Më 8-10 dhjetor u zhvillua në Pekin Konferenca Qendrore e Punëve Ekonomike. Në këtë mbledhje u bë një përmbledhje e punëve ekonomike të vitit 2021, si dhe u analizua gjendja e tanishme ekonomike, duke bërë planifikim për punët ekonomike në vitin 2022.


Gjendja e tanishme ekonomike

Në këtë mbledhje u vu në dukje që, edhe pse ka pasur arritje të mëdha, duhet t’u kushtohet vëmendje tre presioneve kryesore që po përballon ekonomia kineze, të cilat janë pakësimi i kërkesës, goditja e ofertës dhe ulja e pritshmërive. Me goditjet nga pandemia e COVID-19, situata botërore po ndryshon shpejt dhe mjedisi jashtë Kinës po bëhet më i ndërlikuar dhe më i paqartë.

Zv.drejtori i Komisionit Qendror Financiar të PKK-së, Han Wenxiu, u shpreh që tani disa institucione dhe ekspertë parashikojnë që në vitin 2021, vëllimi i GDP-së kineze do të rritet me rreth 8%, duke i kaluar 110 trilionë juanët, dhe GDP-ja për frymë do të arrijë më shumë se 12 mijë dollarë amerikanë. Kjo shifër do të jetë shumë afër me pragun e përcaktuar nga Banka Botërore për vendet me të ardhura të larta. Krahas kësaj, çmimet e konsumit do të rriten me më pak se 1%, do të krijohen mbi 12 milionë vende të reja pune në qytete dhe papunësia do të mbetet në rreth 5%.

Me këto shifra, mund të themi që në vitin 2021, Kina ka arritur një gjendje pozitive me rritje të madhe, inflacion të ulët dhe punësim të mjaftueshëm.

Han Wenxiu theksoi që, përveç rritjes, ekonomia kineze po përballon edhe më shumë sfida dhe vështirësi. Rritja e konsumit dhe investimeve është në ulje, zinxhiri i furnizimit është penguar dhe disa ndërmarrje po përballojnë mungesën e elementeve të prodhimit, si çipat dhe energjia elektrike. Me mungesën e çipave, prodhimi i automjeteve është ulur me rreth 10 % dhe furnizimi i energjisë elektrike është në një ekulibër të vështirë. Treguesi i çmimit të kontejnerëve të mallrave për eksport është ulur pak, por ende është 4-fish i çmimit në fillim të 2020-s.

“Ekonomia kineze ka elasticitet të fuqishëm e potencial të madh dhe ka shumë kushte pozitive për zhvillimin ekonomik. Nuk do të ndryshojnë prirja e mëkëmbjes ekonomike dhe baza pozitive për zhvillimin ekonomik. Zhvillimi i Kinës ende është në një fazë të rëndësishme strategjike dhe Kina ka aftësi të realizojë zhvillim të vazhdueshëm, të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm,” vuri në dukje Han Wenxiu.

Qëndrueshmëri dhe efektivitet

Në këtë mbledhje janë përcaktuar shtatë misionet kryesore për zhvillimin ekonomik në fushën e makropolitikave, mikropolitikave, politikave strukturore, politikave shkencore, politikave të Reformës dhe Hapjes, politikave rajonale dhe politikave shoqërore.

Për makropolitikat, është theksuar që fokusi duhet të vihet te qëndrueshmëria dhe efektiviteti. Han u shpreh: “Makropolitikat janë një metodë e rëndësishme për stabilizimin e gjendjes ekonomike. Qëndrueshmëri do të thotë ruajtje e politikave të vijueshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme, ndërsa efektivitet do të thotë shtim i përshtatshmërisë, funksionalitetit dhe efektshmërisë, me synim që të përballohen presionet e uljes ekonomike dhe të garantohet zbatimi efektiv i masave stabilizuese në gjashtë fusha (si punësim, financë, tregti dhe investime të huaja) dhe masat garantuese në gjashtë sektorë (punësim, jetesën e qytetarëve, sigurinë ushqimore dhe energjetikë.)”.

“Një parim kryesor për politikat fiskale të vitit të ardhshëm është shtimi i efektivitetit, i saktësisë dhe vazhdueshmërisë. Për vitin 2021, parimi i paraqitur ishte shtimi i cilësisë, efektivitetit dhe vazhdueshmërisë. Mund të shohim që këtë herë, është vazhduar me parimin e efektivitetit dhe vazhdueshmërisë, por është theksuar saktësia,” thotë zv.drejtori i Institutit Studimor të “Yuekai Securities”, Luo Zhiheng.

Sekretari i Shoqatës së Studimeve Financiare të Kinës Feng Qiaobin u shpreh që investimet infrastrukturore do të bëhen kryesisht në digjitalizim dhe zhvillimin e gjelbër, sidomos në këtë të fundit. Në këtë mbledhje u përmendën shpesh energjetika dhe burimet, duke theksuar që në të ardhmen do të shtohen investimet në infrastrukturën energjetike dhe do të krijohet një bazë e mirë për zhvillimin me cilësi të lartë.

Lidhur me politikat monetare, parimi i caktuar nga kjo mbledhje është “shkathtësi e përshtatshme dhe ruajtje e fluiditetit të plotë dhe të arsyeshëm”.

Kryeekonomisti i Bankës së Komunikacionit Lian Ping është i mendimit që “stabilizimi i rritjes është objektivi i parë i politikave në vitin 2022”. Sipas tij, politikat e qëndrueshme monetare do të ruajnë nivelin pak të lehtësuar, me një ndërthurje të lehtësimit të fluiditetit në fundvit dhe zbutjes së tensionit të uljes mbi ekonominë në vitin 2022. (Jiang Lei)