E ndërsa ende ëshë e paqartë se si do të menaxhohet kriza energjitike dhe se çfarë ndryshimi do të ketë në çmim, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka theksuar sërish se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Në një deklaratë për mediat, lidhur me vendimet e qeverisë, Balluku theksoi se kjo do të garantohet përmes KESH-it, i cili duhet të furnizojë me të gjithë sasinë e nevojshme familjarët dhe biznesin e vogël.

Ministrja Belinda Balluku (foto nga Ministria e Energjetikës)

Ministrja Belinda Balluku (foto nga Ministria e Energjetikës)

Nënvizoj faktin që nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për konsumatorët dhe biznesin e vogël, këtë do të vazhdojmë ta garantojmë. Sot kemi vendosur një ndryshim për miratimin e kushteve për vendosjen e shërbimit publik ndaj të licensuarve gjatë gjendjes së emergjencës për përballimin edhe parandalimin e kësaj krize. Rëndësi ka koordinimi mes KESH dhe OSHEE për derregullimin e sektorit. KESH ka detyrimin e sektorit publik dhe duhet të furnizojë me të gjithë sasinë e nevojshme abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. KESH detyrohet të prodhojë dhe dorëzojë pranë shpërndarësit 4.6 terravat, sa është sasia që kërkohet në vit për familjarët dhe biznesin e vogël. Çmimi për ta do të mbetet i pandryshuar pasi detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH. Për të përmbushur këtë detyrim nevojitet marrja e masave shtesë nga KESH”.- u shpreh ministrja Balluku.

Gjithashtu sa i përket sektorit të energjisë u dhanë edhe detaje për një tjetër akt i miratuar në mbledhjen e qeverisë konsolidimi i planifikimit financiar publik elektroenergjik që parashikon ndryshimet e disa indikatorëve të OSHEE-së, që janë rishikuar në bazë të ngjarjeve nga prilli 2019 deri më sot.

“Akti i parë ka të bëjë me një ndryshim për miratimin e konsolidimit të planifikimit financiar publik elektroenergjik që parashikon ndryshimet e disa indikatorë të OSHEE-së që janë rishikuar në bazë të ngjarjeve nga prilli 2019 deri më sot, që kanë të bëjnë me tërmetin e 26 nëntorit, pandeminë dhe krizën energjetike. Të gjithë këto kanë sjellë rritje të konsumit dhe ulje të pagesave duke krijuar efekte negative, të cilët i kemi rishikuar dhe i kemi vënë në parametra realistë deri në 2026”.-tha Balluku.

“Për qëllime të furnizimit me të gjitha sasitë e nevojshme për nevojat e Furnizuesit të Shërbimit Universal, shoqëria e prodhimit e ngarkuar detyrimin e shërbimit publik ka të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë/të depozitojë apo të kryejë transaksione shitblerjeje energjie në tregun e lirë. Shoqëria publike e prodhimit të energjisë organizon një procedurë të posaçme konkurruese, me afat të përshpejtuar për marrjen me qira të aseteve gjeneruese termike të energjisë me afat deri në tri vite, sipas procedurave të përcaktuara në kreun VIII, të këtij vendimi” thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Asete gjeneruese termike janë prodhues që energjie përmes qymyrit, gazit apo lëndëve të djegshme.Tashmë qeveria ka dhënë dy opsione që është qiramarrja për tre vite e këtyre aseteve apo depozitimi duket se KESH ka zgjedhur të dytën. Sipas vendimit të qeverisë furnizuesi i energjisë që është pjesë e OSHEE do të rakordohet për sasinë e nevojës së energjisë në mënyrë ditore javore apo mujore me prodhuesin dhe ky i fundit do të sigurojë të gjithë sasinë e nevojshme që kërkohet.

Ndërkohë Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, bën me dije se në HEC-in e Vaut të Dejës tashmë do të prodhohet energji edhe përmes paneleve fotovoltaike të instaluar në digën e këtij hidrocentrali. Gjatë një inspektimi në këtë HEC, Balluku theksoi edhe njëherë se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset e vogla.

“Qeveria ka marrë përsipër të mbrojë abonentët familjarë dhe të biznesit të vogël. S’do ketë asnjë qindarkë rritje çmimi sa i përket këtij grupi. Megjithatë duke qenë që VKM i jep mundësi KESH-it të vazhdojë dhe të ketë mundësi të tjera prodhimi, si shkëmbimi energjetik, me partner rajonalë, dhe sigurisht blerjes me procedura të gjata duke krijuar një optimizim financiar. Sasia energjetike me çmimin që ka por nga ana tjetër KESH i duhet të rrisë kapacitetin e tij. Është prodhim energjie i gjelbër. Nuk ka shumë vende në botë që e plotësojnë këtë kusht. Gjigant është për të qenë floting dhe është ndër të paktët në Evropë që ka këtë lloj kapaciteti”, tha Balluku.

Sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të sektorit, ministrja tha sesynimi i qeverisë është që të eksportojë energji në rajon.

“Tek shikojmë këto projekte të reja marrim shpresë që s’do kemi problematika. Të paktën pas 5 vitesh Shqipëria do ketë ngritur kapacitete mbuluese, siç është edhe Skavica. Nga ana tjetër synimi ynë kryesor është që të kthehemi një vend eksportues për rajonin. Shqipëria do t’ia dalë sepse projektet nuk janë në letër as në 3D por janë të mirërealizuara. E gjithë kjo punë që po bëhet sot do të japë rezultate në vitet e ardhshme“, tha ministrja Balluku.