Prej 12 vitesh “BOLT shpk” është një kompani që operon në tregun e dizenjimit dhe prodhimit të produkteve të arredimit, duke përfshirë arredimin e apartamenteve, vilave, hoteleve, bareve, restoranteve, zyrave, institucioneve arsimore etj. Kompania është kthyer në një vend punësimi për dhjetra persona dhe ka tërhequr vëmendjen përtej Shqipërisë. “Bolt shpk” është një kompani që operon në tregun e dizenjimit dhe prodhimit të produkteve të arredimit.

Sipërmarrësi Bardhyl Beqiri tregon një një intervistë për Radio Ejani fillimet e këtij biznesi dhe ecurinë përgjatë viteve.

“Bolt sh.p.k është një kompani e themeluar në vitin 2009, një kompani e cila në objektin e vet ka arredimin e hoteleve, bareve, restoranteve, vilave, institucioneve të ndryshme dhe shkollave. Është një kompani që sot po krijon një brand jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Bolt sot ka një staf prej më shumë se 40 punonjësish. Ka një staf tepër profesional në nivel drejtimi, të cilët i përgjigjen në mënyrë dinamike kërkesave të klientëve. “ – thotë Beqiri.

Cilësia nuk është tashmë e vërtetuar vetëm nga klientët të cilët janë besnikë të arredimeve “Bolt”, por edhe nga çmimet e dhëna nga institucione të ndryshmë ndërkombëtare. Të gjitha produktet janë të certifikuara sipas standarteve ISO të lëshuara nga institucione ndërkombëtare të akredituara.

“Bolt krijon një dizenjim bashkëkohor dhe ofron produkte tepër cilësore për fushën e arredimit. Është pjesëmarrëse në shumë panaire, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë. Është fituese e disa çmimeve të cilat e kanë bërë krenarë jo vetëm firmën, por dhe stafin dhe gjithë nivelin e drejtimit dhe e ka motivuar për të arritur dhe për të krijuar në vijimësi cilësi dhe garanci te klientët.”

Nga një kompani e vogël sot “Bolt” ka një shtrirje të gjerë të aktivitetit në vende të ndryshme të botës.

“Fusha jonë e veprimtarisë nuk është e shtrirë vetëm në Shqipëri dhe vendet e rajonit, por edhe në tregun europian dhe më gjerë. Kemi eksportuar në Amerikë, Gjermani, Itali, Belgjikë dhe ka kërkesë në vijimësi për arredim hotelesh në vendet e BE si dhe në Amerikë”, thotë Beqiri.

Lënda e parë merret tek kompani prestigjioze të cilat garantojnë cilësinë. Më pas ato përpunohen me mjështëri nga stafi i “Bolt” pranë punishtes së mobiljeve.

“Bashkëpunimi me kompani lider në Europë për aksesorë dhe për lëndën e parë krijon një garanci të jashtëzakonshme të klientët tanë. Krijon një besim për të mbajtur të gjatë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me ta në produktet që na ofrojnë”, bën të ditur sipërmarrësi shqiptar.

Periudha e pandemisë stepi interesin për arredime dhe kjo soli një dëmtim për biznesin e sipërmarrësit Beqiri, por shpresat janë për rikuperim të shpejtë dhe kthim në normalitet.

“Shpresojmë që kjo lloj dinamike, kjo lloj rritje e aktiviteit prodhues dhe tregtues të vazhdojë me ritme akoma më të shpejta pas pandemisë dhe pas kësaj situate që kemi kaluar. Shpresojmë shumë që në të ardhmen të jemi jo vetëm të fokusuar në fushën e dizenjimit dhe prodhimit të produkteve të arredimit, por edhe të tregtimit të materialeve të tjera të cilat i shërbejnë indirekt interesit të klienteve në fushën e arredimit. Shpresojmë dhe besojmë shumë që kjo ecuri të vazhdojë me ritme të shpejta dhe falë stafit drejtues, falë menaxhimit do të arrijmë dhe të kapërcejmë objektivat që ne i kemi vënë vetes”, shprehet Beqiri.

Nëse keni në mendje një ide, projekti realizohet më së miri nga ekipi i “Bolt”. E nëse po hasni vështirësi në gjetjen e projektit më të përshtatshëm sërish “Bolt” me ekipin e arkitektëve dhe inxhinierëve, do të nxjerrin më të mirën për ju.