjes së tyre, sidomos familjeve që kanë fëmijë të vegjël, të cilët duan t’i integrojnë nëpër shkolla apo në studime, të cilat janë vërtet me kualitet dhe njëkohësisht kanë perspektivë punësimi”, shton ai.

Por çfarë impakti do të ketë kjo në Shqipëri?

“Shqetësimi për shpërnguljen është i natyrshëm, të infermierëve nga vendet e punës që ato mbajnë në Shqipëri, por është edhe një fakt tjetër që këta infermierë krijojnë dhe një ekspertizë të re, si dhe një pjesë e tyre në një të ardhme dhe mund të kthehen në Shqipëri dhe atë ekspertizë të cilën e marrin në këto spitale të vendeve skandinave mund ta sjellin këtu. Veç kësaj kur flitet për kontratën e punës, ajo është dyvjeçare, por mundet edhe të zgjatet në disa vite dhe të rinovohet dhe në shumë vite. Çështja shtrohet që ne po e shikojmë të udhës që të japim dhe ndihmesën tonë edhe në efektet jo vetëm të shpërnguljes, por edhe të rikthimit të një pjese të ekspertizës të cilën ata e marrin në këto vende. Kjo është e lidhur shumë me një faktor tjetër që ne jemi shumë të pozicionuar, me faktorin e turizmit.“- thotë Zhuri.

infermier (telegrafi)

infermier (telegrafi)

Gjithësesi sipas sipërmarrësit shqiptaro- norvegjez duhet parë edhe ana tjetër, që këto infermierë mund të marrin eksperiencë në vende skandinave dhe të kthehen në Shqipëri.

“Duke qenë se shumë turistë nga vendet skandinave të cilët vijnë në Shqipëri, kërkojnë kushte jo vetëm në bregdet por edhe shërbime spitalore shumë më të mira, individët që do të punojnë në këto institucione shëndetësore në këto vende kur të kthehen në Shqipëri do të ofrojnë kushte dhe shërbim shumë më cilësor, sidomos për turistët skandinavë, të cilët do të jenë banorë në periudhën e dimrit. Bëhet fjalë për moshën e tretë, të cilët janë të njohur si turistë edhe në Spanjë”, thotë Bujar Zhuri, anëtar i Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.