Qeveria shqiptare ka përmbyllur emetimin e Eurobondit në vlerën 650 milionë euro. Eurobondi është emetuar me një afat maturimi 10-vjeçar, kupon prej 3.5 për qind dhe normë interesi afatgjatë 3.75 për qind. Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se afati i maturimit 10-vjeçar është maturimi më i lartë që Shqipëria ka marrë deri më sot në daljet e saj në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Ministrja e ekonomisë dhe financave Delina Ibrahimaj (noa.al)

Ministrja e ekonomisë dhe financave Delina Ibrahimaj (noa.al)

Sipas ministres, emetimi i Eurobondit ka një rëndësi të madhe jo vetëm për sigurimin e likuiditeteve të nevojshme për financimin e nevojave të qeverisë shqiptare për vitin 2021 dhe vitin 2022, por edhe për garantimin e prezencës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe garantimin e besimit të investitorëve të huaj për qeverinë shqiptare.

Sipas të dhënave të dikasterit të financave interesi për Eurobondin ishte i lartë. 114 investitorë u interesuan dhe ofruan vlera që arritën mbi 1 miliardë euro, rreth 63 për qind më shumë krahasuar me shumën e alokuar prej 650 milionë euro. “Pra, interesi i investitorëve të huaj konfirmoi edhe njëherë interesin e fortë të tregjeve ndërkombëtare për titujt shqiptarë, por edhe të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë tonë. Gjithashtu, përpara daljes në Eurobond, na u rikonfirmuan nga agjencitë e vlerësimit ndërkombëtar vlerësimet e mëparshme për ekonominë shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.

Pavarësisht se borxhi publik është rritur në dy vitet e fundit, ndikuar nga nevoja për të përballuar goditjet e pandemisë COVID 19 dhe tërmetit të vitit 2019, Ministrja Ibrahimaj tha se është e rëndësishme që të analizohet se si borxhi përkthehet në investime dhe rritje ekonomike.

“Vlera e investimeve për çdo 100 lekë borxh është dyfishuar në krahasim me periudhën 2005-2013. Ndërkohë, në vitin 2019 është arritur performanca më e mirë e këtij treguesi, ku për çdo 100 lekë hua të marrë ka pasur një përkthim në investim në 890 lekë. Ndonëse në vitin 2020 ky raport nuk mund të mbahej, pas situatës së vështirë ekonomike, që prej vitit 2021, por edhe në parashikimet tona në projektbuxhetin afatmesëm, pra deri në vitin 2024, ky raport pritet të rikuperohet duke qenë se investimet publike ndaj GDP do të vijojnë të mbajnë një peshë të konsiderueshme ku për vitin 2022 kjo peshë është 6.4 % e GDP”, tha Ministrja.

Ndërsa ritheksoi faktin se një pjesë e Eurobondit do të përdoret për të financuar projektet e nisura në sektorë prioritarë si infrastruktura, arsimi apo shëndetësia, ministrja Ibrahimaj tha se rënia graduale e borxhit publik do të mbetet një prioritet i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe qeverisë shqiptare.

E pyetur nga gazetarët se përse vendet e rajonit marrin eurobond me normë interesi më të ulët se Shqipëria, Ibrahimaj tha se nuk duhet të krahasohemi me vendet e rajonit, por me veten.

“Nëse do të këmi një bazë krahasimi është e rëndësishme të jetë me vendin tonë dhe me performancën tonë në të gjithë vitet e kaluara. Cdo vend ka profilin e vet ekonomik dhe social dhe këto krahasime duhen bërë gjithmonë me performancën e vetë ekonomisë.”- vijoi Ibrahimaj.

Mediat vijojnë të jenë skeptike për përdorimin e eurobondit, edhe për këtë ministrja ka dhënë sqarime.

“Eurobondi do të shkojë për të financuar nevojat e buxhetit për këtë vit dhe për vitin 2022, kryesisht pjesa më e madhe e tij do të jenë projekte për vitin 2022”- shtoi Ibrahimaj.

Por a do të shërbejë Eurobondi për të mbuluar defiçitin?

“Është e mira që ky deficit i lartë të përdoret për rritje ekonomie. Deficiti këtë vit parashikohet të jetë në nivelin 6.8%. Ne kemi vendosur që të rrisim deficitin dhe huamarrjen me qëllim që t’i japim stimuj fiskalë ekonomisë, që janë materializuar që tani në rritje ekonomike.”- thotë ministrja.

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj (opinion.al)

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj (opinion.al)

Teksa në parlament diksutohej dhe do të votohej buxheti 2022 dhe paketa fiskale, edhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e quajti sukses eurobondin e ri. Sipas Ahmetajt, Shqipëria sërish kaloi një rekord qoftë në daljen e një instrumenti afatgjatë, është hera e parë që Shqipëria nxjerr një eurobond prej 10 vitesh, me një kupon 8.5% dhe një interes 3.75%.

“Momenti i diskutimit të buxhetit 2022 bëhet menjëherë pas daljes së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare për një shumë prej 650 milion eurosh me një instrument eurobond 10 vitesh. Çdo herë testohemi, testohemi në tregun ndërkombëtar në sytë e investitorëve të cilët në genetikë të tyre janë akull të ftohtë, pra nuk e diskutojnë Shqipërinë me asnjë emocion, por me të vetmin emocion, atë të kompanive që e rankojnë, e vlerësojnë Shqipërinë në aspektin makroekonomik, institucional, monetar. Testi, megjithëse i vështirë, kaloi me shumë sukses. Shqipëria sërish kaloi një rekord qoftë në daljen e një instrumenti afatgjatë, është hera e parë që Shqipëria nxjerr një eurobond prej 10 vitesh, me një kupon 8.5% dhe një interes 3.75%. Ekonomia shqiptare kaloi një periudhë jashtëzakonisht të vështirë, gjatë tërmetit dhe pandemisë. Të dyja lënë të gjitha gërvishjet afatgjata në fytyrën e një ekonomie, por mënyra sesi i kemi trajtuar, mënyra sesi e kemi furnizuar ekonominë, mënyra sesi jemi zgjeruar në mënyrë të maturuar tregon që kjo maxhorancë, kjo qeveri, në fakt dhe Shqipëria vetë ka arritur në maturim në aspektin e konsolidimit fiskal dhe papërgjegjshmëria fiskale është lënë mbrapa vite pas.” – theksoi Ahmetaj.

Edhe ekspertët kanë deklaruar për mediat se Eurobondi i ri ka disa risi qoftë në kohëzgjatje por edhe në norma interesi dhe kjo e poziconon në nivele të mira.