E ndërsa festat po afrojnë, sektori hotelier ka menduar paketa joshëse për të gjithë ata që duan të kalojnë fundvitin në Shqipëri. Rrjeti i hoteleve “Royal G”, i vendosur në bregun mahnitës së Detit Adriatik, në qytetin e Durrësit që prej vitit 1910 është lider në fushën e hotelerisë dhe turizmit. Hoteli jep mundësinë e zgjedhjes ndër 110 dhomat e pajisura me çdo shërbim.

Blerim Norja, menaxher i hotelit “Royal G” na tregon disa detaje të ofertave dhe përgatitjeve që kanë bërë për të kënaqur vizitorët.

“Si çdo vit edhe këtë vit jemi bërë gati për organizimin e festave të fundvitit. Teorikisht kemi përgatitur dy oferta, një që është për Krishtlindje dhe atë më të rëndësishmen për Vitin e Ri. Duke qenë se në Shqipëri Viti i Ri ka rëndësi të veçantë këto kohët e fundit tradita shqiptare ka ndryshuar pak. Rreth 70% e popullsisë kanë dëshirë që ta festojnë jashtë shtëpisë, nëpër restorante, nëpër hotele ose nëpër ambiente ku duan të kënaqen, të argëtohen dhe normalisht që të kenë dhe një menu të pasur me ushqime, me muzikë dhe me këngëtarë të njohur. Duke përfituar dhe nga ky trend i fundit, ne kemi përgatitur ofertën tonë ku ofrojmë përveç darkës gala të Vitit të Ri edhe akomodimin. Kemi bërë një paketë mesatare jo shumë të shtrenjtë, duke parë dhe tregun. Paketa jonë është 100 euro, ku përfshihet darka gala dhe përveç darkës normalisht ofrohet dhe një mbrëmje ku do të ketë shumë personalitete të ftuar, muzikantë të njohur, valltarë, njerëz të botës së spektaklit, të cilët do të jenë në dispozicion për të argëtuar klientët ,që do jenë të ftuar në hotelin tonë. Gjithashtu është menduar që klientët që vijnë të akomodohen në hotelin tonë të kenë të përfshirë mëngjesin, që të shijojnë datën 1 janar me relaks, me një mëngjes të vonë, mund të shijojnë dhe pamjen e detit dhe një zgjim i relaksuar” thotë menaxheri Blerim Norja.

Është menduar në detaj në mënyrë që vizitorët të mbeten të kënaqur dhe me çmim të arsyeshëm.

“Paketa jonë është e kompletuar, duke qenë dhe nga eksperienca që ne kemi me zhvillimin e eventeve dhe kemi menduar të bëjmë një paketë e cila mund të jetë një nga më të mirat në treg, ku nuk mungon asgjë dhe çmimi është mesatar. Shpresojmë që të kemi kapacitet të plotë. Deri tani rezervimet po shkojnë shumë mirë, ka pasur goxha rezervime dhe pretendojmë që të kemi sa më shumë klientë dhe normalisht klientët që janë këtu të largohen të kënaqur, sepse ky është dhe sodisfacioni ynë kur klientët largohen të kënaqur. “-shprehet menaxheri.

Duket se problem do të jetë kufizimi i orarit për shkak të pandemisë.

“Ky vit duket pak më i veçantë, sepse i vetmi problem është orari. Për momentin lejohet deri në orën 12.00 të natës, por nuk do të kishte kuptim festa e Vitit të Ri deri në orën 11.00 sepse supozohet që njerëzit duhet të presin orën 12.00, që të presin Vitin e Ri. Megjithatë shpresoj që të kemi një leje të veçantë të paktën për darkën e datës 31 dhjetor, shton ai

Hotelet kanë menduar edhe për paketën e Krishtlindjeve.

“Krishtlindjet janë organizuar me një menu pak më modeste. Dhe për darkën e Krishtlindjeve kemi menduar që të kemi këngëtarë të njohur. Për shembull për darkën e Krishtlindjeve kemi ftuar Genën dhe grupin e tij muzikor, të cilët do të ofrojnë një spektakël për njerëzit që janë të ftuar në darkën e Krishtlindjeve. Për Krishtlindjet kemi dalë më një paketë 55 €/personi ku përfshihet darka dhe akomodimi ose vetëm darka me paketën 30 €/personi. Mendojmë që edhe për paketën e Krishtlindjeve kemi një paketë me çmim goxha të mirë në krahasim me çmimet e tregut, hyjmë te pjesa e kategorisë normale të çmimeve dhe besoj që do të kemi goxha të ftuar, shprehet ai.

“Royal G Hotel & Spa” përmban një zonë wellness, e cila përfshin një pishinë të brendshme dhe një sauna. Hoteli ka gjithashtu një sallë konferencash që mund të përmbajë deri në 120 persona dhe është e pajisur më të gjithë tëknologjinë moderne dhe kushtet optimale për organizime të rëndësishme.