Rritje e madhe në të ardhurat turistike

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Kinës publikoi të dhënat mbi udhëtimet dhe konsumin gjatë Festës së Mesvjeshtës 2021. Gjatë pushimeve 3-ditore me rastin e kësaj feste, janë bërë 881.59 milionë udhëtime, çka është 87.2 % e nivelit të vitit 2019. Të ardhurat turistike shënuan vlerën mbi 37.14 miliardë juanë, ose sa 78.6% e të ardhurave të vitit 2019.

Krahas të dhënave nga kjo ministri, edhe shifrat e platformave kryesore turistike tregojnë që gjatë Festës së Mesvjeshtës, njerëzit parapëlqyen turizmin familjar dhe destinacionet e nxehta ishin parqet tematike dhe resortet në zonat rurale.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, gjatë festës, krahinat e ndryshme kanë bërë promovime për “turizëm vendor nga banorët vendorë”, duke publikuar një sërë produktesh kulturore dhe turistike me veçanti vendore dhe popullore. Turizmi në periferi të qyteteve, në zonat rurale e duke e ngarë vetë makinën janë bërë zgjedhjet kryesore. Krahas kësaj, hapja e parkut tematik “Universal Studios” të Pekinit ka tërhequr një numër të madh vizitorësh, duke nxitur një fluks të madh edhe te parqet e tjera argëtuese, si “Disneyland” i Shangait, “Lugina e lumtur” e Pekinit dhe Resorti Oqeanik Ndërkombëtar “Chimelong” në Zhuhai.

Sipas të dhënave nga “Ctrip.com”, gjatë pushimeve të Festës së Mesvjeshtës 2021, 56 % e turistëve kanë zgjedhur vizitat në zonat e afërta dhe ky nivel është më i lartë se në Festën e Mesvjeshtës 2019, në Festën e Varkës të Dragoit dhe Ditën e Pastrimit të Varreve (Qingming). Në krahasim me vitin 2019, niveli i rezervimit të hoteleve është rritur me mbi 20 % dhe i biletave të zonave turistike me 30 %, ndërsa marrja me qira e makinave është shtuar me 77 %.

Sipas raportit nga “Qunar.com”, turizmi me familje dhe fëmijë është bërë mënyra kryesore gjatë Festës së Mesvjeshtës. Numri i turistëve familjarë zuri mbi 40 % të numrit të përgjithshëm. Ndër të gjitha krahinat, Pekini është bërë destinacioni më i preferuar, pasi në kryeqytet është hapur zyrtarisht parku argëtues “Universal Studios“.

Analistja e lartë e Qendrës së Studimeve Strategjike të Institutit “Ctrip”, Shen Jiani, u shpreh që, me kërkesat e shumëllojshme të konsumit turistik, turizmi në zonat ku banojnë dhe në zonat përreth po bëhet pjesë e jetës së njerëzve. Përveç pikave tradicionale turistike, po përdoren më gjerësisht edhe mënyrat e tjera të turizmit, si komplekset turistike, parqet e argëtimit dhe kampingu me rulota. Sipas parashikimeve nga “Ctrip.com”, turizmi në zonat përreth do të vazhdojë deri në pushimet e Ditës Kombëtare.

Pekini, destinacioni nr. 1 turistik

Me hapjen e “Universal Studios” të Pekinit, konsumi në tregun e Pekinit është bërë shumë i nxehtë. Ndërmarrjet kanë bërë përgatitje për integrimin e konsumit komercial me elementet kulturore, duke krijuar një atmosferë shumë të mirë për konsumin gjatë festës. Gjatë pushimeve të Festës së Mesvjeshtës, 100 ndërmarrjet kryesore të Pekinit, të cilat mbulojnë qendra tregtare, supermarkete, dyqane për marka të posaçme, restorante e lokale dhe platforma të tregtisë elektronike, shënuan një vlerë shitjesh prej 2.66 miliardë juanësh, 9.2 % më shumë se një vit më parë dhe 6.3 % më shumë se në 2019-n. Numri i vizitorëve në 52 qarqet kryesore komerciale të Pekinit arriti në 13.71 milionë, shifër kjo e njëjtë me atë të vitit 2020.

Më 20 shtator, kur u hap “Universal Studios” i Pekinit, të gjitha biletat u shitën brenda një minute dhe afro 60 % e tyre u blenë nga banorë jashtë Pekinit.

Përveç biletave, edhe mallrat me elemente të famshme në bazë të filmave të “Hollivudit” kanë tërhequr shumë njerëz. Një vizitor që shkoi në “Universal Studio” në ditën e parë të hapjes thotë që ai ka shpenzuar afro 2 mijë juanë vetëm për suveniret.

Për turistët nga jashtë Pekinit, mallrat lokale pekinase janë mjaft tërheqëse. Jashtë stacionit të metrosë “Universal Studio” të Pekinit, ndodhen rreth 30 dyqane mallrash tradicionale dhe të markave të njohura pekinase. Pijet freskuese, turshitë lokale, dhuratat me elemente pekinase...kanë tërhequr njerëzit.

Sipas të dhënave nga “UnionPay”, shitja e biletave turistike në Pekin shënoi rritje me 7 % krahasuar me një vit më parë. Në krahasim me vitin 2019, niveli i konsumit për sa i përket shitjes së biletave, akomodimit, zbavitjes dhe shërbimeve vendore ka pasur rritje përkatësisht me 41.4%, 19.8%, 18% dhe 15%. (Jiang Lei)