66% e të totalit të të intervistuarve apo (2 në 3 banorë), janë përgjigjur se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë. Ky është vetëm një nga konkluzionet qe nxjerr studimi sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri i kryer nga Programi «Economy for All», një iniciativë e Fondacionit «Friedrich Ebert» që synon të ridimensionojë rolin e aktorëve ekonomikë dhe shoqërorë për të hedhur bazat e krijimit të një modeli të ri social-ekonomik.

Studimi (Fondacioni F.E)

Studimi (Fondacioni F.E)

Gjithashtu, opinioni publik (43.50%) beson se politikat e derisotme në Shqipëri u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Debati mbi pabarazitë është një temë qendrore në debatin e sotëm politik global dhe pikërisht këtu është përqëndruar edhe ky studim. Ka një ndjesi gjithnjë në rritje se të varfërit po lihen pas nga të pasurit, të moshuarit nga të rinjtë, periferitë nga metropolet, individët pa shkollë nga ata me shkollime të mira, vendet e varfra nga vendet e pasura.

Hendeku ekonomik dhe social ndërmjet kombeve, rajoneve dhe grupeve sociale po thellohet. Ky problem ndeshet gjerësisht edhe në Shqipëri dhe debatet mbi pabarazitë në rritje dhe varfërinë janë shumë të pranishme në shoqëri. Edhe ky studim konfirmon se publiku ka qartazi një perceptim se shpërndarja e pasurisë dhe e të ardhurave ka krijuar pabarazi të mëdha dhe se kjo përbën një shqetësim serioz për kohezionin social.

Pyetjes «A po bëhet shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë?», rreth 70% e të intervistuarve i janë përgjigjur se «pajtohen plotësisht» dhe 92% i janë përgjigjur «po dhe më shumë po». Përgjigjet e dhëna nuk shfaqin dallime të rëndësishme sipas gjinisë, nivelit të të ardhurave, grupmoshës apo vendbanimit. Ky nivel kaq i lartë perceptimi mbi asimetrinë e shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë është realisht shqetësues. Publiku e shikon shtetin më shumë si një instrument në duart e biznesit sesa si një aktor që ruan ndershmërisht balancën ndërmjet punës dhe kapitalit. Më shumë se 75% e të intervistuarve besojnë se shteti anon më së shumti në favor të kapitalit. Ky perceptim ndeshet njësoj midis gjithë kategorive të popullatës së intervistuar.

Daniel Guçe ekspert i ekonomisë (Facebook)

Daniel Guçe ekspert i ekonomisë (Facebook)

Daniel Guçe, një nga nga ekspertët pjesë e këtij studimi, thotë se shkaqet e varfërisë janë të ndryshme

“Problemi i varfërisë është një nga fenomenet aktuale në Shqipëri. Që pas viteve ’90 dhe psë kishim një rritje ekonomike të konsiderueshme prap mbi 50% e popullatës jetontë në varfëri. Shkaqet janë të ndryshme duke përfshirë ato demografike, zhvillimi teknologjik dhe politikat globale, por varfëria nuk lidhet gjithmonë drejtpërdrejt me mungesën e punësimit, por edhe me cilësinë e punësimit dhe trajtimit të pagave. Dy nga faktorët më aktualë, pandemia dhe tërmeti i vitit 2019 e kanë rritur numrin e familjeve të cilat jetojnë në varfëri. Një nga shqetësimet e publikut në këtë studim ishte dhe politikat e sotme, sistemi i sotëm favorizon më shumë sektorin privat. Shteti duhet të balancojë pjesën midis kapitalit edhe punës. Përsa i përket politikave fiskale ose amnistitë që janë bërë, reduktimi i TVSH-së apo reforma të tjera në favor të sipërmarrjes nuk është përkthyer në riinvestime te kompanitë, duke përfshirë dhe kualifikimin e tyre dhe rritjen e pagave por ka qenë më shumë për të pasuruar veten e tyre sesa duke riinvestuar këtë kapital tek biznesi.” - shprehet eksperti Guçe.

Debati publik sipas ekspertëbe duhet orientuar rreth mënyrës se si mund të reformohet sistemi i sotëm ekonomik, në mënyrë që të jetë më i balancuar nga pikëpamja e interesave social

“Ka patur një rritje ekonomike të vazhdueshme por jo gjithmonë rritja ekonomike çon në një zhvillim ekonomik në një standard të cilësisë së të jetuarit. Rritja ekonomike duhet të jetë duke patur një plan gjithëpërfshirës të të ardhurave, të gjitha grupeve të shoqërisë, duhet të reduktohet pabarazia e politikave sociale dhe reduktimi i varfërisë” – thotë eksperti Guçe.

