Projektligji i ri i paketës fiskale për vitin që vjen parashikon vendosjen e një takse prej 100 lek/kg për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur. Sipas argumentit të qeverisë ky propozim, konkretisht synon që të incentivojë prodhimin dhe tregtimin në vend të qumështit, me synim mbështetjen e fermerëve vendas. Kjo, duke marrë në konsideratë dhe faktin se, sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi nisur nga potenciali për zëvendësimin e importit. Por kjo gjë nuk është pritur mirë nga Industria e Përpunimit të Qumështit, e cila i kundërshton këto ndryshimë pasi do të kenë pasoja në industri. Në një konferencë për mediat Donjaldo Hoxha, përfaqësues i industrisë së përpunimit të qumështit, tregon për kërkesat e sipërmarrjeve në këtë sektor.

Donjaldo Hoxha (Balkanweb)

Donjaldo Hoxha (Balkanweb)

“Ne kërkojmë që në buxhetin e ardhshëm të implementohet një TVSH e reduktuar 6% për sektorin e produkteve me origjinë shtazore. Kjo është një normë TVSH të cilën e implementon rajoni, e implementon edhe BE, prandaj ajo që kërkojmë ne është që ta implementojë edhe qeveria shqiptare për të na vënë në kushte të barabarta për të konkuruar në treg. T’i jepet mundësia industrisë sonë të konkurrojë me të drejtën e saj dhe të implementohet TVSH-ja 6% për rajonin. Ashtu siç qeveria shqiptare ka thënë gjithmonë që bujqësia është prioritet, siç është TVSH-ja 6% për turizmin, të vendoset edhe për produktet me origjinë shtazore. Është një masë e domosdoshme dhe e menjëhershme për t’u implementuar në mënyrë që ne të bëhemi konkurrues me produktet e rajonit.”- shprehet Hoxha

Po ashtu kërkohet edhe subvencionim për qumështin.

“Njëkohësisht është e nevojshme që buxheti për subvencionimin e fermerit të rritet dhe veçanërisht të implementohet skema 10 lekë/litër qumështit të prodhuar lope, dele, dhi e cila shkon në grumbullues apo në përpunues të liçensuar. Është e nevojshme që kjo mbështetje dhe ky subvencion të jetë pa limit për çdo fermer dhe fermë shqiptare që prodhon qumësht lope, dele dhe dhie dhe që e dorëzon atë në pikat e liçensuara qoftë për grumbullim, qoftë për përpunim”, thekson ai.

Gjithashtu një ndryshim i menjëhershëm në paketën e re fiskale që propozohet është dhe vendosja e një akcize mbi gazin për industrinë e përpunimit prej 6 lekë, kjo sipas përfaqësuesve të kësaj industrie do ta vështirësonte akoma më shumë situatën e sektori.

“ Aq më tepër që një taksë e tillë nuk ekziston në gjithë rajonin për industrinë përpunuese. Pra kërkojmë me forcë që akciza mbi gazin të hiqet, sepse për shkak se administrata shtetërore nuk gjurmon dot ku shkon gazi për konsum familjar apo gazi për përpunimin e industrisë nuk mund të penalizohet e gjithë industria apo veçanërisht një industri si e jona, e cila është e lidhur ngushtë me fermerin që po kalon situatën më të vështirë të këtyre 30 viteve në aktivitet.”-thekson Hoxha

Alarmante janë edhe shifrat e informalitetit, të cilat tregojnë se 88% e industrisë së qumështit në vend është informale

“Shumë e rëndësishme, sepse flasim gjithmonë për sigurinë ushqimore dhe dua t’ju bëj me dije disa shifra që janë në të vërtetë alarmante në sektorin tonë. Vetëm 11% e qumështit që prodhohet në vendin tonë kalon në grumbullues dhe pika apo fabrika përpunimi të liçensuara. Pjesa tjetër prej 89% të cilën e konsumojmë të gjithë përditë nuk dihet nga vjen dhe ku shkon. 30% e kësaj sasie është për konsum familjar, ndërsa 70% e saj është e gjitha që përpunohet në baxho dhe njësi të paliçensuara, të cilat nuk zbatojnë asnjë nga rregullat minimale, qoftë të ligjit për ushqimin, qoftë dhe të çdo praktike të mirë për ushqimin. Është e domosdoshme të merren masa dhe të implementohet një grup pune që ka në përbërjen e tij të gjitha instancat e shtetit, të cilat të bëjnë të mundur që të luftohet ky fenomen i qumështit të rrugës dhe veçanërisht të formalizohet sektori ynë”, nënvizon ai

Po ashtu jepen edhe sqarime sa i përket produkteve që hidhen në treg, për të cilat ka shpesh pakënaqësi nga konsumatorët nëse prodhohen me qumësht natyral

“Ju theksojmë me përgjegjësi të plotë se të gjithë anëtarët e shoqatës sonë nuk prodhojnë asnjë nga produktet e qumështit masiv dhe produkte të tjera siç është kosi, djathi i bardhë, djathi kaçkavall, salca e kosit apo gjiza me qumësht pluhur. Të gjitha këto produkte prodhohen vetëm me qumësht lope, dele dhe dhie. Ligji shqiptar e lejon përdorimin e qumështit pluhur në industri të ndryshme siç janë industria e prodhimit të qumështit për foshnje, si zëvendësues për qumështin e gjirit në ushqimin për foshnjet, industria e prodhimit të ëmbëlsirave, industria e prodhimit të pijeve me bazë qumështi, industria e prodhimit të çokollatës, industria e prodhimit të akullores, industria e prodhimit të bukës për të përmirësuar aftësinë ujëlidhëse dhe industria e prodhimit të produkteve me bazë mishi. Qumështi pluhur është detyrim ligjor që të deklarohet në etiketën e produktit, në të kundërt çdo prodhues mban përgjegjësi penale për përdorimin e tij” thekson Hoxha.

Ndërkohë sipas relacionit të paketës fiskale me vendosjen e taksës 100 lek/kg parashikohet një efekt financiar pozitiv në të ardhurat e shtetit me 100 milion lekë në vit, duke parashikuar një import mesatar prej rreth 1.000 ton qumësht pluhur në vit, referuar të dhënave të vitit 2019 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2021.