2020-a, mes koronavirusit dhe bllokimit, ishte viti i tmerrshëm për të gjithë, duke përfshirë edhe industrinë e argëtimit. Por, gjithsesi nuk mund mos të të bjerë në sy dhe të të godasë fakti që efektet e mbylljeve në të drejtën e autorit shkaktuan rënien me 9.9% të këtij biznesi në rang global, për një humbje prej rreth një miliard euro.

Raporti për të drejtën e autorit (Cisac)

Raporti për të drejtën e autorit (Cisac)

Në përgjithësi, krijuesit e arteve muzikore, audiovizive, pamore, teatrit dhe letërsisë kanë fituar 9.32 miliardë euro. Të dhënat vijnë nga botimi i fundit i Raportit të Koleksioneve Globale nga “CISAC”, Konfederata Ndërkombëtare e Shoqatave të Autorëve dhe Kompozitorëve për të drejtat e autorit.

“CISAC” është rrjeti kryesor në botë i Shoqërive të Autorëve, të referuara gjithashtu si Organizatat e Menaxhimeve Kolektive. Me 228 kompani anëtare në 120 vende, “CISAC” përfaqëson më shumë se katër milionë krijues të muzikës, veprave audiovizuale, teatrit, letërsisë dhe arteve pamore.

Për fat të mirë, ndërsa teatrot dhe sallat ishin mbyllur, publiku në shtëpi përdori shumë platformat e transmetimit audio dhe video. Humbjet janë zbutur pjesërisht nga një rritje e ndjeshme e honorareve të lidhura me digjitalin, të cilat pasqyrojnë një aktivitet të fortë licencimi nga shumë kompani grumbulluese në mbarë botën.

Të ardhurat nga shfaqjet publike dhe ato “live” ranë me 45 për qind në 1.6 miliardë euro, me një rënie të vlerësuar prej 55 për qind në fitimet për koncertet “live”. Materialet digjitale, nga ana tjetër, u rritën me 16.6% në 2.4 miliardë euro.

Transmetimi i radios dhe televizionit, burimi i të ardhurave më të larta për krijuesit, ra me 4.3% në 3.7 miliardë. Të ardhurat nga përdorimi i veprave muzikore, që përfaqësojnë 88% të totalit, ranë me 10.7% në 8.19 miliardë, kryesisht për shkak të ambienteve të mbyllura.

Raporti i “CISAC” analizon ndikimin e ndryshëm të Covid-19 sipas rajonit dhe sektorit, rolin jetik të mbështetjes afatgjatë të qeverisë dhe masat e vendosura për krijuesit e veprave nga e drejta e autorit, humbjet e vazhdueshme të shkaktuara nga bllokimet dhe perspektivat për rimëkëmbjen në vitin 2022.

Përgjigjet strategjike ndaj pandemisë janë theksuar në rastet studimore të Brazilit, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Koresë së Jugut, Meksikës, Senegalit, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Vietnamit.

Raporti tregon gjithashtu se si Covid ka përshpejtuar kalimin në digjital në përzierjen e përdorimeve që prodhojnë pagesa për krijuesit. Por shumica dërrmuese e krijuesve ende fitojnë të ardhura margjinale nga digjitali, që përbën pak më shumë se një të katërtën e të ardhurave në nivel global.

Për presidentin e “CISAC”, Bjorn Ulvaeus, krijuesit sot punojnë në një ekosistem të padrejtë. “Nëse pranojmë se kënga apo vepra krijuese e çdo repertori është themeli i industrive krijuese, atëherë pse pranojmë pothuajse padukshmërinë e krijuesit në zinxhirin e vlerës tregtare?”, -shtron pyetjen Ulvaeus.

Drejtori i përgjithshëm i “CISAC”, Gadi Oron, komenton: “Pas shumë vitesh rritjeje të qëndrueshme, Covid ka bërë që të ardhurat të bien. Si tregu i pjekur po ashtu edhe ai në zhvillim, të cilët varen nga burimet tradicionale të të ardhurave si koncertet, festivalet dhe shfaqjet, kanë pësuar rënie të ndjeshme në vitin 2020 që vazhdojnë edhe gjatë këtij viti”.

