Në shumë rajone të Arktikut, parashikohet që dëbora do të zëvendësohet nga shiu deri në vitin 2060, edhe nëse arrihet të ndalohet rritja e temperaturave.

Në pikën më të lartë të Groenlandës, në Sermersuaq, në mbulesën polare të ishullit, në më shumë se 3000 metra lartësi, gjatë verës ra shi për disa orë dhe temperatura e ajrit mbeti mbi 0 gradë celsius. Nuk ka ndodhur kurrë më parë, të paktën qëkur vëzhgohen dhe regjistrohen kushtet klimaterike të një prej vendeve më të ftohta në Tokë, një rajon që, megjithatë, si i gjithë Arktiku, po ngrohet gjithnjë e më shumë. Në dekadat e ardhshme kjo mund të çojë në shkrirjen e sasive të mëdha të akullit, me pasoja në klimën globale dhe në qarkullimin e rrymave oqeanike ende për t'u kuptuar.

Një studim i publikuar në “Nature Communications” tregon se kohët e shpallura për këtë katastrofë janë shkurtuar. Deri në vitin 2060, njëzet vjet më herët nga sa mendohej më parë, në pjesën më të madhe të Arktikut, dëbora do të zëvendësohet nga shiu.

Shkrirja e akullit në Groenlandë (Foto, guiasviajar)

Shkrirja e akullit në Groenlandë (Foto, guiasviajar)

Dëbora është sot forma dominuese e reshjeve në Arktik, ndërsa reshjet e shiut janë të rralla. Gjithsesi, i gjithë rajoni po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Modele të tjera klimaterike në përdorim parashikojnë që deri në fund të shekullit, dhe më shumë gjasa deri në vitin 2080, Arktiku do të bëhet një rajon kryesisht me shi. Një ndryshim katastrofik që do të shkaktojë një sërë reaksionesh zinxhir në të gjitha nivelet e ekosistemit, lokal dhe global.

Shiu bie mbi dëborë, ngrin dhe formon një shtresë akulli që e bën të pamundur që barngrënësit të arrijnë te bimët. Për këtë arsye shumë specie janë në rrezik që të mbeten të uritura. Më globalisht, më shumë shi do të thotë që ngrica e përhershme që mbulon Groenlandën do të shkrihet më shpejt, duke lëshuar në atmosferë sasi të mëdha të gazeve serrë që aktualisht janë të bllokuara në tokë.

Këto ngjarje u parashikuan edhe përpara se të dilte ky studim, por datonin të paktën në vitin 2080, bazuar në modelet e mëparshme klimaterike. Studimi i cituar në vend të kësaj përdor një model më të rafinuar dhe rezultatet e të cilit janë shumë të besueshme.

Rezultatet flasin për një avancim prej rreth njëzet vitesh në momentin kur dëbora do t'i lërë vendin shiut, por edhe për faktin se në disa rajone të Arktikut kjo do të ndodhë edhe nëse do të arrihet objektivi utopik i reduktimit të emetimeve dhe të bllokohet rritja e temperaturave globale në +1.5 gradë.

Rajonet e tjera të Arktikut, veçanërisht ato të Evropës Perëndimore dhe Rusisë, do të mund të mbroheshin dhe të ruanin karakterin e tyre të borës, nëse do të arrihen të gjitha qëllimet e synuara. Dhe për momentin, për fat të keq, kjo është një "nëse" e madhe.

Gjatë 30 viteve të fundit, Toka ka humbur akull me një ritëm shumë më të shpejtë se në të kaluarën, duke shkuar nga një humbje vjetore prej 0.8 miliardë tonë, regjistruar në fillim të viteve 1990, në 1.3 miliardë ton/vit në vitin 2017. Ky është përfundimi i arritur nga studimi i kryer nga një grup ekspertësh të udhëhequr nga Universiteti “Leeds” në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur të dhëna të marra nga satelitët ERS, Envisat dhe CryoSat të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, si dhe nga misionet e “Copernicus”, Sentinel-1 dhe Sentinel- 2.

