Përdorimi i energjisë elektrike shënoi rritje me 7.2 %, transporti i mallrave u shtua me 5.6%...në muajin shtator, niveli i përdorimit të energjisë elektrike dhe transportit të mallrave, që janë konsideruar si barometra e ekonomisë kombëtare, shënuan rritje të shpejtë dhe të dhënat përkatëse treguan gjallërinë e mëkëmbjes ekonomike të Kinës.

Rritja e përdorimit të energjisë, treg me më shumë gjallëri

Rritja e përdorimit të energjisë elektrike është dritarja për vëzhgimin e prirjes ekonomike. Në shtator, niveli i përdorimit të energjisë elektrike në Kinë shënoi rritje me 7.2 %, 2.8 pikë përqindjeje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Nga janari deri në shtator, përdorimi i energjisë elektrike u shtua me 1.3 %.

Rritja e qëndrueshme e energjisë elektrike tregon prirjen pozitive të shtimit të gjallërisë së tregut dhe të mëkëmbjes së mëtejshme të ekonomisë. Sipas të dhënave nga Rrjeti Shtetëror i Kinës, shitja e energjisë elektrike ka filluar të shtohet qysh nga muaji maj dhe në gusht, rritja ishte 9.8%.

Përgjegjësi i Shoqatës së Ndërmarrjeve të Energjisë Elektrike të Kinës u shpreh që mëkëmbja e qëndrueshme e ekonomisë kombëtare është arsyeja kryesore e rritjes së shpejtë të përdorimit të energjisë dhe kjo tregon që kërkesat e konsumit të energjisë elektrike për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror janë rikthyer në gjendjen normale.

Në tre tremujorët e parë, sektori i prodhimit të pajisjeve harxhoi 413.6 miliardë kilovatorë, 100.7 % më shumë se një vit më parë. Në muajin shtator, sektorët e prodhimit të automjeteve, të pajisjeve të përgjithshme, të telekomunikacionit e elektronike, të makinerive elektrike dhe pajisjeve përkatëse shënuan rritje me mbi 15%.

“Ndryshimi i treguesve në konsumin e energjisë elektrike tregon që, me mbështetjen e politikave për rifillimin e prodhimit dhe punës, niveli i gjallërisë së prodhimit dhe menaxhimit të ndërmarrjeve është ngritur shumë dhe zhvillimi ekonomik ka më shumë gjallëri,” u shpreh personi përgjegjës i Qendrës së të Dhënave të Mëdha të Rrjetit Shtetëror të Kinës.


Transporti hekurudhor, mëkëmbje të dukshme

Si sektor pilot i ekonomisë kombëtare, transporti është në mëkëmbje të shpejtë. Sipas të dhënave statistikore të Grupit Hekurudhor të Kinës, në tre tremujorët e parë të këtij viti, nëpërmjet hekurudhave janë bërë mbi 1.4 miliardë udhëtime pasagjerësh.

Në të njëjtën kohë, transporti i mallrave shënoi rritje të qëndrueshme, që është niveli më i mirë në histori. Në tre tremujorët e parë, transporti hekurudhor i mallrave shënoi një vëllim mbi 2.62 miliardë tonë, 4.8 % më shumë se një vit më parë.

Grupi Hekurudhor i Kinës ka përballuar ndikimet e epidemisë, duke zbatuar konceptin e përgjithshëm me stabilizimin e mallrave të paambalazhuara, nxitjen e transportit të përbashkët, përmirësimin e pikave të dobëta dhe uljen e kostos. Ndërkohë, ky grup ka bërë përpjekje aktive për shtimin e transportit të mallrave dhe rritjen e të ardhurave në këtë drejtim. Qysh nga maji, kur transporti i mallrave u mëkëmb në 160 mijë trena, ky nivel shënoi rritje të vazhdueshme dhe në shtator, numri arriti në 170 111, duke shënuar rekord.

“Në tre tremujorët e parë të këtij viti, transporti i udhëtarëve dhe mallrave ka pasur efekte më të mira se parashikimet e mëparshme,” u shpreh Grupi Hekurudhor i Kinës. Qysh nga fillimi i këtij viti, transporti i mallrave me hekurudhë ka sjellë gjallëri të madhe për parandalimin epidemik dhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror, duke lëshuar sinjale të forta që ekonomia kineze po mëkëmbet me gjallëri të fuqishme.


Portet detare, me gjallëri të re

Qysh nga fillimi i këtij viti, përballë ndikimit prej epidemisë, ndërmarrjet e porteve detare të Kinës kanë marrë masa reformuese dhe kanë bërë rinovime, duke realizuar të parat rifillimin e punës dhe prodhimit. Në portin e Shangait, ka nisur ndërtimi i portit inteligjent dhe portit të gjelbër. Në 3 tremujorët e parë, numri i kontejnerëve të përpunuar në këtë port arriti mbi 11.59 milionë dhe në muajin korrik, ky numër për herë të parë i kaloi 3.9 milionët, duke shënuar një rekord historik. Krahas kësaj, Grupi i Portit Detar i provincës Shandong të Kinës Lindore ka shpejtuar zhvillimin e logjistikës moderne dhe tregtinë e financave në port, duke shënuar rritje me 7.96% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e Ministrisë së Transportit të Kinës tregojnë që në 3 tremujorët e parë, niveli i vëllimit të mallrave në portet e vendit arriti mbi 10.6 miliardë tonë, 3% më shumë se një vit më parë. Ndër to, vëllimi i mallrave të tregtisë së jashtme i kaloi 3.3 miliardë tonët, 4.2% më shumë se në vitin 2020.

Porti detar është mbështetje e rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Rritja e dukshme e vëllimit të mallrave në portet detare në tre tremujorët e parë të këtij viti tregon që ekonomia kineze ka elasticitet dhe gjallëri të madhe. (Jiang Lei)