Bashkimi Evropian ka nisur rishikimin e rregullave për buxhetin e vendeve anëtare për t’iu përshtatur realitetit post-pandemik të një borxhi të lartë publik, shoqëruar me kostot e mëdha që sjell tranzicioni drejt një ekonomie me emetime zero të dyoksidit të karbonit.

Gjatë këtij rishikimi historik që ka të ngjarë se do të zgjasë së paku deri në fund të vitit 2022, qeveritarët, ekonomistët dhe akademikët do të diskutojnë rreth mënyrës se si do të thjeshtëzojnë të ashtuquajturin Pakt i Stabilitetit dhe Rritjes, i cili ka marrë përmasa kaq të ndërlikuara, saqë pak njerëz arrijnë ta kuptojnë plotësisht atë.

Ajo çka nisi në vitin 1997 si dy rregulla dhe një rezolutë prej 12 faqesh, është shumëfishuar që atëherë duke u shoqëruar nga një manual përdorimi 108 faqesh, i cili përditësohet çdo vit nga Komisioni Evropian.

Objektivi kryesor i Paktit është që të mbrojë vlerën e euros, duke frenuar huamarrjen e qeverisë, sepse në një kohë kur Eurozona ka një politikë monetare të përbashkët në mbështetje të monedhës së saj, secili prej 19 vendeve anëtare vendos vetë për politikat e tij buxhetore. Pikërisht ky fakt ka qenë burimi i shumë fërkimeve ndër vite.

Në vitin 2002, presidenti asokohe i Komisionit Evropian, Romano Prodi e quajti Paktin “të marrë”, pohim të cilit ai i qëndron ende. “Ky pohim më shkaktoi shumë probleme në atë kohë, por më vonë shumë njerëz më dhanë të drejtë sepse ata panë se si ky Pakt nuk funksionoi në periudha të vështira”, -deklaroi Prodi për “Reuters”, duke shtuar se ai vazhdon të mendoj se nuk ka gjykuar gabim.

Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes, (Europeanceo)

Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes, (Europeanceo)

Rreziku për të drejtuar politikat fiskale kombëtare me një monedhë të përbashkët doli në pah në vitin 2010, kur huamarrja e tepërt e Greqisë, shkaktoi krizën e borxhit sovran që gati sa nuk e shkatërroi monedhën e përbashkët.

Pakti ka ndryshuar tri herë deri tani. Në vitin 2005 kur Franca dhe Gjermania nuk pranonin të zbatonin rregullat; më 2011-n dhe 2013-n gjatë krizës së borxhit, me qëllim për t’i garantuar tregjeve se investimet në euro ishin të sigurta.

Ndryshimet e pritshme për t’u debatuar tashmë janë po ashtu rrjedhojë e një krize, këtë herë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, e cila ka rritur borxhin mesatar në vendet e Eurozonës në afro 100% të prodhimit kombëtar, nga rreth 70% që ishte në fillim të viteve ’90, kur u hartuan rregullat.

“Ruajtja e borxhit në nivelin 60% kishte kuptim kur u negociua Traktati i Maastricht-it, por tashmë nuk ka më kuptim. Aftësitë kredimarrëse të qeverive janë më të mëdha sot nga sa kanë qenë në atë kohë, ndaj ka shumë elementë që duhet të rishikohen”, -deklaroi për “Reuters” Klaus Reging, kreu i Fondit të Shpëtimit të Eurozonës, njëherësh ish-drejtuesi i departamentit ekonomik të Komisionit Evropian.

Shumë ministra të Financave besojnë se kufizimet që çojnë drejt reduktimit të borxhit janë shumë të rrepta për botën post-pandemike që po jetojmë, por nuk ka ende një marrëveshje nëse ato mund të trajtohen përmes kuadrit ligjor aktual apo përmes ndryshimeve në tekstet ligjore.

