Më 15 nëntor, Bursa e Pekinit filloi zyrtarisht nga funksionimi. Ky është një vendim i rëndësishëm nga Kina, që synon formimin e modelit të ri të zhvillimit dhe zhvillimin me cilësi të lartë. Kjo ka rëndësi të madhe për formimin e një tregu kapitalesh me shtresa të shumta, për përsosjen e sistemit të financimit për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe për zhvillimin e drejtuar nga inovacioni dhe ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik.

Ndër 81 ndërmarrjet e regjistruara në Bursën e Pekinit, numri i ndërmarrjeve “profesionale, mjeshtërore, speciale dhe inovative” i ka kaluar 50 %. 13 ndërmarrje janë vlerësuar si “gjigant i vogël” në rang kombëtar, duke zënë 18.31%, ndërsa 31 ndërmarrje janë cilësuar “gjigant i vogël” në rang province. Të gjitha këto ndërmarrje janë përshtatur me standardin “profesionale, mjeshtërore, speciale dhe inovative”. Ky është një nga synimet kryesore të formimit të Bursës së Pekinit, pra që të krijohet një platformë kryesore shërbimesh për ndërmarrjet e vogla e të mesme inovative.

Në mbledhjen e Byrosë Politike të PPK-së të zhvilluar më 30 korrik, është vënë në dukje që, për zhvillimin me cilësi të lartë, duhet të forcohet inovacioni teknologjik dhe elasticiteti i zinxhirit të prodhimit dhe të furnizimit, duhet të shtohen studimet bazë, të nxiten studimet e aplikimit, të zhvillohen veprimet e posaçme për plotësimin e zinxhirit, të zgjidhen shpejt problemet kyçe teknologjike dhe të ofrohet mbështetje për ndërmarrjet “profesionale, mjeshtërore, speciale dhe inovative”.

Kapitulli i ri i shërbimeve për ndërmarrjet e vogla e të mesme inovative

Fillimi nga funksionimi i Bursës së Pekinit në fakt është fillimi i shërbimeve nga tregu i kapitaleve për ndërmarrjet e vogla e të mesme inovative.

Më 9 shtator 2021 u shpall që do të krijohet Bursa e Pekinit. Nga shpallja deri në regjistrimin e hartimin e rregullores dhe deri në hapjen zyrtare, janë dashur vetëm 75 ditë. Kjo është vlerësuar si shpejtësia e re e reformës në tregun e kapitaleve të Kinës.

Synimi i Bursës së Pekinit është shumë i qartë: ofrimi i shërbimeve për ndërmarrjet e vogla e të mesme inovative, respektimi i ligjit për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme inovative dhe shtimi i gjithëpërfshirjes dhe saktësisë në sistemin përkatës.

Në fakt, Bursa e Pekinit ofron shërbime për ndërmarrjet e vogla e të mesme. Në krahasim me bursat e Shangait dhe Shenzhenit, të cilat kanë caktuar si prag të regjistrimit të ardhurat prej 1 miliard juanësh, Bursa e Pekinit ka vendosur katër standarde të ndryshme, që përqendrohen përkatësisht te vlera e tregut, aftësia e marrjes së fitimeve, aftësia e rritjes e aftësia e inovacionit. Sipas këtyre standardeve, pragu i regjistrimit është përkatësisht 200 milionë, 400 milionë, 800 milionë dhe 1.5 miliardë juanë. Kjo ka treguar veçantinë e Bursës së Pekinit me tiparet e tolerancës, shkathtësisë e gjithëpërfshirjes.

“Bursa e Pekinit është një reformë e madhe që ndikon në tërë tregun financiar dhe gjendjen financiare të mbarë vendit. Krijimi i saj është rrugëdalja dhe shpresa e ndërmarrjeve të vogla e të mesme të Kinës,” u shpreh Huo Xuewen, drejtori i Drejtorisë së Financave në Bashkinë e Pekinit. Sipas tij, synimi i krijimit të Bursës së Pekinit është që të krijohet një zonë me shërbim për ndërmarrjet e vogla e të mesme inovative. Kjo është edhe ëndrra për ndërmarrjet e tilla në mbarë vendin.

Presidenti i Bursës së Pekinit Xu Ming u shpreh që “shpirti” i Bursës së Pekinit janë shërbimet e posaçme. Në Bursën e Pekinit do të ofrohen shërbimet e posaçme për ndërmarrjet e vogla e të mesme inovative, do të eksplorohen sisteme politikash, rregullash e shërbimesh që përshtaten me zhvillimin inovativ të ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe do të bëhen përpjekje të vazhdueshme në drejtim të gjithëpërfshirjes, saktësisë, inovacionit dhe gjallërisë.

Nisja e funksionimit të Bursës së Pekinit ka krijuar një platformë të rëndësishme për ndërmarrjet e vogla e të mesme. Kjo platformë mund të shihet si një çmim që u jepet atyre ndërmarrjeve që i kanë kushtuar rëndësi inovacionit në të kaluarën dhe kanë ofruar një hapësirë më të madhe zhvillimi. Por plani më i madh është që, nëpërmjet kësaj platforme, Bursa e Pekinit, që tani është një “gjigant i vogël”, të rritet e të kthehet në një gjigant të vërtetë. (Jiang Lei)