Ekonomia shqiptare u rrit me rreth 18% në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat bëhen publike nga Instituti i Statistikave duke dhënë kështu sinjale të forta pozitive të rimëkëmbjes.

Konkretisht, kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Industri, Energji dhe Uji me +4,13 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +4,09 pikë përqindje, Ndërtimi me +3,42 pikë përqindje dhe më pas vijnë sektorë të tjerë. Negativisht në këtë periudhë kontribuan aktivitete si Bujqësia, Pyje dhe Peshkim me minus 0,19 pikë përqindje.

Nëse bëjmë krahasime me me tremujorin e dytë të vitit 2020; Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 0,61 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 39,85 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 41,68 % kjo për shkak edhe të ritmeve të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Po ashtu sipas të dhënave të Instat-it, Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 31,80%. Publikimi i shifrave për Produktin e Brendshëm Bruto është komentuar edhe nga përfaqësues të qeverisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se shifra jep sinjale pozitive për ecurinë e qëndrueshme ekonomike dhe për arritjen e objektivit për një rritje ekonomike prej 4.5% në vitet e ardhshme.

“Ekonomia shqiptare, që në vitin 2020 tregoi që kishte aftësi rikuperuese dhe bizneset shqiptare treguan se kishin qëndrueshmëri për të përballuar jo vetëm krizën e pandemisë, por edhe krizën e tërmetit. Në tremujorin e dytë të këtij viti rritja shënoi 18%, ose 17.9% për të qënë më të saktë. Kjo shifër na jep sinjale pozitive për ecurinë e qëndrueshme në të ardhmen dhe gjithashtu na bën besimplotë për politikat e ndërmarra tashmë për rimëkëmbjen ekonomike, për garantimin e qëndrueshmërisë së saj dhe për arritjen e objektivit për një rritje ekonomike të qëndrueshme prej 4.5% në vitet e ardhshme. Zbatimi i reformave të programit ambicioz të qeverisë dhe ecuria e deritanishme na bën besimplotë për këtë. Norma vjetore e Produktit të Brendshëm Bruto u zgjerua me rreth 18%, ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit ishte 5.5%. Pra, ka ardhur duke u rritur dhe duke u përmirësuar. Në total, sa i përket gjashtëmujorit, ekonomia shqiptare u rrit me 11.7%, që është rritja më e madhe në rajon”, -tha ministrja.

Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, të gjithë ekonomitë e rajonit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, kanë pasur një rritje më të ulët, e vetmja ka qenë Kosova që ka pasur një rritje dyshifrore, por nuk arrin rritjen ekonomike të Shqipërisë prej 11.7% si gjashtëmujor. Ndërkohë, sipas analizës së Instat-it, Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 27,31%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10,09 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq po ashtu me performance pozitive.

“Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka rezultuar me bazë të gjerë, duke u mbështetur nga performanca e mirë e sektorit privat dhe nga kërkesa e brendshme. Kontributi i kërkesës së brendshme në zgjerimin e aktivitetit ekonomik është 17.7 pikë përqindje nga rritja prej 17.9 , ndërkohë që kërkesa e huaj, si edhe vitin e kaluar, ka rezultuar e dobët. Megjithatë, kontributi i kërkesës së huaj ka ardhur si pasojë e rritjes së eksporteve, si edhe rritjes së importeve. Aktiviteti ekonomik i shtuar ka çuar në rritje të tregtisë që ka nxitur më tej rritjen ekonomik”, -deklaroi Ibrahimaj.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 9,83% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit që lamë pas, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 10,97%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në këtë periudhë u rritën me 130.55%, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 53,64%.

“Kontributi i sektorit privat, pra konsumi final i popullatës, ka ardhur në rritje, i mbështetur nga pagat e luftës, nga rritja e pagës minimale, nga rritja e kredisë konsumatore, pra të gjithë elementët e financimit të konsumit kanë ardhur në rritje, e gjithashtu shpenzimet e qytetarëve kanë ardhur në rritje. Këto janë në linjë me masat e suksesshme të ndërmarra gjatë vitit të kaluar, ato që janë ndërmarrë këtë vit dhe ato që planifikohen të merren në të ardhmen për të garantuar një rritje të qenësishme të konsumit për periudhat në vijim. Komponent tjetër pozitiv në kahun e shpenzimeve është formimi bruto i kapitalit fiks ose investimet. Ndërkohë që kërkesa e jashtme, siç e thashë, ndonëse pozitive, ka pasur një kontribut më të ulët”.

Ministrja e Financave thekson peshën e ndikimit të ndërtimit në ekonomi në sajë të investimeve të ndërmarra nga qeveria:

“Në vijim të ecurisë pozitive, sektori i ndërtimit është ndikuar si nga investimet publike, ashtu edhe nga ato private. Kjo ecuri e deritanishme është një dëshmi e masave të suksesshme të qeverisë në lidhje me investimet në kuadër të rindërtimit pas tërmetit, si të investimeve në infrastrukturë, të cilat do të vijojnë edhe në të ardhmen. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia gjithashtu kanë pasur kontribut pozitiv, duke reflektuar fushatën e suksesshme të vaksinimit të popullsisë si dhe investimet e tjera në sistemin shëndetësor, të cilat ndër vite janë ndërmarrë tashmë”.