Një sfidë tjetër e madhe është të sigurohet se rregullat nuk do të pengojnë qeveritë e 27 vendeve anëtare të BE-së për të vënë në lëvizje qindra miliarda euro në funksion të emetimeve zero të dyoksidit të karbonit deri në vitin 2050.

Ekspertët analizojnë se investimet publike shtesë, për të përmbushur qëllimet e BE-së për klimën, do të duhet të jenë deri në 1% të prodhimit të brendshëm bruto vjetor vetëm për këtë dekadë.

Ekspertët propozuan përjashtimin e investimeve për të luftuar ndryshimet klimaterike nga përllogaritja e deficitit të BE-së. Por, disa zyrtarë nxjerrin në pah vështirësitë që kanë ndeshur në përcaktimin e asaj çka nuk konsiderohet “një investim i gjelbër”. Zëvendëspresidenti i KE-së Valdis Dombrovskis u shpreh se ideja e përjashtimit të investimeve për frenimin e ndryshimeve klimaterike do të jetë padyshim pjesë e diskutimit të ardhshëm.

Komisioni Evropian publikoi një komunikatë më 19 tetor, e cila rifilloi zyrtarisht debatin publik mbi kuadrin e qeverisjes ekonomike të BE-së. Besohet se është koha e duhur që Evropa të marrë në konsideratë dhe të debatojë të ardhmen e kuadrit fiskal. Diskutimet mbi reformën e kornizës pritet të jenë sfiduese, me një larmi të gjerë pikëpamjesh në të gjithë shtetet anëtare.

Diskutimet e ardhshme pritet të zhvillohen në sfondin e një sërë sfidash fiskale. Më emergjente është sfida e paraqitur nga ndikimi i pandemisë në financat publike të shteteve anëtare të BE-së. Veprimet e forta të koordinuara të politikave në nivelet e BE-së dhe ato kombëtare ndihmuan në reduktimin e ndikimit shoqëror dhe ekonomik të pandemisë.

Ndërsa këto masa ishin padyshim të nevojshme dhe të kujdesshme, ato megjithatë kanë rezultuar në rritje të konsiderueshme të raporteve të deficitit dhe borxhit në të gjithë BE-në. Për më tepër, një sërë sfidash më afatmesme fiskale dhe strukturore ishin tashmë të dukshme në horizont përpara goditjes së pandemisë.

Ndër këto janë sfidat e paraqitura nga të ashtuquajturat "tranzicione të dyfishta" drejt një ekonomie dixhitale dhe të gjelbër. Njëkohësisht, plakja e popullsisë gjatë dekadave të ardhshme do të ketë gjithashtu një ndikim të rëndësishëm te financat publike.

Sfidat strukturore buxhetore, së bashku me ndërvarësinë ekonomike dhe rreziqet që ekzistonin kur u krijua Bashkimi Monetar Evropian, të gjitha flasin për nevojën e vazhdueshme për rregulla fiskale në nivel evropian. Megjithatë, rregulla të tilla duhet të kalibrohen siç duhet në mënyrë që të mbeten të besueshme.

Rregullat duhet të përmbajnë gjithashtu një shkallë fleksibiliteti, për t'i lejuar qeveritë të trajtojnë goditjet e paparashikuara si pandemia Covid-19. Së fundi, çdo kuadër fiskal i reformuar duhet të jetë në gjendje të akomodojë investimet publike shumë të rëndësishme që do të nevojiten për të lehtësuar tranzicionet e dyfishta në një mënyrë që garanton qëndrueshmërinë e financave publike të shteteve anëtare të BE-së.

Sipas ekspertëve, në fund të fundit, koordinimi efektiv ekonomik dhe buxhetor mbetet një bllok kyç ndërtimi për sigurimin e stabilitetit dhe rritjes në BE dhe për forcimin e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar. Ruajtja e qëndrueshmërisë së financave publike si objektiv i rregullave fiskale është thelbësor në këtë aspekt.

Përgatiti: Irma Paloli