Shqipëria ka tërhequr në të bërit biznes shumë shtetas të huaj. Një ndër to është zvicerano-shqiptari Christian Vögel, i cili drejton Fondacionin Zviceran për Inovacionin dhe nismën Emergency Response Albania. Veç biznesit ai ka krijuar edhe familje tashmë në Shqipëri dhe ka zgjedhur të jetojë në periferi të Tiranës. Thotë se është shumë i kënaqur këtu dhe se gjërat kanë shkuar mjaft mirë.

Christian Vögeli (TvKlan)

Christian Vögeli (TvKlan)

Në rrëfimin për mediat ai tregon më shumë për aktivitetin e tij që është i lidhur me shëndetësinë dhe emergjencat.

Unë kam ardhur që në ’91-shin në Shqipëri dhe fusha e veprimit kryesisht është në pjesën e shëndetit, mjekësinë, në parandalimin e aksidenteve, në mbrojtje dhe në shpëtim në rast aksidentiesh. Për shërbimin që ne ofrojmë, sensibilizimi sa vjen dhe është në rritje. Kompanitë sot e kuptojnë gjithmonë dhe më shumë rëndësinë e mbrojtjes së stafit të tyre në punë dhe të kemi mundësi ta shpëtojnë sa më shpejt nëse ndodh diçka. “ – thotë Vögel

Fondacioni që drejton Vögel është specific sepse lidhet me bizneset dhe ndërgjegjësimin e tyre për të trajnuar stafet në përballimin e situatave emergjente. Tek Fondacioni Zviceran për Inovacionin bëhen trajnime të posaçme për çdo lloj biznesi, për t’i paraprirë rreziqeve të mundshme.

“Ne kemi bashkëpunuar me biznese ndërkombëtare dhe kombëtare. Investitorë të mëdhenj që kanë kantiere të mëdhenj në Shqipëri është një kategori që di të vlerësojë shërbimin që ne ofrojmë pastaj janë kompanitë prodhuese që kanë makineri të rrezikshme dhe më pas vijnë biznese të vogla dhe të mesme. Në të gjitha subjektet ne kemi afro 40 persona të punësuar, përveç të cilëve kemi një grup ekspertësh nga Zvicra, Gjermania dhe Austria, instruktorë, ekspertë të fushave të caktuara.”-sqaron sipërmarrësi zvicerano-shqiptar.

Emergency Response Albania (Facebook)

Emergency Response Albania (Facebook)

Qëllimi i tij nuk është vetëm të bëjë biznes apo të përmbushë objektivat e tij në Shqipëri, por të tregojë një realitet tjetër model pasi ka besim tek potencialet e shqiptarëve dhe mundësitë që ofron vendi. Ai ka edhe një thirrje për investitorë të tjerë që ta shohin me prioritet Shqipërinë për të hapur biznese.

“Synimi im është që të tregojmë Shqipërinë në një qasje modele. Unë besoj te shqiptarët dhe besoj që shqiptarët kanë një mendësi që shikon nga e ardhmja, nuk shikojnë nga e kaluara; ecin përpara. Dhe kjo përmban brenda një potencial, i cili po të ushqehet dhe po të jepet mundësi do të ketë absolutisht perfromancë në të ardhmen. Unë do të inkurajoj gjithmonë që të huajt të hapin biznesin e tyre në Shqipëri. Potencialin e shikoj në çdo sektor, varet gjithmonë sa përputhen ideja e investitorit me njerëzit që janë këtu. Ai duhet të hulumtojë në cilën zonë në cilin mjedis, qytet/fshat, se ku është vendi dhe burimet njerëzore më të përshtatshme për t’ju përgjigjur biznesit të tij”, shprehet sipërmarrësi.

Padyshim që pengesa hasen në çdo punë, por thirrja Vögeli-t është për më shumë partneritet

“Kudo ku ka sipërmarrje ka edhe pengesa. Nëse biznesi me biznes, biznesi me punonjës, biznesi me shtetin, shteti me biznesin, të shikojnë të gjithë njëri- tjetrin si partnerë gjërat shkojnë mirë dhe sa më shumë të ushqehet kjo Shqipëria bëhet një vend shumë interesant për investim”, thotë Vogel

Teksa flet për Zvicrën, ai thotë se edhe sipërmarrës të tjerë atje po e shohin me interes të vijnë për të investuar në Shqipëri.

“Interesi është në rritje, 3-4 vitet e fundit ka ardhur në rritje edhe promovimi i Shqipërisë jashtë si një vend i bukur, i begatë dhe me njerëz mikpritës. Besoj që duhet të shtojmë edhe reklamën për të bërë biznes dhe besoj se këtu duhet të punojmë edhe më shumë.”, nënvizon ai

Emergency Response Albania. (facebook)

Emergency Response Albania. (facebook)

Në përgjithësi sa i përket Investimeve Zvicerane në Shqipëri, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, ato zbritën në 28 milionë euro ose 76% më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2020. Ndërsa për nga Vlera Totale e investimeve të matura si stok në fund të 6 mujorit të këtij viti Zvicra vazhdon të kryesojë, me rreth 1.7 miliardë euro, e ndjekur nga Holanda me 1.42 miliardë euro dhe Kanadaja, me 1.14 miliardë euro.