Ka bërë jehonë lajmi për praninë e një biznesmeneje shqiptare në kopertinën e prestigjozes Forbes. Ajo quhet Anaida Deti, themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e DentalX, një grua grua shqiptare, e nderuar me çmime që zotëron dhe operon praktikë dentare në Kanada. Deti ka lindur në Durrës dhe vjen nga një familje e thjeshtë. Për Radio Ejani ajo tregon më shumë për karrierën e saj, largimin nga Shqipëria e deri tek ftesa për në Forbes. Është larguar nga Shqipëria në dhjetor të vitit 1997, në një vit të vështirë për shumë shqiptarë.

Anaida Deti (Albusinessmagazine)

Anaida Deti (Albusinessmagazine)

Anaida Deti në fillim ka emigruar në Itali dhe më pas në Kanada, ku ndodhet sot.

“Rrugëtimi ka qenë padiskutim shumë i vështirë. Unë kam ardhur në Kanada në vitin 2002 pasi kisha jetuar mbi 5 vite në Itali, ku vazhdoja universitetin dentar. Kur erdha në Kanada më është dashur të filloj çdo gjë nga zero. Fillova të mësoja anglishten, mora diplomën e gjimnazit dhe pastaj hyra në kolegj për asistente dentiste. Punova 1 vit e gjysmë, por doja të bëja diçka më tepër. Vendosa t’i kthehesha prapë studimeve. Vendosa të vazhdoja kolegjin për higjieniste dentare që ishte dy vite. Tani kam mbi 10 vite që jam diplomuar dhe kam marrë licencën shtetërore. Vendosa të hap diçka timen pasi punova për klinika dentare. “-shprehet Deti

Anaidi Deti (Forbes)

Anaidi Deti (Forbes)

Një hap i rëndësishëm për të ka qenë ndërtimi i biznesit, klinika e saj private; DentalX.

“Klinikën time e kam hapur në maj të 2016, pas 9 muajsh kërkimi. Fillimi si gjithmonë ishte shumë i vështirë, por tani kam më shumë se 3000 pacientë, që trajtojmë në klinikë. Unë kam një pasion shumë të madh për punën që bëj dhe kjo ka qenë shumë e lehtë të transferohej te stafi dhe pacientët. Jam shumë e kënaqur edhe pse sfidat kanë qenë të shumta. Tani po hap një klinikë tjetër dentare në Toronto të Kanadasë. “-thotë sipërmarrësja Deti.

Anaida Deti (Ceo) ( Industry wired)

Anaida Deti (Ceo) ( Industry wired)

Deti tregon se revista “Forbes” ishte në kërkim të biznesmenëve të rinj, për të dhënë keshilla rreth sukseseve në biznes. “Forbes” shpesh, thotë Deti, bën pjesë të saj sipërmarrës jo shumë të dëgjuar, por përfshin edhe personazhe të rinj për të dhënë inspirim për publikun. Një ditë të bukur sipërmarrësja shqiptare ishte një prej tyre.

“ Forbes ishte në kërkim të bizneseve të reja, të japin këshilla rreth biznesit, si të jenë të suksesshëm. Shumë herë kompani prestiogjioze kërkojnë për persona të rin,j jo shumë të njohur për publikun që të japin inspirim për njerëzit. Jo gjithmonë njerëzit duan të shikojnë vetëm Mark Zuckerberg apo Jeff Bezos. Ata duan të shikojnë edhe njerëz si ata, që të kuptojnë që shumë gjëra arrihen, nuk janë të paarritshme. Unë u kontaktova nga Mindful Media Pior, që është një nga kompanitë më të suksesshme në Amerikën e Veriut dhe e vlerësuar nga Forbes. Themeluesi i kësaj kompanie është kanadezi më i ri që ka shëtitur të gjithë botën në një kohë të shkurtër dhe ai bën pjesë në Counsel të Forbes. Ai ka qenë edhe në Shqipëri dhe ka një respekt shumë të madh për shqipëtarët. Ai dhe kompania e tij kanë miliona ndjekës dhe janë shumë të njohur për punën e tyre. Ata kishin dëgjuar për mua dhe kishin shumë dëshirë të më njihnin”, tregon sipërmarrësja Deti.

Detit i është dashur të japë disa intervista deri në finalizimin e daljes së saj në kopertinën e pare të revistës “Forbes”.

“Pasi bëra shumë intervista me ta më thanë që unë do të isha një person shumë inspirues për publikun. Pasi historia imë kishte kaluar disa faza pranimi, Counsel kishte vendosur që jo vetëm të jepja këshilla biznesi, por edhe të shtoja historinë time për të inspiruar sa më shumë persona. Tani e njëjta kompani më ka ofruar të punoj me ta për projekte të reja. Gjithashtu jam duke punuar me Natasha Granon që është Motivational speaker (Motivuese). Ajo njihet si versioni femër i Tony Robins. Njeriu duhet të punojë shumë për të arritur ëndrrat. Çdo gjë është e mundur. Nuk duhen humbur shpresat në asnjë moment” thotë Anaida Deti.

Sipërmarrësja Anaida Deti (Twitter)

Sipërmarrësja Anaida Deti (Twitter)

Prania në “Forbes” menjëherë i ka sjellë oferta bashkëpunimi me kompani apo edhe me bashkëpunime të reja siprmarrëses me origjinë shqiptare. Gjithashtu në planet e sipërmarrëses Anaida Deti është zgjerimi i mëtejshëm i biznesit të saj në shërbim të shërbimit dentar.