Instituti shqiptar i Statistikave INSTAT ka publikuar të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin tetor, ku vërehet se eksportet e mallrave arritën vlerën 34 mld lekë, duke u rritur me 26,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 2,5 %, në krahasim me muajin shtator 2021. Importet e mallrave ndërkohë arritën vlerën 77 mld lekë, duke u rritur me 29,2 %, në krahasim me një vit më pare dhe me 11,2 %, në krahasim me muajin shtator 2021. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 43 mld lekë, duke u rritur me 31,6 %, krahasuar me muajin tetor 2020 dhe me 19,1 %, në krahasim me muajin shtator 2021.

Tregtia e Jashtme (INSTAT)

Tregtia e Jashtme (INSTAT)

Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u rritur me 35,2 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 632 mld lekë, duke u rritur me 29,5 %, krahasuar me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 333 mld lekë, duke u rritur me 24,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020. Në rritjen e eksporteve prej 26,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet Materiale ndërtimi dhe metale, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”,“Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Ndërsa grupet që kanë ndikuar negativisht anë: “Ushqime, pije, duhan” “Tekstile dhe këpucë”. Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë rritur me 35,2 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe “Tekstile dhe këpucë”.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi teksa analizon për mediat ecurinë e eksporteve, thotë se fakt është që eksportet kanë tendenca rritjeje dhe se po rimerr veten sektori i industrisë së lehtë.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, padiskutim çdo lloj rritje duhet përshëndetur, por nuk është ndonjë kushedi se çfarë duke pasur parasysh para një viti eksportet shqiptare pësuan një goditje të rëndë për shkak të pandemisë, përjashtuar eksportet bujqësore dhe ushqimore. Kështu në këtë kontekst, ndoshta INSTAT-i do të duhej të jepte dhe të dhëna krahasuar me periudhën para pandemisë, në 2019-tën për të parë një rritje reale të eksporteve shqiptare, jo e krahasuar me atë që është kurba minimale e eksporteve. Fakt është që eksportet kanë tendenca rritje. Po rimerr veten sektori i industrisë së lehtë, tekstile dhe këpucë. Ka vazhduar të ketë veçanërisht në tremujorin e parë një rritje të eksporteve të produkteve bujqësore, por në tremujorin e tretë prodhimi bujqësor ka një lloj rënie”- shprehet Zusi

Alban Zusi (Koha jonë)

Alban Zusi (Koha jonë)

Ekspertët shohin me skepticizëm ndikimin e politikave të qeverisë në sektorin e bujqësisë që mund të ketë ndikim tek shifrat e shkëmbimeve tregtare.

“Bujqësia tani po fillon të shfaqë shenjat e para të politikave jo të mira të rikthyera në fund të 2018-s. Politikat e mira në 2014-n u reflektuan në 3-4 vitet pasardhëse. Nga 2018 kemi një rikthim mbrapsht, të cilat po fillojnë të japin impaktet e tyre. Me paketën e re që mendohet të hyjë në fuqi vitin tjetër do të shohim më shumë probleme.”, thekson Zusi

Sa i përket importeve si dhjetëmujor ato janë rritur me 29,5 %, krahasuar me dhjetëmujorin e parë të vitit 2020. Alban Zusi teksa flet për vitin që vjen thotë që sitiata e vështirë ekonomike nga pandemia kërkonte politika më të favorshme në sektorin e bujqësisë nga qeveria, por sipas analizës që ai bën për paketën fiskale, thotë se masat e reja do të sjellin një goditje të sektorit.

Eksportet (INSTAT)

Eksportet (INSTAT)

“Pritshmëria, për shkak të gjithë situatave ekonomike ndërkombëtare, ishte që të kishte një fokus të shtuar ndaj prodhimit dhe industrive vendase, veçanërisht në drejtim të zëvendësimit të lëndëve të para që na vijnë nga importet me lëndë të para të prodhuara në vend me mbyllje të zinxhirëve prodhues industrial brenda vendit. Paketa e re fiskale nuk e reflekton këtë pritshmëri dhe ajo çfarë bie në sy janë masa që nga njëra anë godasin prodhimin bujqësor, fermerët, sepse do të rritet kosto e shitjes së produkteve të tyre dhe me 6% të tjera dhe lëndët e para për industrinë përpunuese do të kenë një kosto 20% më të lartë për efekt taksash. Masat e tjera janë taksimi i disa produkteve të cilat janë bazike në prodhimet indtustriale të cilat japin kontribut në rritjen e eksporteve shqiptare, siç është taksimi i gazit; taksim që nuk është i zbritshëm në momentin e eksportit. Me këtë produktet shqiptare bëhen më pak konkurruese në rajon, të cilat po vinin në punë industri me goxha investime.” shpjegon Zusi.

Nëse ndalemi tek ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere, në muajin Tetor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me tetorin e vitit 2020 janë: Italia (15,2 %), Kosova (22,7 %) dhe Spanja (103,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermani (10,0 % ) dhe Mbretëria e Bashkuar (5,1 %).

Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (23,1 %), Kosova (48,2 %) dhe Spanja (45,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (20,2 %) dhe Rusia (31,9 %).

Në muajin tetor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me muajin tetor 2020 janë: Italia (19,2 %), Turqia (45,8 %) dhe Greqia (26,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania (5,2 %), Zvicra (34,5 %) dhe Austria (16,2 %).