Dëbora në Arktik (Foto, Focustech)

Dëbora në Arktik (Foto, Focustech)

Studimi, i publikuar në “The Cryosphere”, tregon se, pikërisht, ka pasur një rritje prej 65 për qind në shkallën e humbjes së akullit gjatë 23 viteve në studim. Kjo u shkaktua kryesisht nga rritja e mprehtë e humbjeve në mbulesat polare të akullit të Antarktidës dhe Groenlandës.

Shkrirja e akullit nga mbulesat e akullit dhe akullnajat ngre nivelin e detit, rrit rrezikun e përmbytjeve në komunitetet bregdetare, me pasoja të rënda për shoqërinë, ekonominë dhe mjedisin.

Autori kryesor i studimit, Thomas Slater, studiues në Qendrën e Vëzhgimit dhe Modelimit Polar në “Leeds”, deklaroi se megjithëse çdo rajon i planetit që është studiuar ka humbur akull, humbjet nga shtresat e akullit të Antarktidës dhe Groenlandës janë ato që kanë humbur më shumë. Sipas tij, në këtë moment shtresat e akullit po sillen sipas skenarëve më të këqij të vendosur nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimaterike. Nëse vazhdohet të ecet në këtë drejtim, rritja e nivelit të detit do të ketë ndikime shumë serioze në komunitetet bregdetare që në këtë shekull.

Studimi është i pari i këtij lloji që ekzaminon të gjithë akullin e zhdukur në Tokë duke përdorur vëzhgime satelitore dhe përfshijnë rreth 215.000 akullnajat e shpërndara në të gjithë planetin, mbulesat polare të akullit në Groenlandë dhe Antarktidë, platformat e akullit që notojnë në Antarktidë dhe akullin detar që lëviz në Arktik dhe Oqeanin Jugor.

“Gjatë tre dekadave të fundit ka pasur një përpjekje të madhe ndërkombëtare për të kuptuar se çfarë po ndodh me komponentët individualë në sistemin e akullit të Tokës. Ky aktivitet është revolucionarizuar nga satelitët, të cilët tani na lejojnë të monitorojmë rregullisht ato rajone të gjera dhe jomikpritëse, ku mund të gjendet akulli, por që janë të vështira për t'u arritur”, -deklaroi Slater.

Rritja e humbjes së akullit u shkaktua nga ngrohja e atmosferës dhe oqeaneve, të cilat raportohet se janë ngrohur përkatësisht me 0.26 ° C dhe 0.12 ° C në dekadë që nga viti 1980. Gjatë periudhës së studimit, ka pasur një humbje prej 7.6 miliardë tonë të akullit të detit Arktik dhe një humbje prej 6.5 miliardë tonësh nga platformat e akullit të Antarktidës, të dyja që lundrojnë në oqeanet polare.

Akullnajat në shkrirje (Foto adventuresis)

Akullnajat në shkrirje (Foto adventuresis)

Isobel Lawrence, një tjetër shkencëtare që kontribuoi në studim, shpjegoi se humbja e akullit të detit nuk kontribuon drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të detit, por ka një ndikim indirekt. Në të vërtetë, një nga rolet kryesore të akullit të detit Arktik është të reflektojë rrezatimin diellor përsëri në hapësirë, gjë që ndihmon në mbajtjen e ftohtë të zonave që mbulon. Sa më shumë të tkurret akulli i detit, aq më shumë energji diellore do të absorbohet nga oqeanet dhe atmosfera.

Megjithatë, gjysma e të gjitha humbjeve të akullit ndodhën në tokë, duke përfshirë 6.1 miliardë tonë të humbur nga akullnajat malore, 3.8 miliardë tonë të shtresës së akullit të Groenlandës dhe 2.5 miliardë tonë nga shtresa e akullit të Antarktidës.

Është llogaritur se këto humbje e ngritën nivelin global të detit me rreth 35 milimetra. Për më tepër, vlerësohet se për çdo centimetër të rritjes së nivelit të detit, rreth një milion njerëz që jetojnë në rajonet fushore janë në rrezik të zhvendosjes.

Përgatiti: Irma Paloli