Në kohën kur bizneset gjithnjë e më shumë po hedhin sytë nga pavarësia e energjisë elektrike, duke krijuar mekanizmat e prodhimit vetë, subjektet që merren me instalimin e paneleve fotovoltaike kanë disa pakënaqësi me ligjin aktual dhe kërkojnë ndërhyrje.

Grupi i instalatorëve fotovoltaik ka bërë kërkesë zyrtare për përmirësimin e legjislacionit në lidhje me vet-prodhuesit e energjisë elektrike. Letra i është drejtuar institucioneve përkatëse: Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Për këtë kërkesë është vënë në dijeni dhe Kryeministria, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në letrën drejtuar autoriteteve përkatëse janë shkruar propozimet dhe komentet se si do të ndikonin në situatën energjitike në vend këto ndryshime. Kërkesa e parë është implementimi i menjëhershëm i bilancit vjetor të energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet fotovoltaike për vet-konsum. Në fillim sqarohet se si ka funksionuar deri më tani ligji.


“Ligji për prodhimin për vetë-konsum nënkupton që konsumatori mund të prodhojë energji elektrike me anë të impiantit fotovoltaik me fuqi mjaftueshëm për të mbuluar konsumin e vet. Bilanci i energjisë së prodhuar me energjinë e konsumuar bëhet mujor dhe në rastet kur konsumatori ka prodhuar më tepër nga sa ka konsumuar, atëherë kjo tepricë “dhurohet” në rrjet. Gjatë verës prodhimi është shumë më i lartë se konsumi, kurse në dimër është e anasjellta. Prandaj, sistemi me bilanc mujor nuk është aspak eficient dhe ne si grup kërkojmë që të ndryshohet dhe të vendoset bilanci vjetor. Në këtë mënyrë teprica e verës mund të përdoret në dimër dhe konsumatori zeron faturën e energjisë elektrike. Për momentin ligji parashikon një limit fuqie të instaluar për vet-prodhuesit, që është 500 kwp. Por, ky limit penalizon biznesin e madh, që ka konsum shumë më të lartë se kaq. Duke u bazuar në konsumin e biznesit të madh dhe nga eksperienca e kompanive fotovoltaike në këtë fushë, propozojmë që limiti të shkoj 1000 kwp.”- thuhet në kërkesat zyrtare.


Një tjetër pikë e rëndësishme është dhe procedura e aplikimit për lejet përkatëse që të instalohet një impiant fotovoltaik. Për këtë pjesë janë bërë 2 propozime: E para është krijimi i një platforme online ku mund të kryhen aplikimi dhe dërgimi i dokumentacionit të nevojshëm dhe e dyta, është thjeshtëzimi i procedurave për lidhjen me rrjetin për impiantet fotovoltaike të vogla rezidenciale. Procedura që aplikohet momentalisht është e njëjtë si për një impiant të vogël 3 kwp dhe për një impiant fotovoltaik 500 kwp. Në letër theksohet se është e kuptueshme që një ndryshim është shumë i nevojshëm sepse kjo po ndikon që një pjesë e mirë e konsumatorëve të tërhiqet, si edhe vetë kompanitë pasi humbasim shumë kohe dhe për më tepër nevojitet gjithë ekipi i angazhuar. Skema mbështetëse për konsumatorët, sidomos për familjarët janë një plus i madh që rrisin investimet në këtë sektor.

Gjithashtu nga qeveria kërkohet të zgjidhet problem për bizneset që nuk kanë sipërfaqe për vendosjen e paneleve. Për këtë kategori propozohet instalimi i paneleve në zona të distancuara.


“Nga eksperiencat tona në terren, ka shumë konsumatorë që vuajnë nga mungesa e sipërfaqes. Kanë mundësinë financiare, por jo hapësirën e nevojshme për të mbuluar konsumin e tyre. Pasi e shtruam si problematikë, arritëm në përfundimin që zgjidhja e këtij problemi është lejimi instalimeve në distancë. E fundit, por jo nga rëndësia është dhe përcaktimi i sasisë së emetimeve të CO2 të evituar për çdo kËh të prodhuar nga impiantet fotovoltaike.”


Eksperti për çështjen e energjisë, Lorenc Gordani thotë për mediat se në këtë periudhë kanë një rëndësi shumë të madhe investimet në energjinë e rinovueshme.


“Ka ardhur momenti që gjithçka të vihet në lëvizje. Duhet të ketë një ndryshim të marshit sepse sigurisht ne kemi filluar në këtë drejtim, kemi ndërmarrë disa hapa. Këto hapa që ne kemi ndërmarrë na kanë rritur edhe kostot njëkohësisht sepse kemi krijuar disa entitete, disa grupe, disa lëvizje janë bërë brenda mënyrës sesi menaxhohet struktura e tregut aktual, të cilat sigurisht nëse nuk plotësohen do të thotë që ne kemi rritur vetëm detyrimet dhe akoma nuk po marrim përfitimet. Në këtë moment unë besoj se shumë kompani do të fillojnë të shikojnë seriozisht sesi mund të nxjerrin më të mirën me kuadrin aktual që ne kemi. Këto biznese do të shikojnë ta prodhojnë vetë energjinë ose të gjejnë mënyra të menaxhimit të kërkesës që ato kanë, duke spostuar kërkesën, por edhe autoritetet duhet t’i përgjigjen, duhet të vendoset një fashë orari në bazë të orarit të konsumit. Biznesi e sposton ciklin e vet të prodhimit në një moment tjetër kur çmimi më i ulët, kështu kostot e energjisë dalin më të ulëta.”- shprehet Gordani


Gjithashtu Gordani flet për kapacitetet që ka Shqipëria në sigurimin e energjisë nga dielli apo era.


Pikërisht ajo që neve na mungon mund të plotësohet vetëm nëse instalojmë me 5 km katror me panele fotovoltaike. Ne do të plotësonim të gjithë pjesën që na mungon të energjisë elektrike, që do të thoshte se ne do ta kishim këtë kontribut në momentin që nuk kemi atë që vjen nga hidro.”


Sipas bizneseve që sot merren me instalimin e impanteve fotovoltaike këto politika jo vetëm që do ndihmojnë konsumatorin shqiptar, por dhe do të lehësojnë krizën energjitike. Shqipëria ka potencial të madh dhe me politikat e duhura mund të arrihet jo vetëm të mbulojmë gjithë konsumin tonë, por pse jo dhe të shesim energji në shtetet fqinje.