Korridori tetë është një nga dhjetë “korridoret trans-evropiane” të cilat janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore.

Pikërisht lidhur me këtë projekt në Sofje të Bullgarisë është nënshkruar memorandumi tripalësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Nënshkrimi i memorandumit për transportin e qëndrueshëm në Korridorin e 8-të sipas ministres shqiptare të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

“Prej kohësh ne kemi punuar për të plotësuar të gjithë komponentët e këtij korridori, si një nga korridoret më të rëndësishëm për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë me të gjitha projektet që kemi nisur si në fushën e hekurudhave, ashtu edhe në atë të rrugëve, por pa dyshim edhe porti i ri i Durrësit, na japin sigurinë se zhvillimi infrastrukturor do të jetë një sukses në të ardhmen”, tha ministrja Balluku.

Në takimin e zhvilluar mes palëve ministrja tha se me homologët e dy vendeve kanë diskutuar lidhur me hapat në të ardhmen.

“Kemi rënë dakord që një agjendë e përbashkët për të promovuar Korridorin e 8-të si një nga korridoret më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik jo vetëm për vendet tona, por edhe për vendet e tjera të rajonit, është një domosdoshmëri për agjendat e të tre ministrive të Infrastrukturës në të ardhmen”, tha Balluku.

Të bashkuar, sipas Ballukut mundet që vendet të lobojnë më shumë për të thithur fonde nga institucionet financiare europiane në shërbim të këtij projekti kaq të rëndësishëm

“Kemi folur për detaje, kemi dakordësuar sesi së bashku mund të ndikojmë institucionet europiane financiare për mbështetjen e projekteve tona, sidomos atë të hekurudhave, si një nga mënyrat më eficiente të transportit bazuar dhe në agjendën e investimeve të Bashkimit Europian. Kështu që së shpejti ne do të kemi një takim tjetër në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Tiranë për të vazhduar më tej me të gjitha hapat për realizimin e këtij projekti të madh, i cili do të ndryshonte jetën e qytetarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Balluku.

Sipas projektit Korridori tetë nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, bën një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi. Projektet për këtë vepër parashikojnë si ristrukturimin e infrastrukturës ekzistuese ashtu edhe ndërtime të reja, që do të financohen si nga sektori publik ashtu edhe ai privat.

Por ky projekt shihet me skepticizëm nga ekspertët që e kanë ndjekur hap pas hapi ecurinë e zhvillimeve. Eksperti Selami Xhepa thotë për Radio Ejani se Korridori 8 mbetet ide peng e gjeopolitikës.

“Fatkeqësisht zhvillimi i korridorit 8 të transportit vendosur në Konferencën Paneuropiane të Sistemit të Transportit që në vitin 1997 ka mbetur një ide peng e gjeopolitikës dhe konflikteve me natyrë gjeopolitike, për shkak të konkurrencës që ky korridor do t’i bënte tranzitimit të mallrave nga Europa Jugore drejt Turqisë dhe më tutje, drejt Azisë së Vogël. Fatkeqësisht në këtë periudhe kemi patur vëtëm një rehabilitim dhe një qetësim të segmentit rrugor nga Durrësi, Rrogozhina me dalje deri në Pogradec, por që nga ajo periudhë deri nga vitet 2000 asnjë zhvillim tjetër nuk ka ndodhur për arsye të këtyre konflikteve gjeopolitike.”-thotë Xhepa

Sipas Xhepës asnjë nga institucionet financiare europiane nuk e ka parë të arsyeshme vazhdimin e financimit për këtë vepër, megjithëse gjatë viteve qeveritë shqiptare janë përpjekur të lobojnë me qeverinë italiane .

“Në veçanti duke konsideruar që fillimi i Korridorit 8 janë portet italiane të Puljas dhe Barit dhe një gjë të tillë e kemi realizuar dhe me qeverinë italiane në vitin 2005-2006 dhe mesa duket dhe në vazhdimësi me qeveritë e tjera, por duket që interesi i palës italiane është i zbehur, duke bërë që financimi apo vazhdimi i kësaj vepre të mbetet thjesht një projekt në letër.”, thotë eksperti Xhepa

Eksperti thekson se nga ana tjetër duket që vetë bankat e shikojnë me hezitim financimin.

“ Përderisa Greqia ka vazhduar ndërkohë me financimet europiane, të ndërtojë dy segmente të rëndësishme rrugore në vendin e saj, që është Rruga nga Igumenica deri në Selanik dhe Rruga tjetër Patër-Athinë-Selanik, pra duke realizuar kështu një unazë të plotë për të realizuar transportimin e të gjithë mallrave që vijnë nga Europa Jugore drejt Turqisë në dalje nga Turqia në kontinentin Aziatik dhe që për pasojë këto dy korridore Greqisë i bëjnë një konkurrencë të drejpërdrejtë tranzitimit të mallrave nga portet shqiptare drejt Turqisë dhe më tutje pastaj për t’u bashkuar me korridoret e tjera paneuropiane për të dalë nga Bullgaria në Turqi dhe në Azi. Kështu që mesa duket ky do të ngelet një projekt vetëm në letër ndoshta dhe për një periudhë afatgjatë, dy apo tre dekada do të jetë vështirë që të sigurohen financimet e nevojshme për realizimin e një vepre të tillë.”- përfundon eksperti Xhepa.