Çmimi “Nobel” për Ekonominë 2021 u është dhënë David Card-it, Guido W. Imbens-it dhe Josh Angrist-it, të cilët kanë dhënë kontribut të dukshëm në studimet në ekonominë e punës dhe në analizën e marrëdhënieve shkakësore.

Studimet e Card-it janë fokusuar tek ekonomia e punës, si rroga minimale, të ardhurat nga puna, investimi në arsim, përfitimet nga arsimi, migracioni dhe pabarazia në punësim. Card ka publikuar shumë artikuj në revista ndërkombëtare akademike, si “American Economic Review” (AER) dhe “Journal of Political Economics” (JPE). Ai shpesh përdor të ashtuquajturin Model i Dallimit të Dyfishtë, studimet eksperimentale natyrore dhe metaanalizën, duke hedhur dyshime mbi teoritë e ekonomisë tradicionale.

Në studimet praktike, ai mund të përdorë në mënyrë të shkathët analizën statistikore, për të gjetur të dhënat kyçe me besueshmëri të lartë ndër të dhënat e mëdha. Kështu, studimet e tij mund të ofrojnë rezultat më të besueshëm se modeli tradicional i studimeve. Studime të tilla janë më objektive.

Arritja më e madhe e Cardi-it është studimi mbi rrogën minimale. Sipas ekonomisë tradicionale, rritja e rrogës minimale pakëson nivelin e punësimit në tregun e punës. Card-i me një sërë studimesh të bazuara në provat praktike ka vënë në dyshim me sukses përfundimet e ekonomisë tradicionale që rroga minimale ka lidhje negative me nivelin e punësimit.

Dy fituesit e tjerë kanë ndarë gjysmën tjetër të çmimit “Nobel”. Ata kanë bërë studime kryesisht në fushën e ekonometrikës dhe mikroekonomisë, posaçërisht duke sjellë risi empirike në analizën e shkakësisë. Ata kanë publikuar shumë artikuj me ndikim të thellë në revistat ndërkombëtare, si “Econometrica”, “Quarterly Journal of Economics” (QJE) dhe AER.

Të tre ekonomistët kanë dhënë kontribut në eksperimentimin natyror dhe në testimin e lidhjeve të shkakësisë.

Vitet e fundit i është kushtuar më shumë rëndësi ekonomisë eksperimentale dhe çmimi “Nobel” gjatë këtyre viteve është dhënë për ekonomistë që kanë dhënë kontribut të madh në ekonominë eksperimentale. Arsyeja kryesore është që ekonomia eksperimentale mund të japë këshilla më efektive për çështjet shoqërore, duke ofruar analiza dhe prova më të besueshme për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara shoqërore.

Me rezultatet e pasura dhe analizat serioze të shkakësisë, këta tre ekonomistët kanë ngritur herë pas here dyshime ndaj arritjeve të ekonomisë tradicionale. Kjo tregon që në qarqet ekonomike, ka nevojë për frymë gjykuese dhe rinovuese. Ekonomistët e brezit të ri po drejtojnë një zhvillim më të diversifikuar nëpërmjet risive të guximshme dhe provave të kujdesshme të shkakësisë.

Barazia dhe drejtësia është jo vetëm një çështje e rëndësishme për Kinën, por edhe për tërë botën. Qoftë Kina, qoftë ekonomitë e tjera kryesore, do të përballojnë plakjen e tregut të punës, shtimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve, rënien e të ardhurave të disponueshme personale dhe mosbarazinë e burimeve arsimore dhe mjekësore. Ekonomistët në epokën e re duhet t’u kushtojnë më shumë rëndësi çështjeve mikroshoqërore nën kornizën e barazisë dhe drejtësisë.

Respektimi i fakteve dhe dalja nga modeli i përcaktuar tradicional janë frymëzimi nga Çmimi “Nobel” për Ekonominë. Tani bota po përballon ndryshime si kurrë më parë në 100 vjetët e fundit dhe këto ndryshime ndodhin kudo dhe kurdo. Ndërkohë, po shtohen edhe dyshimet e sulmet ndaj teorive dhe mendimeve tradicionale. Studimet akademike në ekonomi dhe në hartimin e politikave ekonomike duhet të bëhen në bazë të të dhënave, ekonomistët duhet të respektojnë faktet dhe të dalin jashtë modelit të përcaktuar. Kjo është zgjedhja më e mirë për kushtet e reja në gjendjen e tanishme të ndërlikuar.

(Jiang Lei)