Parlamenti ka miratuar tashmmë me debate të shumta dhe akuza nga opozita Eurobondin prej 700 milionë euro. Çështja u kthyer në mollë sherri mes maxhorancës dhe opozitës sa i përket hapit për të marrë borxh në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se Eurobondi i parashikuar i qeverisë shqiptare prej 700 milionë eurosh pritet që të dalë në treg në fillim të muajit nëntor.

Eurobondi, i cili pritet që të dilet në treg në fillim të muajit nëntor do të ketë një vlerë prej 700 mln eurosh. Procesi po ndiqet dita ditës nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë si dhe nga të gjithë këshilltarët ndërkombëtarë që ne kemi për zbatimin sa më të mirë të këtij procesi. Dalja në treg nuk është vendosur akoma si datë me qëllim që të dalim në ditët më të përshtatshme dhe të marrim normën e interesit më të përshtatshme, që do të garantojë një reduktim të kostos së borxhit publik në përgjithësi”- tha Ibrahimaj.


Ministrja e financave dhe ekonomisë Delina Ibrahimaj(Panorama)

Ministrja e financave dhe ekonomisë Delina Ibrahimaj(Panorama)

Akuza të shumta ka patur nga deputetë të opozitës të cilët ngrenë shumë pikëpyetje për huanë që do të merret. Deputetja demokrate Jorida Tabaku e konsideron marrjen e Eurobondit shumë të rrezikshëm, pasi sipas saj nuk dihet se për çfarë do të përdoret nga qeveria ky borxh. Tabaku tha se borxhi është i mirë kur përdoret mirë kur përdoret për investime të rëndësishme, por ky i fundit po merret për pagesat e PPP-ve.


“Kemi një situatë tjetër inflacioni në Shqipëri, por njëkohësisht edhe në të gjithë vendet e rajonit, në të gjithë Europën dhe unë besoj se do të ndikojë në normat e interesit. Nuk mund të jemi kaq optimistë duke thënë që do të kemi të njëjtën normë interesi. Është e vërtetë që sigurisht borxhin në këtë periudhë, në një situatë të tillë më shumë dëshirë do të japim borxh edhe me norma preferenciale. Situata e Shqipërisë nuk është e njëjtë me atë të viteve më parë, qoftë edhe tre viteve më parë. Vetë Ministria e pranoi me aktin normativ që është 80% raporti i borxhit. Kjo sigurisht do të ndikojë. Për mua do të ndikojë njëkohësisht edhe fakti që Shqipëria tashmë është në listën gri të pastrimit të parave, sipas vlerësuesve të Manivalit.”- tha deputetja demokrate Tabaku.


Sipas Tabakut janë ende disa disa faktorë, të cilët Ministria nuk i ka marrë parasysh në analizën e saj per Eurobondin.


“Ky është një shqetësim për mua, përveç faktit që po merret borxh pa e specifikuar për çfarë do të përdoret ky borxh. Ne nuk kemi pasur borxh të shëndetshëm vitet e fundit. Borxhi i marrë është përdorur jo vetëm për investime, ashtu siç ka qenë zakon, ashtu siç e lejojnë praktikat më të mira të financave publike. Borxhi është marrë dhe për shpenzime operative. Me borxhin kemi paguar dhe paga, që nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe shqetësimi im është në vitin 2013 kur kjo qeveri ngriti me shqetësim shumë të madh borxhin dhe gjeti një stock borxhi pothuajse 6.3 miliardë. Sot kemi arritur në borxh zyrtarisht nga të dhënat sipas Ministrisë së Financave për gjashtëmujorin e parë në mbi 10.2 miliardë, pra një rritje e borxhit e me 3.5 miliardë e stockut të borxhit ku askush nga ne nuk e di sesi është përdorur, si ka qenë efektiviteti i ketij borxhi”theksoi Tabaku.


Deputetja demokrate Jorida Tabaku (Panorama )

Deputetja demokrate Jorida Tabaku (Panorama )

Nga ana tjetër Mnistrja e Financave, Delina Ibrahimaj duke prezantuar nismën në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave bëri të ditur se marrja e këtij obligacioni të ri është në interes të Shqipërisë pasi do të shërbejë sigurimin e nevojave buxhetore, por edhe për perspektivën e investimeve. “Emetimi i një Eurobondi ka rëndësi të veçantë sidomos për vendet me një ekonomi të vogël. Eurobondi jo vetëm na ndihmon për plotësimin normal të nevojave të buxhetit të shtetit, por përfaqëson një mundësi për të përmirësuar perspektivat e investitorëve, duke prezantuar më tej perspektivat optimiste afatmesme.” Ibrahimaj tha se duke qenë se bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi, është më mirë të merret një borxh më i madh kë vit. “Është në interesin tonë që të marrim një borxh më të madh këtë vit nëse ka norma të ulëta interesi dhe të mos dalim vitin e ardhshëm pasi bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi. Po ashtu edhe kriza energjetike po jep efektet e saj”.


Por si e shohin ekspertët emetimin e Eurobondit?


Analisti i financave Arben Malaj (business mag)

Analisti i financave Arben Malaj (business mag)

Arben Malaj thotë per mediat se qeveria duhet të bëjë sa më shumë transparencë për shpërndarjen dhe përdorimin e Eurobondit pasi kjo mënyrë përdoret si instrument nga të gjithë vendet e botës, por çeshtja qendron tek menaxhimi


“Në rritje borxhi studiuesit nuk përfshijnë vetëm shtetin. Kur rriten borxhet e qytetarëve për të mbijetuar, kur rriten borxhet e biznesit dhe kur rriten borxhet e shtetit vendi shkon drejt një modeli rritje ekonomike në borxhe të larta që është varfëronjës. Ministrja duhet të sqarojë sa shkon për koston shtesë të pandemisë, sa shkon për koston shtesë të mbrojtjes së të varfërve, sa shkon për investimet, por nuk mund të shkojë te investimet. Të gjithë institucionet financiare thonë mos vazhdoni se do të groposni financat publike të vendit tonë. Eurbondi përdoret si instrument nga të gjithë vendet e botës. Çështja është përse e merr dhe me sa përgjegjshmëri e përdor. Kjo është sfida që ka qeveria.”- thotë analisti Malaj.


Sipas përfaqësuesve të qeverisë Eurobondi i ri do të përdoret për të mbuluar nevojat e qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar, ashtu edhe për nevojat që ka shkaktuar pandemia.