Më 11 dhjetor 2001, pas bisedimeve shumëvjeçare, Kina u fut në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). E gjithë bota pyeste: Çfarë ndikimesh do të sjellë në sistemin global të tregtisë të lirë ky vend në zhvillim me popullsinë më të madhe në botë dhe çfarë ndikimesh do t’i sjellë ky vend botës. Sivjet është 20-vjetori i hyrjes së Kinës në OBT. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, kjo është një ngjarje e rëndësishme në procesin e Reformës dhe Hapjes të Kinës dhe ka shkaktuar ndikime të thella në ekonominë kineze e botërore.

Në fakt, në Kinë në fillim kishte entuziazëm dhe shqetësim, sepse me hapjen e dyerve të tregut botëror, kjo do të sillte më shumë kërkesa nga jashtë dhe, ndërkohë, mallrat nga jashtë mund të ndikonin në sistemin ekzistues industrial dhe kjo mund të shkaktonte tkurrje të disa sektorëve. Kështu, mediat dhe qytetarët e thjeshtë kishin shqetësime, madje edhe studiuesit mendonin që OBT-ja do të shkaktonte goditje strukturore ndaj disa sektorëve të Kinës: sektorët që kërkojnë krahë të shumtë pune do të kishin përfitime dhe sektorët që kërkojnë shumë kapital e teknologji do të pësonin humbje dhe tkurrje.

Mirëpo pas hyrjes në OBT, zgjerimi i tregut ka sjellë shumë më tepër efekte pozitive se efekte negative nga konkurrenca. Përfitimet e sjella nga OBT-ja i kanë kaluar parashikimet e të gjithëve. Vetëm gjatë 10 vjetëve Kina është bërë vendi më i madh për sa i përket tregtisë. Eksporti i Kinës renditet në vendin e parë dhe importi në vendin e 2-të.

Nga viti 2003 deri në 2007-n, ekonomia kineze shënoi rritje mbi 10 % dhe GDP-ja për frymë u rrit nga më pak se 1000 dollarë në vitin 2000 deri në afro 6 mijë dollarë në vitin 2011. Në vitin 2020, GDP-ja për frymë i kaloi 10 mijë dollarët, 10 herë më shumë se shifra në kohën e hyrjes së Kinës në OBT 20 vjet më parë.

Gjërat për të cilat kishte shqetësime në fund nuk u bënë realitet. Kina ka marrë përfitime jo vetëm në sektorët që kërkojnë krahë të shumtë pune, por edhe ka krijuar një gjendje të re zhvillimi në sektorët e produkteve elektronike.

Hyrja në OBT është një ngjarje që lidhet ngushtë me Reformë e Hapjen e Kinës.

Së pari, OBT-ja ka sjellë një rast të mirë, duke mbështetur suksesin e Kinës në zhvillimin ekonomik. Kjo vërteton që hapja ndaj botës së jashtme ka rëndësi të madhe për ekonominë kineze.

Së dyti, hapja nuk është synim, por një mënyrë që shtyn reformën në tregun e brendshëm të Kinës.

Në mes të viteve ’90 të shekullit të kaluar, për të përballuar sfidat e mundshme nga hyrja në OBT, Kina bëri reforma konkrete në ndërmarrjet shtetërore dhe hoqi shumë pengesa për hyrjen e ndërmarrjeve private në treg, duke formuar një sektor prodhimi me aftësi konkurruese dhe duke krijuar një bazë të fortë për sukses pas hyrjes në OBT në vitin 2001. Mund të themi që periudha 6-vjeçare e bisedimeve për hyrjen në OBT jo vetëm dha kohë për përshtatjen e Kinës me sistemin e OBT-së, por edhe ofroi një drejtim të qartë për reformën në ekonominë vendase.

OBT-ja është si një gur kilometrik në Reformën e Hapjen e Kinës dhe “hapja” në periudha të ndryshme ka kuptime të ndryshme. Reforma e Hapja në vitet ’80 të shekullit të kaluar ishte si një nismë për pritjen e globalizimit, anëtarësimi në OBT në vitin 2001 ishte një pjesëmarrje e thellë në procesin e globalizimit dhe marrëveshja e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) pas vitit 2010 (e krijuar formalisht në vitin 2020 dhe e zbatuar në janar 2022) e nisma “Një brez, një rrugë” janë eksplorime nga Kina për drejtimin e globalizimit dhe forcimin e së drejtës së fjalës në reformat tregtare ndërkombëtare.

Tani Kina është futur në fazën e re të zhvillimit, dhe duhet të kalojë nga modeli i përpunimeve mallrash në modelin e kërkimeve teknike me zinxhirin e plotë global. Kështu, bota ka më shumë nevojë për hapjen e Kinës dhe, si një vend i përgjegjshëm për globalizimin, Kina do të jetë e gatshme për hapje të mëtejshme.

Në fakt, qysh nga viti 2013, Kina ka nisur eksperimentimin me zonat e tregtisë së lirë dhe lista negative për investimet e huaja në zonën e tregtisë së lirë të Shangait, që është lista e parë negative në Kinë, është publikuar në këtë sfond.

Gjatë 40 vjetëve të kaluar, Kina ka bërë shumë herë prova serioze, të cilat janë shoqëruar me dallgët e reformës. Në vitet ‘80 tema ishte kalimi nga ekonomia e planit në ekonominë e tregut, ndërsa në vitet ‘90, thellimi i reformës dhe këmbëngulja në zhvillimin e hapur dhe mbi bazën e ekonomisë së tregut. Ndërkohë, pas hyrjes në OBT, tema ishte kalimi nga modeli “këmbim i punës për tregun” në modelin “këmbim i tregut për tregun”.

Kohët kanë ndryshuar shumë herë dhe çdo herë Kina ka bërë përpjekje të guximshme për reformë dhe hapje. Por ajo që nuk ndryshon është mençuria dhe guximi i Kinës për masat e reja konkrete të Reformës e Hapjes.

(Jiang Lei)