Dalja në konferencë për shtyp e kryeministrit Rama për t’i komunikuar publikut situatën e vështirë që i kanoset Evropës dhe Shqipërisë, si pasojë e një krize shumë të fortë energjitike, është komentuar në mënyra të ndryshme nga përfaqësues politikë, ekspertë të energjitikës dhe përfaqësues të biznesit.

Eduard Elezi, ish-drejtor juridik në Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, në analizën e bërë për mediat thotë se kjo nuk është krizë energjetike por keqmenaxhimi dhe abuzim.

Kriza energjitike (Alsat M)

Kriza energjitike (Alsat M)

Elezi nuk e quan si krizë energjitike por financiare situatën e krijuar, pasi sipas tij nuk mungon prodhimi i energjisë por problemi qëndron tek tarifat dhe keqmenaxhimi. Energji ka, por në bursa çmimet janë shumë të larta në këto momente, thotë eksperti i enegjisë.

“Është shitur energjia elektrike me çmime që vetëm organe të tjera si ekspert i energjisë elektrike nuk e shpjegon dot këtë dhe tani që e kanë tharë liqenin nuk kanë mundësi prodhimi, atëherë këta mundohen që të blejnë energji për të furnizuar konsumatorët. Normalisht, tregjet rajonale janë në momentin e tyre të rritjes së tarifës elektrike sepse gjithmonë dihet në fund të periudhës shtator dhe deri në nëntor ka një rritje të çdo burse. Sivjet ka ndodhur që bursa është pak mbi atë që ka ndodhur çdo vit.”- thotë eksperti Eduart Elezi

Eksperti Eduart Elezi

Eksperti Eduart Elezi

Përpara se të mendohet për një rritje të çmimit të energjisë, eksperti Elezi thotë se duhet të analizohen mirë tarifat import-eksport dhe kapacitetet prodhuese, si dhe ekzistenca e tregut monopol.

“Ka dhe një problematikë tjetër që është pjesa e blerjes së energjisë me çmime rekord nga operatori i sistemit të shpërndarjes. Pse blihet kështu ose pse shitet kaq lirë nga Koorporata kur çmimet në bursën e Opeksit, aty ku referohet i gjithë Ballkani, janë diku te 120 deri në 150 euro për MW për momentin. KESH ka shitur me 20 deri 30 euro për MW€ me prodhimet ku çmimet ishin me këtë tarifë dhe OSHEE, diku këtu është tarifa, po blejnë me çmime 230 euro. Këtu ka një monopol, këtu duhen organe të tjera. Di të them që akoma ne punojmë me teknologjinë e vjetër në përdorimin e fondeve publike. Problematika e dytë është kujdesi ndaj këtij sektori sepse dihet, janë dy-tre kompani të cilat dominojnë tregun rajonal dhe marrin pjesë në tendera dy tre kompani shqiptare të cilave po t’u hysh në përbërjen e tyre kanë problematika”- shprehet Elezi.

Një rritje e mëtejshme e çmimit do të ishte direkt një goditje për konsumatorët, ndaj duhet një analizë e detajuar në mënyrë që mos të ndërmerren veprime të nxituara që rëndojnë xhepat e tyre.

“Tarifat e energjisë elektrike për qytetarin dhe biznesin shqiptar nuk është se duhet të shihen direkt, pse u rrit bursa në Hungari. Ka shumë komponentë për të vlerësuar ose vendosur rritjen ose jo të çmimit të energjisë elektrike. Duhet të shihen të gjithë komponentët si sasia e energjisë që ti ke shitur, sasia e energjisë që ti po blen, periudhat kur e ke shitur. Duhet bërë një analizë e plotë e sektorit për të folur nëse duhet të rritet çmimi apo jo. Deri në vitet 2019 ka pasur kërkesa nga OSHEE që të shkojë çmimi 20 lekë për kw/h. Nga 9,5 lekë për qytetarin familjar ka pasur kërkesa deri në 18 lekë.”- thekson eksperti.

Kryeministri Rama njofton krizën energjitike (TV Klan)

Kryeministri Rama njofton krizën energjitike (TV Klan)

Ekspertët ngrenë shqetësimin se kjo barrë bie te produkti final, pra tek konsumatori. Edhe përfaqësues të biznesit ngrenë shqetësimin për një lëvizje të tillë në çmim, pasi sipas tyre përveç konsumatorit të gjithë sektorët e ekonomisë do të preken nga kriza energjetike. Mallrat në bursë dhe mallrat bazë (energjia, gazi, karburanti) janë produkte që ndikojnë në mënyrë të njëtrajtshme në ekonomi.

Në analizat e bëra në media duke parë situatën aktuale, ekspertët kanë bërë thirrje të ndërmerren hapa konkretë për përballimin e krizës energjetike, si lehtësim i taksave për produktet e shportës dhe energjinë elektrike. Një hap i rëndësishëm për to është edhe krijimi i një fondi emergjence për familjet në nevojë, që ta kenë më të lehtë përballimin e krizës energjetike në një kohë që dimri po afron. Një skenar tjetër që sugjerohet për bizneset që mund të preken nga shtrenjtimi i energjisë është përdorimi i skemave subvencionuese nga shteti, apo nxitja e inevstimeve në energjinë e rinovueshme.