Rritja e çmimeve ku përfshihet edhe energjia elektrike, paraqet rrezikshmëri për ekonominë. Kështu është shprehur shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, deklaroi në një konferencë për mediat pas përfundimit të Konsultimeve me Shqipërinë për vitin 2021. Në kohën kur në vend kanë shpërthyer protesta sa i përket rritjes së çmimeve dhe po ashtu ka debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me shtrenjtimet e disa produkteve, Sun u shpreh kundër heqjes së TVSH-së për produktet ushqimore, një propozim ky i opozitës, pasi sipas saj kjo nuk përkthehet në ulje të çmimeve.

“Rritja e çmimeve si rritja e çmimit të energjisë janë rreziqe. Shqipëria ka disa sfida për ekonominë e saj. Duhet strategji për rritjen e të ardhurave tatimore dhe duhet përmirësuar cilësia e investimeve publike. Me një tjetër mandat qeveria është e mirëvendosur për të adresuar këto sfida dhe për të marrë masa. Themeli i këtij plani, duhet të jetë strategjia afatmesme. Duhet rritur cilësia dhe transparenca në shpenzimet publike. Shohim që nevoja është për investime ambicioze duhet të moderohet. Të orientohet drejt atyre personave që kanë më shumë nevojë. Forcimi i buxhetit do të ndihmojë në ruajtjen e besimit në treg. Sistemi bankar ka mbetur stabël dhe likuid. Banka e Shqipërisë duhet të monitorojë. Mbështetur në gjetjet paraprake të FMN, do të paraqesim raportin tonë të stafit dhe do ia japim bordit për të marrjen e vendimit në dhjetor”- tha Sun.

Në lidhje me krizën energjetike apo me rritjen e çmimeve FMN tha se duhen mbështetur familjet në nevojë.

“Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që të moderohen investimet publike tepër ambicioze të financuara nga burimet e brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) duke pasur parasysh kapacitetin e dobët dhe efikasitetin e ulët. Hapësira fiskale e krijuar në këtë mënyrë duhet të përdoret pjesërisht për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe veҫanërisht për vaksinimin, pasi një pjesë më e madhe e popullsisë duhet të vaksinohet si dhe për të siguruar mbështetje për pjesën më në nevojë të shoqërisë, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Në të ardhmen, pasi të forcohet qeverisja dhe të rritet efikasiteti i shpenzimeve publike, si dhe të përmbahen risqet fiskale, përfitimet nga reforma e të ardhurave tatimore mund të përdoren për të mbështetur nevojat e zhvillimit të Shqipërisë”, theksoi shefja e FMN-së për Shqipërinë.

Shefja e FMN-së dhe guverantori i BSH-së (Shqiptarja.com)

Shefja e FMN-së dhe guverantori i BSH-së (Shqiptarja.com)

Në konferencën për mediat Shefja e misionit për Shqipërinë të FMN-së, Yan Sun vuri theksin te rritja e transparencës në shpenzimet publike dhe këto shpenzimet të orientohen tek qytetarët. Një theks të veçantë i vuri edhe luftës ndaj korrupsionit dhe forcimit të sundimit të ligjit.

“Duhet të rritet cilësia dhe transparenca në shpenzimet publike. Për investimet ambicioze, duket të moderohet nga financimi i buxhetit dhe shpenzimet të orientohen tek qytetarët. Rreziqet fiskale në rritej, si PPP, garancitë shtetërore apo ndërmarrjet shtetërore duhet të menaxhohen më mirë. Mbështetja fiskale vjen duke u ulur por politika monetare duhet të jetë lehtësuese. Duhet të forcohen përpjekjet për të sunduar ligji, të eci reforma ligjore dhe të luftohet më tej korrupsioni”, tha Shefja e misionit për Shqipërinë të FMN-së, Yan Sun.

Sipas fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri pas tërmetit dhe pandemisë. Masat e qeverisë kanë qenë efektive thuhet në deklaratë dhe i kanë hapur rrugën rimëkëmbjes. FMN pret një rritje ekonomike këtë vit 7.8%, dhe 3% në vitin e kaluar.

“Ne besojmë se me një strategji të tillë, borxhi i qeverisë mund të kthehet afër 65 për qind të PBB-së deri në vitin 2026, që do të thotë se do të ketë përsëri hapësirë të mirë politike për të adresuar goditjet e reja që mund të kalojë vendi. Të ardhurat tatimore shtesë duhen ruajtur për uljen më të shpejtë të defiçitit dhe borxhit. Nëse rimëkëmbja has në pengesa, mund të ndërmerren më shumë masa mbështetëse sesa ishte parashikuar.”, nënvizoi Yan Sun

Shefja e misionit FMN për Shqipërinë Yan Sun (RTSH)

Shefja e misionit FMN për Shqipërinë Yan Sun (RTSH)

Sa i pëerket PPP-ve në vend, FMN kërkon një menaxhim edhe më të fortë të tyre.

“Rritja e shpejtë e stokut të partneriteteve publike private (PPP) që pritet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind në vitin 2018 kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike. Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme” tha në konferencë shefja e FMN-së për Shqipërinë.

Po ashtu theksohet se Shqipëria ka bërë përparim në përmirësimin e kuadrit të saj ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe duhet të vazhdojë përpjekjet e saj.