Pandemia e koronavirusit mund t'i kushtojë turizmit global 2 trilionë dollarë të ardhura të humbura, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, të përcjellë dhe nga “Reuters”. E njëjta shumë humbi dhe në vitin 2020.

Udhëtimet e prekura nga pandemia, (Foto Deutsche Welle)

Udhëtimet e prekura nga pandemia, (Foto Deutsche Welle)

Edhe pse OBT-ja regjistroi një rritje prej 58% të prurjeve të turistëve në korrik-shtator të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kjo mbeti 64% nën nivelet e vitit 2019. Në gusht dhe shtator, mbërritjet ishin 63% më të ulëta se 2019-a, që është rezultati më i lartë mujor që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

Ndërsa Evropa dhe Amerika treguan një rritje relative gjatë tremujorit të tretë të 2021, mbërritjet në Azi dhe Paqësor u ulën deri në 95% në krahasim me vitin 2019. Një numër vendesh në Azi-Paqësor, duke përfshirë Australinë, Zelandën e Re, Singapori dhe Kina, kanë ndjekur një politikë "zero-Covid" dhe kanë vendosur kufizime të rrepta për udhëtimet ndërkombëtare.

Ndër destinacionet më të mëdha, Kroacia, Meksika dhe Turqia treguan rimëkëmbjen më të fortë në periudhën korrik-shtator. Karaibet patën rezultatet më të larta nga çdo nënrajon i përcaktuar nga OBT-ja, me prurjet e turistëve deri në 55% krahasuar me 2020.

Sipas raportit, normat e pabarabarta të vaksinimit në mbarë botën dhe variantet e reja të Covid-19 mund të ndikojnë në rimëkëmbjen tashmë të ngadaltë dhe të brishtë të sektorit të turizmit. Frika mbi variantin e ri Omicron ka nxitur kufizime të reja udhëtimi në disa vende. Po ashtu, rritja e çmimit të naftës dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit global mund të kenë një efekt në kërkesën për udhëtime.

Bota e bllokuar nga pandemia, (Foto Deutsche Welle)

Bota e bllokuar nga pandemia, (Foto Deutsche Welle)

Kreu i OBT-së, Zurab Pololikashvili, u kërkoi vendeve të harmonizojnë kufizimet e tyre pasi turistët janë të hutuar dhe nuk dinë se si të udhëtojnë. “Është një situatë shumë e paparashikueshme. Ndonëse kjo nuk është hera e parë që shpërthimi i sëmundjes ka shkaktuar ndikimin e saj në turizmin ndërkombëtar, pandemia e koronavirusit ka qenë unike në përhapjen e saj globale. Është një krizë historike në industrinë e turizmit, por përsëri turizmi ka fuqinë të rimëkëmbet mjaft shpejt”, -tha Pololikashvili, citon “AFP”.

Kufizimet e plota të udhëtimeve nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi dhjetëra shtete kanë bllokuar udhëtimet nga vendet e Afrikës së Jugut.

Në disa udhëzime të publikuara më 30 nëntor, OBSH ka njoftuar se në vend të ndalesave, shtetet duhet të praktikojnë masa të bazuara në të dhëna, duke përfshirë testimin e pasagjerëve dhe masa të karantinës, të cilat mund të zvogëlojnë transmetimin e variantit Omicron.

“Kufizimet e plota nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare dhe ato rëndojnë jetët tona”, -bëri të ditur OBSH, duke shtuar se kufizimi i fluturimeve nga vendet si Afrika e Jugut ndëshkon padrejtësisht këtë shtet pse ka qenë transparent për emergjencën e variantit të ri.

Sipas OBT-së, prurjet ndërkombëtare të turistëve këtë vit do të mbeten 70-75% më pak se 1.5 miliardë prurjet e regjistruara në 2019-n përpara pandemisë, një rënie kjo e ngjashme me atë të vitit 2020.

Sektori global i turizmit humbi 2 trilionë dollarë të ardhura vitin e kaluar për shkak të pandemisë, duke e bërë atë një nga sektorët më të goditur nga kriza shëndetësore.

Ndërsa ky organ i OKB-së i cili ka për detyrë promovimin e turizmit, nuk ka një vlerësim se si do të performojë sektori vitin e ardhshëm, perspektiva e tij afatmesme nuk është inkurajuese.

“Pavarësisht përmirësimeve të fundit, shifrat e pabarabarta të vaksinimit në mbarë botën dhe variantet e reja Covid, si Delta dhe Omicron, mund të ndikojnë në rimëkëmbjen tashmë të ngadaltë dhe të brishtë”, -thuhet në një deklaratë. “Futja e kufizimeve dhe izolimeve të reja për shkak të virusit në disa vende gjatë javëve të fundit tregon se situata është shumë e paparashikueshme”, -tha për “AFP” kreu i OBT-së, duke shtuar se shpreson se 2022 do të jetë goxha më i mire.

Turizmi ndërkombëtar është goditur nga shpërthimi i sëmundjeve edhe në të kaluarën, por koronavirusi është i paprecedentë përsa i përket përhapjes së tij gjeografike. Sipas OBT-së, përveç kufizimeve të udhëtimeve të lidhura me virusin, ky sektor po përballet gjithashtu me shtrëngimin ekonomik të shkaktuar nga pandemia, me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit.

Kufizimet e fluturimeve, (Foto ryocus)

Kufizimet e fluturimeve, (Foto ryocus)

Prurjet e turistëve ndërkombëtarë u shtuan gjatë sezonit të verës në hemisferën veriore falë rritjes së besimit te udhëtimet, vaksinimit të shpejtë dhe lehtësimit të kufizimeve të hyrjes në shumë vende.

“Pavarësisht përmirësimit në tremujorin e tretë, ritmi i rimëkëmbjes mbetet i pabarabartë në të gjithë rajonet e botës për shkak të shkallëve të ndryshme të kufizimeve të lëvizjes, shifrave të vaksinimit dhe besimit të udhëtarëve”, -shtoi organizata.

Prurjet në disa ishuj në Karaibe dhe Azinë Jugore, si dhe në disa destinacione në Evropën Jugore, iu afruan ose në disa raste edhe i tejkaluan nivelet para pandemisë përgjatë tremujorit të tretë.

Megjithatë, vendet e tjera vështirë se patën ndonjë turist, veçanërisht në Azi dhe Paqësor, ku prurjet ranë 95% krahasuar me 2019-n, pasi shumë destinacione mbetën të mbyllura për udhëtimet jo të rëndësishme.

Sipas OBT-së, një total prej 46 destinacionesh, 21% e të gjitha destinacioneve në mbarë botën, aktualisht i kanë kufijtë e tyre plotësisht të mbyllur për turistët. Kufijtë janë të mbyllur pjesërisht për vizitorët e huaj në 55 destinacione të tjera, ndërsa vetëm katër vende kanë hequr të gjitha kufizimet e lidhura me virusin, Kolumbia, Kosta Rika, Republika Domenikane dhe Meksika.

Përgatiti: Irma Paloli