Media, por edhe vetë qytetarët ngritën shqetësimin e rritjes se çmimit të bukës gjatë muajit shtator. Më vonë pakënaqësi pati për rritje të çmimeve për një sërë produktesh të shportës ushqimore me çmim 10 deri ne 20 lekë më shumë.

Kjo rritje e çmimit ka shqetësuar konsumatorët, të cilët kërkojnë që qeveria të rrisë të ardhurat. Paralelisht me rritjen e çmimit të ushqimeve qytetarët ankohen edhe për rritjen e çmimit të frutave dhe perimeve. Ndërkohë në furrat e bukës u vërejt shtrenjtimi i bukës 10 deri në 20 lekë më shumë ku shkak për këtë rritje mësohet se është bërë rritja e çmimit të miellit, të paktën siç raportuan importuesit.

Në një intervistë për Radio Ejani, Drejtorja ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, Ersida Teliti thotë se konsumatorët vazhdojnë të ankohen vazhdimisht për luhatje të çmimeve në treg për artikuj të ndryshëm.

“Ditët e sotme në tregun konsumator është vënë re një rritje e çmimeve të produkteve nga më të ndryshmet, të cilat në fakt kanë ndikuar drejtpërdrejt te konsumatori, te niveli i jetesës dhe te kosto në fund të muajit që rëndon te konsumatori. Duhet theksuar që në këtë kohë ankesat kryesore kanë qenë për rritjen e çmimit të bukës dhe pse e parë në këndvështrimin e tregtarëve kjo rritje ka qenë e papërfillshme, por në totalin e peshës së çmimeve zinte një peshë të rëndësishme te konsumatori. Ankesat kryesore që vazhdojnë ende të jenë përveç rritjes së çmimit të bukës, nëse do të shikojmë faqen e Autoritetit të Konkurrencës më herët ka pasur disa lëvizje përsa i përket çmimit dhe ndryshimeve të vajit në marrëveshjen e disa subjekteve. Pra në tërësi mallrat apo produktet kryesore të shportës kanë pësuar një rritje, e cila në fakt nuk është shoqëruar respektivisht me një rritje të rrogës në mënyrë që të ruhet standardi, niveli i jetesës. Pra, konsumatorët në këtë kontekst kanë qenë të pambrojtur”- thotë Ersida Teliti.

Ekspertja Ersida Teliti (YouTube)

Ekspertja Ersida Teliti (YouTube)

Çmimet e konsumit shënuan një rritje të lehtë me 0,2% gjatë muajit gusht të këtij viti, krahasuar me muajin korrik. Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) krahasuar me muajin korrik të këtij viti, çmimet e grupeve “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “transporti” u rritën me 0,5 % secili, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,4%, “pije alkoolike dhe duhan”, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “argëtim dhe kulturë” me 0,1% secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 0,3%.

Qytetarët nuk janë të kënaqur as me shërbime për produkte që blejnë brenda garancisë.

“Përsa i përket ankesave kryesore të konsumatorëve, fokus kryesor i tyre është çështja e garancisë dhe cilësisë së produkteve, kryesisht për ato joushqimore, kur konsumatorët blejnë produkte për të cilat më pas nuk marrin shërbimin e duhur në garancinë e mallrave dhe shërbimeve. Blejnë produkte të cilat mendohet se nuk plotësojnë standardet dhe kërkesat kryesore të sigurisë, por edhe të konformitetit. Pra në fletët e garancive shoqëruese parashikohet që në rastin kur produkti pëson më shumë sesa dy herë defekt, i cili rregullohet nga teknikët, konsumatori ka të drejtë të zgjedhë midis një produkti tjetër pa të meta apo dhe mundësisë që të blihet një produkt tjetër me vlerë më të madhe. Vihen re afate garancie nën dy vjet dhe konstatohet që afati i garancisë është ngushtësisht i lidhur me vlerën e çmimit, gjë që është në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.

Sigurisht mbajnë rekord ankesat që kryesisht janë të lidhura me telefoninë celulare, por dhe me marrëdhëniet me bankat dhe kreditë konsumatore për të cilat reagimi i institucioneve duhet të jetë më i madh.

Për fat të keq sipas Telitit, periudha e pandemisë është shoqëruar me një zbehje të rolit të veprimtarisë të institucioneve në fushën e mbrojtjes së konsumatorit

“Për faktin e vetëm sepse pjesa më e madhe e këtyre institucioneve kanë qenë pjesë e taskforcës për masat e marra nga Covid, por edhe sepse përqendrohet i gjithë fokusi pikërisht te roli i konsumatorit si pacient. Nëse do të shikoni faqen e Autoritetit të Konkurencës ka një sërë vendimesh përsa i përket ndryshimit të çmimeve dhe në produkte të tilla siç janë maska, doreza apo dezifektant dhe janë të pakta vendime që janë në institucione të tjera që kanë në fokus të drejtpërdrejt mbrojtjen e konsumatorëve. Një mesazh që mund t’u jepet të gjithë institucioneve por edhe konsumatorëve është që konsumatorët në rast se kanë informacion të ankohen, nëse nuk kanë informacion t’u drejtohen organizatave fitimprurëse dhe institucioneve për të marrë informacionin e duhur”, tha ekspertja

Teliti u bën thirrje qytetarëve të denocojnë çdo rast dhe të tregohen të kujdesshëm.

“Në çdo rast që do të firmosin një kontratë mos ta firmosin atë pa e lexuar ose pa e parë më parë dhe pa marrë këshillën e duhur nga një profesionist dhe sigurisht të mund të ngrejnë zërin. Nëse dyshimi i konsumatoreve është në lidhje me cilësine dhe me mënyrën e veprimit të institucioneve të provojnë të ankohen, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore që njihen nga ligji në fuqi” thekson Teliti.

Qendra “Konsumatori Shqiptar” merr çdo ditë ankesa të ndryshme nga qytetarët. Ekspertja Teliti i bën thirrje konsumatoreve të ngrenë zërin për çdo padrejtësi, pasi në çdo rast ruhet anonimati dhe përcillet ankesa tek instancat përkatëse.