Dr. Enriko Ceko (Ora News)

Dr. Enriko Ceko (Ora News)

Intervistë me ekspertin e ekonomisë Dr. Enriko Ceko

CMG: Në Shqipëri ashtu si në vende të tjera po debatohet gjerësisht mbi krizën energjetike. Ekspertë të sektorit energjetik thonë se rritja e çmimit të gazit në tregjet ndërkombëtare, i nevojshëm për prodhimin e energjisë ka prekur edhe tregun shqiptar. Në përgjigje të situatës qeveria shqiptare ka shpallur emergjencën energjetike, përmes së cilës ekzekutivi merr në duar sistemin e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në vend.

Si do ta komentonit ju ndikimin e kësaj krize në ekonominë shqiptare?

Dr.Enriko Ceko: Gjatë këtyre dy javëve të fundit ka patur debate të shumta në lidhje me këtë krizë. Disa mendojnë që kriza ndërkombëtare ndikon në ekonominë shqiptare dhe të tjerë që nuk ndikon. Personalisht mendoj se ka një efekt në ekonominë shqiptare kriza ndërkombëtare jo vetëm në rritjen drejtpërdrejtë të çmimit të energjisë nga të gjitha burimet që ajo vjen, por dhe për faktin se në tregjet ndërkombëtare ka patur një kërkesë të lartë për lëndë të para gjë e cila ka ndikuar direkt në koston e prodhimit të produkteve dhe shërbimeve që realizohen nga këto lëndë të para. Kjo do të thotë se jo vetëm energjia elektrike por dhe materiale dhe shërbime të tjera kanë rritje të çmimit në tregjet ndërkombëtare, gjë që reflektohet në tregun shqiptar. Ne pothuajse 70 % të ushqimeve e importojmë si dhe 90% të teknologjive e importojmë. Gjithashtu një pjesë të mirë të energjisë elektrike, sidomos në dimër ne e importojmë. Kjo është arsyeja se pse ekonomia shqiptare afektohet nga rritja e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar.

Kriza energjetike botërore (Syri.net)

Kriza energjetike botërore (Syri.net)

CMG: Konsumatorët shqiptarë e kanë pritur me frikë lajmin për krizën energjetike, edhe pse kryeministri ka garantuar se nuk do të rriten çmimet për ta dhe sipërmarrjen e vogël. Sa e realizueshme është kjo në kushtet konkrete?

Dr.Enriko Ceko: Gjithmonë në periudhën e vjeshtës çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar rritet, por rritet dhe çmimi i gazit dhe hidrokarbureve. Arsyeja kryesore është se në periudhën e dimrit në hemisferën e veriut bën ftohtë dhe e gjithë industria e vendeve si Gjermania, Franca, Belgjika, vendet skandinave, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja dhe Japonia është në hemisferën e veriut. Ka një kërkesë të lartë për energji në periudhën e dimrit. Vendet që prodhojnë energji si Rusia që furnizon vendet e tjera me gaz, vendet e OPEC-ut që furnizojnë vendet e botës me naftë dhe vendet e tjera që janë lojtarë në tregun e energjisë elektrike në vjeshtë i ngrenë çmimet. Mendohet që këtë dimër në periudhën 2021-2022 çmimi i naftës të shkojë deri në 100 dollarë amerikanë për fuçi, ndërsa tani është 80 dollarë. Ndërkohë mendohet se që nga prilli i vitit tjetër të ketë ulje të çmimit të hidrokarbureve.

Rusia gjithmonë në periudhën e vjeshtës i bën presion Europës duke rritur çmimin e gazit. Arsyeja pse u ndërtua sistemi i transmetimit të gazit, që përfshin dhe Shqipërinë, me emrin TAP, që i jep mundësi Europës për t’u furnizuar me gaz. Ndaj TAP-i duhet të vihet në funksionim që të shërbejë si lehtësues për të balancuar çmimin që ofron Rusia me gazsjellësin nga veriu i Europës. Në bursën e energjisë elektrike është shumë e vështirë të gjesh energji elektrike me çmim të ulët edhe pse jemi në periudhë dimri dhe ka prodhim, por ka kërkesë dhe është kërkesë dhe ofertë.

CMG: Opinioni juaj për ndikimin e krizës energjetike në Kinë?

Dr.Enriko Ceko: Kina ka një mundësi shumë të mirë se për shkak të rrjetit të mirë të hidrocentraleve që ka ndërtuar mund të përdorë një teknologji të re,e cila ka të paktën një periudhë 20 vjeçare që është artikuluar nga shkencëtarët. Ujin që prodhohet nga hidrocentralet ditën ta kthejë natën përsëri në hidrocentral dhe kjo teknologji kushton më pak se sa të ndërtosh një hidrocentral të ri. Shqipëria dhe Kina kanë një shans, sepse kemi qymyr, që kryesisht janë qymyre të varfra, linjite. Termocentralet e viteve 60-70-të në Shqipëri dhe Kinë kishin pothuajse të njejtën teknologji, por shkaktonin ndotje të mjedisit. Kina vitet e fundit ka marrë një angazhim për biodiversitetin dhe mbrojtjen e mjedisit me Bashkimin Europian, që të gjitha investimet jashtë Kinës për të ndërtuar termocenteale me qymyr t’i ndërpresë në mënyrë që të mos dëmtojë mjedisin.

Eksperti i ekonomisë Enriko Ceko intervistë për CMG

Eksperti i ekonomisë Enriko Ceko intervistë për CMG

CMG: Megjithatë në Kinë punohet shumë për të shfrytëzuar energjitë e reja, siç janë energjia e erës, fotovoltaike etj.

Dr.Enriko Ceko: Energjia fotovoltaike në 10 vitet e fundit ka patur një shpërthim në Kinë. Në vitet 2005-2006 nga energjia diellore në Kinë prodhoheshin 1 milion kilovat orë, kurse sot flasim për 200 milionë. Duke qenë një vend i madh që ka brezin mesatar dhe klimën tropikale ka mundësi të shfrytëzohet energjia fotovoltaike dhe energjia e erës.

CMG: A ishte e paralajmëruar kriza energjetike ? A po hyn bota në raundin e ri të krizës energjetike dhe cila do të jetë zgjidhja e mundshme e saj?

Dr. Enriko Ceko: Unë mendoj se për ekonomistët nuk ishte e papritur. Është shtuar kërkesa për faktorë prodhimi: tokë, punë, kapital, aftësi sipërmarrëse, rinovim teknologjik. Këto janë 5 faktorët e prodhimit që njohim ne. Por për t’i vënë në punë faktorët e prodhimit duhet energji. Nuk punohet toka pa energji, nuk punojnë fabrikat pa energji, nuk mund të futet në punë kapitali pa energji,nuk mund të bësh biznese dhe start-up pa energji. Ekonomistët e dinin se pas dy vjetësh kërkesa për energji do të ishte shumë herë më e lartë se sa oferta. Kjo dihet. E gjithë historia botërore është një histori inflacion ndaj duhen marrë masa.

Intervistoi Eda Merepeza