Rritja e koleksioneve digjitale ka zbutur humbjet nga burime të tjera të ardhurash në shumë vende dhe kjo është në njohje të përpjekjeve të bëra nga kompania “CISAC” për të ndryshuar strategjinë, për të zhvendosur burimet dhe për të forcuar aktivitetin e lëshimit të licencave për përdorime digjitale.

Pandemia ka qenë padyshim një katalizator për ndryshimin, duke përshpejtuar një tranzicion digjital që nuk do të kthehet mbrapsht. Njerëzit janë përshtatur tashmë me produktet e ofruara “online” dhe në një farë mënyre është një lehtësi për përditshmërinë, por nuk të ofron ndjesinë e pranisë fizike në shfaqje, kinema dhe teatro.

Nota në pentagram, muzika në raportin e CISAC, (Ogdoo)

Nota në pentagram, muzika në raportin e CISAC, (Ogdoo)

Pandemia ka përforcuar transmetimet ekzistuese dhe ndihmoi në prezantimin e sjelljes në një audiencë më të gjerë. Ndërsa vrulli i përmbajtjes në shumë lloje të ndryshme transmetimi ishte i fortë përpara se pandemisë, qëndrimi në shtëpi nxiti konsumin e transmetimit dhe të ardhurat në nivele krejtësisht të reja.

2020-a ishte lehtësisht viti rekord për abonentët e rinj neto, shtesë në shërbimet SVoD, me një përzierje shërbimesh të reja në platforma “streaming”, duke nxitur rritjen e audiencës “online”. Totali i abonimeve globale SVoD arriti në 1.2 miliardë në fundin e vitit 2020, 300 milionë më i lartë se shifra e vitit 2019.

Për sektorin në përgjithësi, ndërkohë që pandemia ende ofron një panoramë të pasigurisë, sjelljet dhe praktikat janë normalizuar dhe rikuperimi është në rrugë të mbarë. Shpenzimet totale të konsumatorëve për përmbajtje video argëtuese shihet me rritje, me 13% në vitin 2021 për të kaluar 300 miliardë dollarë, pas një rënie prej 7% në 2020. Kjo është një performancë më e mirë nga sa u parashikua fillimisht. Për vitin 2022 parashikohet një rritje shtesë prej 7% në përgjithësi nga shpenzimi i konsumatorit për argëtimin video, duke arritur nivele rekord.

Si rezultat i pandemisë globale, prodhimet në mbarë botën për krijuesit e arteve muzikore, audiovizive, pamore, teatrit dhe letërsisë ranë me 9.9% në vitin 2020, me humbje që kaluan 1 miliard euro.

Sipas raportit të “CISAC”, shifra totale e arkëtimeve ka rënë në 9.32 miliardë euro, efekt ky i masave të izolimit që kanë regjistruar gati përgjysmimin e të ardhurave për shfaqje të drejtpërdrejta dhe shfaqje publike në mbarë botën.

Humbjet u zbutën pjesërisht nga një rritje e konsiderueshme e pagesave të lidhura me digjitalin, duke reflektuar rritjen e ndjeshme të konsumit të transmetimit audio dhe video në mbarë botën dhe aktivitetin e fortë të licencimit nga shumë kompani pjesëmarrëse në mbarë botën për “CISAC”.

Përgjigjet strategjike të pandemisë nga anëtarët e “CISAC” janë theksuar në studimet e rasteve në shumë vende të ndryshme të botës. Raporti tregon gjithashtu se si Covid ka përshpejtuar kalimin në digjital në përzierjen e përdorimeve që prodhojnë pagesa për krijuesit. Por shumica e krijuesve ende arrijnë të kenë të ardhura nga digjitali, që përbën pak më shumë se një të katërtën e të ardhurave në nivel global.

Përgatiti: Irma Paloli