Intervistë me ekspertin fiskal Eduart Gjokutaj

Raporti i publikuar nga Komisioni Evropian për Shqipërinë konstaton se vendi ka bërë progres dhe është pak a shumë i përgatitur për zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka bërë progres lidhur me kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE. Po kështu ka shënuar progres lidhur me konkurrencën brenda rajonit dhe presioneve të tregjeve rajonale. "Por konkurrueshmëria e Shqipërisë pengohet nga mungesa e dijeve në fushën e sipërmarrjes dhe teknologjisë, informaliteti i konsiderueshëm, mungesa e investimeve për kapitalin njerëzor dhe fizik”, thekson raporti.

Eduard Gjokutaj, ekspert fiskal pranë Qendrës “Altax” thotë për radio Ejani se rekomandimet ekonomike të bëra ndaj Shqipërisë janë pothuajse të njëjta me ato të një viti më parë. Hap pas hapi Gjokutaj analizon rekomandimet e Komisionit Evropian dhe gjithashtu jep sugjerimet e tij të mëtejshme në çdo pikë. Me shqetësim eksperti sheh borxhin publik.

“Në Raportin e Komisionit Europian të vitit 2021 për Shqipërinë, përmendet që Shqipëria ka një përparim drejt një ekonomie tregu funksionale. Dhe këtu përmenden me të drejtë efektet që ka dhënë pandemia dhe më herët tërmeti i vitit 2019, duke dhënë dhe ato ndikime të cilat janë përmendur në të gjitha raportet. Në raport përmendet se sektorët më të goditur janë turizmi dhe prodhimi. Natyrshëm që nëpërmjet masave fiskale që ka marrë qeveria shqiptare me Bankën e Shqipërisë ka ndikuar edhe në rritjen e borxhit publik dhe të deficiti buxhetor, duke ekspozuar kështu akoma më tej financat shqiptare dhe stabilitetin e sektorit karshi goditjeve të jashtme.”, shprehet eksperti Giokutaj.

Në raport përmendet dhe Programi i Reformës Ekonomike 2021-2023, duke theksuar dhe nevojën që ka Shqipëria për të forcuar mekanizmin koordinues ndërinstitucional për planifikimin e politikave strategjike, për të përfshirë përgatitjen e programit, gjithashtu për të rritur kapacitetin administrativ për hartimin dhe koordinimin e politikave ekonomike, si dhe për monitorimin e zbatimit dhe ndikimit të reformave strukturore. Gjokutaj jep edhe disa argumenta se përse Shqipëria është pas në konkurrueshmëri. Një shkak madhor është informaliteti, ende një sfidë për qeverinë, thekson Gjokutaj.

“Në fushën e politikave ekonomike në raport përmendet se nevojitet një harmonizim i mëtejshëm i legjislacionit me direktivat e BE-së, sidomos për kërkesat e kornizave buxhetore. Natyrshëm që këtu përmenden edhe disa porosi përsa i përket presionit konkurrues dhe forcave të tregut brenda BE-së dhe si qëndron Shqipëria karshi tyre në respekt të konkurrueshmërisë. Pra, konkurrueshmëria përbën një problem për Shqipërinë pasi pengohet nga mungesa njohurive sipërmarrëse por edhe nga teknologjia, si dhe nga nivele të konsiderueshme të informalitetit të cilat nuk janë të plotësuara deri më sot, por që nevojitet të plotësohen më tej me investimin në burimet njerëzore, shpenzime më të larta për kërkim dhe zhvillim, si dhe një teknologji më të avancuar që do të jetë në funksion të luftës kundër informalitetit por jo vetëm.”, ve në dukje Gjokutaj.

Eksperti Gjokutaj ndalet edhe tek komentet e raportit mbi efektet e pandemisë.

“Boshllëqet që ekzistonin, pandemia natyrshëm siç përmendet dhe në raport, janë theksuar akoma më shumë. Ndërkohë mungesa e produktit dhe diversifikimi gjeografik në eksporte e komplikojnë cënueshmërinë e treguesve makroekonomikë të Shqipërisë dhe kjo është një dukuri e cila nuk është e tanishme, por është pjesë e strukturës ekonomike shqiptare. Shqipëria konsiderohet gjithashtu që ka bërë një përgatitje të saj në mbushjen e boshllëqeve në infrastrukturë dhe në energjitikë, por i nevojitet gjithsesi të jetë më e diversifikuar në burimet energjitike dhe nga ana tjetër të jenë dhe mekanizma, konsultimi efektiv me bizneset me partner social dhe të rrisë shërbimet e mbështetjes për bizneset”, thotë Gjokutaj

Një porosi tjetër që jepet në këtë raport është riorientimi i përbërjes së shpenzimeve publike drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe inovacionit, të cilat janë kërkesa të përsëritura në raportet e KE.

“ Shqipëria gjithsesi konsiderohet se është zhvilluar në mënyrë të moderuar në levizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të kapitalit, në shërbimet financiare por ka nevoja për të filluar të përgatitet për një konsolidim të këtyre lloj marrëdhënieve të brendshme në raport me konkurrueshmërinë europiane. Konkurrenca shqiptare lidhet me politikën e taksave, me teknologjinë, me politikën e ekonomike monetare dhe nevojitet këtu që të ndiqen reforma sociale ekonomike për të ndihmuar dhe adresuar dobësitë ekzistuese strukturore.”, shprehet eksperti.

Eksperti Gjokutaj sheh me vend thjeshtëzimin e sistemit të taksave, pavarësisht vlerësimit të bërë nga Komisioni Evropian.

“Taksimi përmendet si çdo vit në raport që ka arritur një përparim, por e ka të nevojshme të zvogëlojë stokun e kërkesave për rimbursimin e TVSH-së, të rrisë nivelin e kpacatiteteve administrative si dhe të thjeshtojë sistemin e taksimit për të inkurajuar dhe për të rritur pajtueshmërinë tatimore.”, deklaron eksperti i ekonomisë Gjokutaj për radio Ejani.