Shoqata "Pro Export Albania" thekson se në sektorin fason ka mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Pas pandemisë hendeku është theksuar më shumë dhe numerohen mbi 15 mijë vende të lira pune. Edvin Prençe, kryetar i shoqatës “Pro-Export” u shpreh për mediat se mungesa e punonjësve ka vënë në vështirësi kompanitë që meren me këtë industri.

“Ne kemi një problematikë shumë të madhe dhe të thellë, siç është mungesa e forcës së punës në sektorin tonë, mungesa e investimeve që duhen bërë në makineri, që përkthehet patjetër në një rritje të cilësisë dhe të sasisë. Patjetër që duhet një politikë mbështetëse nga ana e qeverisë që ne të kemi mundësinë t’u përgjigjemi këtyre kërkesave. Po të marrim për bazë dhe të dhënat e INSTAT, viti 2019 që ishte viti i normalitetit, sektori jonë përfshinte rreth 70 mijë punonjës , aktualisht janë 55 mijë punonjës. Pra, do të thotë që duke iu rikthyer normalitetit të prodhimit në fabrikat tona kemi një mungesë rreth 15 mijë vende pune. Pra, njerëz që nuk kanë rihyrë në sistemin e punës në sektorin tonë dhe patjetër që kjo është një problematikë shumë e madhe. “- tha Edvin Prençe, kryetar i shoqatës “Pro-Export”.

Shkaqet për mungesë punëtore janë të ndryshme. Ose të rinjtë kanë zgjedhur profesion tjetër, ose kanë ikur nga vendi.

“Në shumicën e rasteve këta njerëz janë larguar totalisht nga vendi ynë, nga Shqipëria. Patjetër që ka dhe një ndryshim të vendeve të punës. Pra, këta njerëz kanë zgjedhur të shkojnë në sektorë të tjerë ose të gjejnë një zgjidhje, mund ta kenë quajtur të marrin thjesht asistencën sociale ose të papunësisë. Pra janë shumë statuse ose shumë mënyra të ndryshme që kanë çuar në këtë mungesë kaq të madhe të fuqisë punëtorë të sektorit tonë.”

Në një intervistë televizive Florian Zekja, përfaqësues i shoqatës “Proexsport Albania” tha se në përgjithësi ecuria e eksporteve të industrisë tekstile dhe këpucë këtë vit vlerësohet të jetë pozitive.

“Ne duhet t’i referohemi gjithmonë atyre parashikimeve që kemi bërë që në shkurt të këtij viti, të cilat përkojnë me rritjen të prodhimit me vitin 2019. Në fund të dhjetorit, të dhënat e fundit të INSTAT do të jenë të njëjta me, ose ndoshta diçka më tepër se 2019, i cili mbahet si një vit goxha i mirë për sektorin e manifakturave. Ka qenë një grafik në rritje, që nga shkurti deri tani dhe kjo përkon me të gjithë lëvizjet si gjeo-politike po ashtu edhe ekonomike në Evropë dhe në Azi, të cilat reflektohen edhe në sektorin e këpucëve dhe të veshjeve. E gjithë ajo mungesë që pati tregu për vitin e pandemisë ka filluar të reflektohet dhe në biznesin tonë. Një kërkesë goxha më e shtuar po ta krahasojmë me 2019, deri në 30% më e shtuar, por e cila nuk po arrin të thithet totalisht apo në mënyrën më efikase nga biznesi jonë”- tha Florian Zekja, përfaqësues i shoqatës “Proexsport Albania”.

Sa konkuruese janë kompanitë që merren me tekstile dhe këpucë në rajon dhe më gjerë?

“Sektori ynë nuk është i prapambetur por për të arritur nivelet e kolegëve tanë në Ballkan, siç janë Serbia, Maqedonia e Veriut apo Bosnje-Hercegovina, ne duhet të rinovojmë më tej teknologjinë. Dhe rinovimi i kësaj teknologjie duhet të shkojë paralelisht dhe me rritjen cilësore dhe aftësitë e punonjësve dhe drejtuesve tanë, për të cilat duhet normalisht një investim që duhet bërë nga biznesi ynë, por normalisht duhet të jetë në mbështetje dhe në sinkroni me politikat qeveritare të cilat do të çojnë atje që ne gjithë këtë bum të kërkesave nga klientët tanë, të arrijmë ta përthithim dhe Ballkani të bëhet pak a shumë Azia e Vogël ku të gjithë firmat më cilësore të prodhojnë në pellgun tonë. Teknologjia normalisht është ajo që tërheq relativisht varësinë nga punëtoria, me të cilët kemi problem, automatizimi i linjave tona relativisht na lehtëson nga punëtoria por ajo që është më kryesorja, rrisim kompetitivitetin, rrisim cilësinë. Me një zhvillim teknologjie më të avancuar ne jemi shumë më kompetitivë dhe do të jemi më cilësorë”- thekson Zekja.

Shoqata "Pro Export Albania" është përfaqësues zyrtar i industrisë së veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri. Kjo industri përfshin 700 fabrika aktive. Vetëm gjatë vitit 2019, kjo industri siguroi rreth 40 % të eksporteve të vendit me vlerë mbi 900 milion Euro. Gjatë 2019, kjo industri punësoi 70 mijë njerëz, duke u bërë sektori numër një në vend për numrin e punonjësve. Kompanitë e sektorit kanë kapacitete dhe aftësi prodhimi “Made in Albania” maksimale nga fusha e modës, veshjet e punës dhe të gjitha llojet e këpucëve, të punës dhe modës.