Valbona Leather sot është një markë e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar me çmime të dizajnit. Ky brand krijon produkte lëkure luksoze të përjetshme, duke i qendruar kohës dhe lehtësisht të kombinueshme.

Blerta Kabo

Blerta Kabo

Themelueset e Valbona Leather jane motrat Valbona dhe Blerta Kabo. Ato janë lindur e rritur në Tiranë. Në fillim të viteve ’90 fati i pruri ato dhe familjen e tyre në kryeqytetin e Hungarisë, në Budapest, ku u shkolluan, u diplomuan dhe tashmë kanë krijuar familjet e tyre. Një prej themelueseve tregon fillimet e këtij biznesi.

“Unë jam Blerta Kabo, një nga themelueset e firmës Valbona Leather. Brandi kryesisht u krijua nga motra ime, Valbona Kabo, e cila modën e ka pasur pasion që në fëmijëri, qepte rroba për kukullat e saj, krijonte kolazhe outfitesh të ndryshme për evente imagjinare. Ky pasion për modën e ka ndjekur deri në ditën e sotme dhe është arsyeja kryesore për krijimin e brandit Valbona Leather. Brandi ka të njëjtin emër si motra ime, sepse emrin Valbona e ka amanet nga gjyshi i saj, i cili ndërroi jetë pak kohë para se ajo të lindte. Unë kryesisht mbuloj tregun, shitjet, blerjet e materialeve, ndërsa Valbona është kryesisht në përgjegjësi të dizajnit dhe të marketingut në platformat online.” – shprehet bashkëthemeluesja Kabo.

Të frymëzuara nga sfidat e përditshme, misioni i dy motrave, Valbonës dhe Blertës është të revolucionarizojnë çantat dhe aksesorët prej lëkure, duke kombinuar dobinë me elegancën. Çantat “Valbona” ofrojnë karakteristika të dizajnit që rrisin produktivitetin e grave dhe e bëjnë jetën e tyre të organizuar bukur.

“Kur Valbona vendosi të krijojë brandin na lindi ideja që të krijonim çanta në të cilat kishim të gjitha gjërat praktike që na mungonin në çantat që kishim më parë. Por natyrisht duhej të dizejnonim dhe çanta të bukura, se sido që të jetë përdoruesi i çantës do që të prezantohet në mënyrë sa më të hijshme. Këto janë dy nga virtytet e çantave tona apo brandit tonë, që produktet tona nuk janë vetëm të bukura por mbi të gjitha janë praktike. Për ne ka shumë rëndësi që materialet që përdorim dhe cilësia e tyre të jenë cilësi e lartë në mënyrë që produktet të përdoren një jetë të tërë, dhe pse jo të kalojnë ndër breza”, thotë Blerta Kabo.

Vlera thelbësore e markës është ndërgjegjësimi dhe qëndrueshmëria mjedisore: të gjitha çantat dhe aksesorët janë të dizajnuara për gjithë jetën, duke promovuar kështu modën e sofistikuar dhe të përjetshme. Lëkurat luksoze italiane të përdorura për çantat dhe aksesorët e tyre zgjidhen nga mbetjet, duke siguruar që secila prej çantave të tyre të prodhohen në sasi të limituar, në një prodhim unik dhe të papërsëritshëm, të kufizuar me një ngjyrë, e cila është e disponueshme vetëm derisa të mbarojë gjendja e produktit (stock).

Për më tepër, Valbona dhe Blerta, e konsiderojnë të rëndësishme përdorimin e të gjitha pjesëve të lëkurës të krijuara gjatë prodhimit, kështu që përveç çantave, ato prodhojnë edhe aksesorë lëkure unike dhe thelbësore si mbajtëse kartash, mbajtëse syzesh, portofola dhe byzylykë që përshtaten në mënyrë perfekte. Megjithatë, Valbona Leather nuk është vetëm një besimtare e përkushtuar e përgjegjësisë sociale, por edhe e fuqisë së bashkëpunimit, prandaj, së bashku me dizajnerët hungarezë, marrin pjesë vazhdimisht në projekte të përbashkëta për të fuqizuar njëri-tjetrin. Valbona dhe motra e saj Blerta, dizajnojnë çanta të cilat janë jo vetëm të bukura, por mbi të gjitha ato janë shumë praktike.

Misioni i Valbonës dhe Blertës është të krijojnë çanta të cilat e shoqërojnë “pronaren” e tyre në çdo situatë dhe gjatë gjithë jetës së tyre. Valbonista është një femër e kompletuar, e sofistikuar, me stil unik, me vetëbesim, ajo është një grua e sukseshme, një grua krenare, një grua e fortë dhe me ambicie.

“Unikaliteti për ne është shumë i rëndësishëm sepse edhe çantat dhe produktet e tjera si kuleta ose card holder etj. Janë të gjitha shumë unike për arsye se lëkura që ne përdorim vjen nga Italia, nga firma të mëdha dhe luksoze, stoqet e mbetura të këtyre firmave. Këto lëkura ne i blejmë dhe përpiqemi që t’i shfrytëzojmë deri në maksimum, që të mos ketë asnjë lloj mbetje në mënyrë për të mbrojtur dhe ambientin tonë dhe si rezultat vjen dhe ajo që të gjitha çantat tona ekzistojnë vetëm në një numër të limituar në çdo ngjyrë. Këto ngjyra nuk mund të përsëriten më. Çantat tona janë unike si stilin e tyre, në ngjyra, në forma etj.”, thotë ajo

Valbona Kabo

Valbona Kabo

Edhe pse jetojnë jashtë Shqipërisë, me mendje janë këtu, ndaj kanë bërë të pamundurën që çantat Valbona Leather të shiten edhe në Shqipëri dhe jo vetëm me versionin online.

“Jemi shumë krenare që para pak muajsh produktet e brandit tonë gjenden edhe në Shqipëri. Deri tani ka qenë mundësia që të bliheshin online, por largësitë midis shteteve janë më të ndërlikuara kështu që tani është mundësia të blihen dhe në Shqipëri produktet tona. Kemi një përfaqësi të vogël në Shqipëri dhe jemi shumë krenare që tashmë produktet tona që vijnë nga zemra gjenden në një treg që është shumë afër zemrave tona, si shqiptare që jemi. Natyrisht zemrat tona janë atje”, shprehet Blerta.

Për çantat e tyre motrat Kabo përdorin vetëm materiale të cilësisë së lartë. Kështu për shembull lëkurën ato e blejnë nga stoqet e mbetura të firmave të mëdha dhe lukzose, kjo rezulton jo vetëm në mbrojtjen e ambientit, por edhe në faktin që çdo ngjyre ekziston vetëm në sasi të limituar, dhe nuk mund të riprodhohet më.