Ky studim i bazuar në matjen e perceptimeve të publikut, si dhe në vlerësimet empirike dhe teorike tregon se mënyra e funksionimit të sistemit ekonomik është shumë e anësuar. Rritja ekonomike gjatë tri dekadave të tranzicionit, edhe pse ka sjellë njëfarë progresi për shoqërinë në tërësi, ka rezultuar në prapambetje të grupeve të mëdha shoqërore. Ndarja e të ardhurave të krijuara nga kjo rritje ekonomike vlerësohet se ka favorizuar më shumë kapitalin dhe më pak punën, dhe rritja e produktivitetit në ekonomi mund të mbështetë nivele më të larta pagash. Si rrjedhojë, ndërhyrja e politikave publike për të garantuar një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave është mjaft e motivuar. Nga ana tjetër, vetë procesi i krijimit të pasurisë konsiderohet si i padrejtë. Kjo do të thotë se jo vetëm rezultati i ndarjes së të ardhurave, por dhe procesi që e krijon atë, konsiderohet si shoqërisht i padrejtë. Kështu, ka dhe një argument më shumë për politika rishpërndarjeje, të cilat gjejnë mbështetje të gjerë nga të gjitha forcat e spektreve ideologjike të ndryshme. Korrektimi i sistemit kërkon reforma serioze për ndryshimin e qeverisjes ekonomike në shumë nivele dhe një rol aktiv të institucioneve publike. Sipas raportit mbështetja sociale duhet konceptuar jo nëpërmjet paternalizmit, por nëpërmjet aftësimit të individit dhe pavarësimit të tij. Investimet dhe ndërhyrjet publike duhet të synojnë krijimin e shanseve të barabarta, duke shtuar veçanërisht investimet për edukimin dhe aftësimin profesional, veçanërisht të familjeve në nevojë. Nga ana tjetër, transferimi i pasurisë nga njëri brez në tjetrin nuk duhet të krijojë hendeqe të mëdha midis grupeve shoqërore që në nisje. Rritja e mobilitetit social duhet të jetë një objektiv me rëndësi për politikat publike.

“Disa nga rekomandimet është rishikimi i politikave për sa i përket shpërndarjes së të ardhurave, pra gjithë proceset që gjenerojnë pabarazi. Një rekomandim tjetër që është i rëndësishëm është për sa i përket politikave fiskale dhe buxhetit duke i parë ato në kërkime dhe analiza për t’i parë në një plan më afatgjatë. Një risi që sjell ky studim është sugjerimi për të krijuar një komitet apo end i pavarur i cili nëpërmjet një komiteti ekspertësh vlerëson në plan afatgjatë buxhetin e shtetit, pra një plan tre vjeçar si dhe rishikimin e kontratave koncesionare për të minimizuar riskun në plan afatgjatë. Gjithashtu një rekomandim tjetër ka të bëjë me ligjin e investimeve strategjike, ato kushtëzohen përsa i përket formës kapitale, vlerës se sa ato duhet të investojnë në Shqipëri. Ky studim nëpërmjet rekomandimeve sugjeron që të mos bazohen vetëm te forma e kapitalit apo te masa e kapitalit që duhet të investojnë, por tek knoë-hoë që sjell në Shqipëri nëpërmjet teknologjisë më të fundit që duhet të investojnë në Shqipëri, nëpërmjet kualifikimit të punonjësve dhe pagave të tyre, patentave që sjellin në Shqipëri por gjithashtu një rekomandim është që këto sipërmarrës, investimet e huaja që vijnë në Shqipëri duhet të paktën të nënkontraktojnë furnitorët të jenë lokalë. Një rekomandim tjetër ka të bëjë me auditimin e sipërmarrjeve apo tenteve dhe publike për sa i përket bilanceve duke minimizuar evazionin fiskal që ka qenë i vazhdueshëm.” – thote eksperti

Studimi i Fondacioni Friedrich Ebert (Fondacioni)

Studimi i Fondacioni Friedrich Ebert (Fondacioni)

Gjithashtu në rekomandim theksohet se Investimi për edukimin e të rinjve dhe integrimin e tyre në tregun e punës është një nga prioritetet më absolute për shoqërinë. Sot ka më shumë se 250 mijë të rinj që nuk ndodhen as në bankat e shkollave, as në marrëdhënie pune. Kualifikimi tyre me aftësi profesionale dhe integrimi në tregun e punës janë sfida serioze, parë dhe në kontekstin e një ekonomie të bazuar në standarde më të larta teknike e teknologjike. Gjithashtu, mbyllja për shkak të pandemisë së COVID19-s ka ndikuar në cilësinë e edukimit dhe aftësimin e studentëve, që me gjasa do të lënë gjurmë afatgjata duke ndikuar në të ardhurat e tyre. Forcat politike duhet të ndërmarrin masa kurajoze për financimin e arsimit ose nëpërmjet skemës së taksimit të përgjithshëm, që do të thotë të rikonsiderojnë sistemin tatimor për rritjen e ndjeshme të të ardhurave të buxhetit, ose nëpërmjet tarifave më të larta dhe subvencioneve reale për studentët nga shtresat në nevojë. Nga ana tjetër, indikatorët e cilësisë së sistemit arsimor dhe treguesit e performancës së çdo institucioni arsimor duhet të fillojnë të zbatohen për përfitimin e financimeve publike nga institucionet publike të arsimit. 6 Impaktet e ndryshimeve teknologjik.