Agim Rrapaj Kreu i KASH (Vizion Plus)

Agim Rrapaj Kreu i KASH (Vizion Plus)

Rritjen e çmimeve për disa produkte të shportës, ekspertët e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) e lidhin me nevojën e Shqipërisë për të importuar, kjo për shkak se prodhimi shqiptar nuk mbulon dot as nevojat e konsumatorëve. KASH ngriti shqetësimin në media lidhur me situatën aktuale, e cila reflektohet direkt tek konsumatorët Sigurisht në një ekonomi tregu vendos çmimi dhe oferta. Shqipëria gëzon produkte, por nuk është në gjendje të përballojë 100% kërkesat dhe nevojat e konsumatorit. Sipas përllogaritjeve vendi ynë importon më shumë sesa prodhon për nevojat e konsumatorit dhe sfidë mbetet balancimi i kërkesës me ofertën.

Por si bëhet kjo? Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj thotë se duhen zgjidhur disa probleme si rimbursimi i TVSH 6% për fermerët dhe 20% për ata që importojnë. Subvencionimi nuk është në nivelin që kërkon për të ekuiliburar rajonin dhe importin dhe sipas Rrapajt duhet rregulluar që të shkojmë te çmimi që konsumtarori ka mundësi të blejë.


“Jemi në ekonominë e tregut. Në ekonominë e tregut vendos çmimi dhe oferta. Ne kemi ofertë, kemi produkte por nuk i realizojmë ato 100%. Te gjithë duhet të dimë që ne importojmë ushqime 4 herë më shumë sesa prodhojmë në Shqipëri për nevojat e konsumatorit. Pra, kërkesa dhe oferta me produktet tona nuk përputhet”- thotë Rrapaj


Ekspertët sugjerojnë që qeveria të bëjë studime të mirëfillta të zonave për të parë se cilat kultura i përshtaten dhe kjo do të sillte një rajonizim të saktë të kulturave dhe në finale do të përkthehej në rritjen e prodhimit në vend dhe uljen e kostove.

“Problemi i parë i pazgjidhur për ne mbetet rimbursimi i TVSH 6% për fermerët dhe 20% për atat që importojnë. Kemi momente të vështira përsa i përket financimit dhe financimi, sidomos suvencioni nuk është në nivelin që kërkon për të ekuilibruar rajonin dhe importin. Është një element shumë i rëndësishëm që duhet rregulluar në mënyrë që ne të shkojmë te çmimi që konsumatori real në Shqipëri ka mundësi të blejë. Elementi tjetër i rëndësishëm janë faktorët që ne po na godasin, janë faktorë objektivë që nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Është tërmeti, pandemia, kushtet e vështira të motit”thekson kreu i KASH

Në daljet për mediat përfaqësues të biznesit agro vijojnë të kërkojnë nga qeveria të ndërhyjë në problemet ekzistuese. Si problem i akumuluar ndër vite është mungesa e formalizimit.

Pavarësisht nga fakti që duket afatgjatë si propozim, por ne sot kemi tre grupime fermerësh. Kemi grupime fermerësh që punojnë në bujqësi, por prodhojnë vetëm për konsum të brendshëm të familjeve dhe blegtorisë së tyre, është një grupim i madh. Një grupim tjetër prodhon për veten e tyre, për blegtorinë e tyre, por u mbeten një tepricë për treg. Kemi dhe një grupim të vogël në numër, që prodhon për tregun e vendit dhe për eksport. Të tre këto grupime kanë një dispozicion shumë të madh. Grupimi i tretë zë përafërsisht 18% dhe këta janë të formalizuarit; dy grupimet e tjera janë të paformalizuar dhe kanë probleme për të shitur, për të marrë kredi, për të investuar, për të punuar tokën dhe ne kemi një sipërfaqe tokë mjaft të madhe të papunuar në vite”thotë Rrapaj.

Pakënaqësi ka edhe për zërin që caktohet në bujqësi. Në kohën kur kjo fushë kontribuuon me rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto (GDP_, eskpertët thonë se duhet më shumë vemendje në zërin e fondeve. Programet aktuale te financimit sipas KASH nuk janë të mjaftueshme për të nxitur bujqësinë.

“Unë do të tërhiqja vëmendje te një fenomen i cili nuk po stabilizohet dhe në këtë fazë ku jemi është i domosdoshëm për të ndërhyrë. Shpenzimet e planifikuara për bujqësinë janë maksimumi 2 deri 2.2% kur bujqësia jep rreth 20% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (GDP). Ky raport kaq i dispropocionuar nuk mund të vazhdojë kështu për të përballuar këtë situatë që na vjen. Është e domosdoshme që qeveria ta ndryshojë këtë raport në favor të rritjes së shpenzimeve sepse me këto lloj programesh financimi, sistemi nuk mban dot veten, është minimumi i mundshëm dhe ne mos presim që të përballojmë vështirësitë me këtë lloj financimi. Kjo është e para e rëndësishme; e dyta ka të bëjë me disa ndryshime strukturore që duhen bërë për të përballuar krizën sepse me mënyrat e vjetra kriza nuk përballohet”, nënvizon eksperti.

Sipas parashikimeve të ekspertëve kriza energjitike do të ketë ndikim dhe te agrobiznesi duke nisur nga financat, kostoja e prodhimit e deri te importi.