Në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) 2021, morën pjesë 58 vende e tre organizata ndërkombëtare, si dhe afro 3000 ndërmarrje nga 127 vende e rajone të botës. Në këtë aktivitet të madh të tregtisë globale, pjesëmarrësit ekspozuan mallra të reja dhe diskutuan për mundësinë e investimeve dhe rastet e bashkëpunimit. Kina, si vend organizator, me këtë rast tregoi që ekonomia e 2-të e botës do të zbatojë politikën e hapjes dhe mirëpret palët të marrin pjesë në raundin e ri të hapjes së Kinës me nivel më të lartë.

Një gjë e re në CIIE 2021 është “ekspozita online”. Kur futesh në uebsajtin zyrtar, vetëm me një klikim mund të gjesh arritjet e zhvillimit, sektorët me epërsi, kulturën e turizmin dhe ndërmarrjet përfaqësuese të vendeve pjesëmarrëse. Kjo është vërtet “një vizitë globale pa dalë jashtë shtëpisë”.

Deti Egje, balonat me ajër të nxehtë, vaji i ullirit, qilimat tradicionalë...në ekspozitën në internet të Turqisë mund të gjeje produkte të shumëllojshme. Zv.ministri turk i Tregtisë, Riza Runa Turagay, u shpreh që, si një vend i rëndësishëm në “Një brez, një rrugë”, Turqia shpreson të shfytëzojë ekspozitën CIIE për të nxitur tregtinë e mallrave dhe shërbimeve me Kinën dhe për të shtuar më tej bashkëpunimin tregtar mes dy vendeve.

Në listën e ndërmarrjeve pjesëmarrëse të Greqisë, u përfshi edhe fabrika e Jorgos, i cili bën të ditur që “ekspozita online pa dyshim ka shtuar njohjen e konsumatorëve kinezë për mallrat tona”. Ai u shpreh që dëshira e tij më e madhe është t’u rekomandojë konsumatorëve kinezë produktet më të mira greke, si vaji i ullirit, vera dhe mjalti.

Këtë vit kanë marrë pjesë në CIIE online 15 vende, ndër të cilat Republika e Kongos, Kiribati, Mauriciusi, ishujt Solomon dhe Palestina marrin pjesë për herë të parë në CIIE. Për shkak të ndikimit të COVID-19, përfaqësuesit e këtyre vendeve nuk mund të shkojnë në Kinë, por “ekspozita online” ka hapur një dritare cloud për pjesëmarrjen e tyre në këtë veprimtari globale.

Zv.drejtori i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës Sun Chenghai u shpreh që, në tre ekspozitat e para, është treguar roli i CIIE-së dhe janë shfaqur rezultatet e frutshme për vendet pjesëmarrëse. Kjo është arsyeja kryesore që tërhoqi pjesëmarren e këtyre vendeve në CIIE 2021. Në këtë ekspozitë vendet e zhvilluara e ato në zhvillim, vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” dhe vendet më të pazhvilluara mund të përfitojnë e të ndiejnë forcën tërheqëse të një tregu të hapur.

Në ekspozitën online ka marrë pjesë edhe Irlanda. Ambasadorja e Irlandës në Kinë Ann Derwin u shpreh: “CIIE si gjithmonë lëshoi një sinjal inkurajues, duke treguar vendosmërinë e Kinës për hapjen e mëtejshme dhe mbështetjen e Kinës për liberalizimin tregtar dhe sistemin e tregtisë shumëpalëshe. Kjo përputhet krejtësisht me interesat e Irlandës.”

“Kina në mënyrë të vendosur do të ndajë rastet e zhvillimit me tërë botën”; “Vendosmëria e Kinës për ndarjen e rasteve të zhvillimit me botën nuk do të ndryshojë”... Në ceremoninë e hapjes të CIIE 2021, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinpig me qëndrim të vendosur rideklaroi përpara botës që Kina do të zbatojë strategjinë e hapjes me përfitime të përbashkëta dhe mirëpret palët të marrin pjesë aktivisht në raundin e ri të hapjes me nivel më të lartë, me synim që të ndajë më mirë rastet e veta të zhvillimit.

Tani Kina është bërë tregu i 2-të më i madh i konsumit, vendi më i madh i tregtisë e mallrave dhe renditet në vendet e para për shfrytëzimin e investimeve të huaja dhe investimet jashtë vendit.

Në fakt, Kina po shpejton ndërtimin e një modeli të ri të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si kryesor dhe me nxitjen e ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe të qarkullimit të jashtëm. Kjo do të çlirojë më tej potencialin e tregut kinez. Porta e Kinës do të hapet gjithnjë e më shumë. Kina do t’i ofrojë botës një treg më të gjerë, mundësi më të fuqishme bashkëpunimi dhe hapësirë më të gjerë zhvillimi.

CIIE është bërë dritarja e re e hapjes në një nivel më të lartë të Kinës. Në kohën kyçe të luftës antiepidemike dhe mëkëmbjes ekonomike, Kina me veprime konkrete po mirëpret vendet e botës të “ngjiten” në “trenin ekspres” të zhvillimit të saj, me synim që të ofrojë një mundësi të mirë të thellimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së lulëzimit të përbashkët të botës. (Jiang Lei)