Në Forumin Ekonomik të Brukselit në qershor u dha një vlerësim optimist për rimëkëmbjen e BE-së. Në këtë takim u premtua se pas 18 muajsh, të gjitha 27 shtetet anëtare do të shërohen nga kriza. Por u vu në dukje se ky është rezultat i vendimeve të politikave që janë marrë që në fillim të pandemisë.

Shifrat më të fundit të prodhimit dhe punësimit duket se e vërtetojnë këtë pretendim të guximshëm. Sipas “The Economist”, më 23 gusht, vlerësimi paraprak i indeksit të menaxherëve të blerjes në Eurozonë, një studim mujor i kompanive i përpiluar nga “IHS Markit”, tregoi se punësimi në korrik dhe gusht është rritur me ritmin më të shpejtë mujor në 21 vjet. Kjo u ndoq nga të dhëna pozitive zyrtare mbi prodhimin dhe punësimin, javën e kaluar.

Në forum iu dha meritë qeverive evropiane për parandalimin e rritjes së madhe të papunësisë gjatë krizës. Eurozona përjetoi një kulm shumë më të ulët të papunësisë sesa Amerika, kryesisht sepse qeveritë reaguan me shpejtësi për zgjerimin e skemave kombëtare për parandalimin e humbjes së vendeve të punës.

Në Gjermani, për shembull, u zbatua programi “Kurzarbeit”, i cili i lejon punëtorët të punojnë më pak orë për një pagë më të ulët, për të shmangur pushimin nga puna. Punonjësit e agjencive u përfshinë për herë të parë në program dhe qeveria ofroi më tepër para, duke rimbursuar të paktën 60% të pagave dhe 100% të sigurimeve shoqërore.

Në Itali, u lehtësuan kufizimet në lidhje me madhësinë dhe llojin e firmave që kanë të drejtë të përfitojnë mbështetje qeveritare dhe u thjeshtuan proceset për të kërkuar mbështetje financiare. Sidoqoftë, përpjekja për të ndaluar pushimet nga puna ishte e pasuksesshme.

Megjithatë, të dhënat e papunësisë paraqesin një pamje të rreme pozitive të tregut të punës në Eurozonë, dhe kjo për dy arsye. Së pari, niveli i pjesëmarrjes te fuqia punëtore ra ndjeshëm me goditjen e krizës, dhe ende nuk është rimëkëmbur. Në kontrast me Amerikën, ku më shumë se gjysma e rënies së pjesëmarrjes në punë ka të bëjë me persona që kanë dalë në pension gjatë pandemisë, në Evropë, rënia u përhap në mënyrë më të barabartë dhe përfshin shumë punëtorë të rinj, të cilët me siguri do të duan të rifillojnë punë në të ardhmen.

Në total, rreth 2.5 milionë më pak njerëz janë në punë në krahasim me fundin e vitit 2019, dhe shumica dërmuese nuk klasifikohen si të papunë, pasi nuk janë duke kërkuar punë në mënyrë aktive. Sipas të dhënave më të fundit, përcjellë nga “Monitor”, rreth gjysma e mungesës së vendeve të punës ishte në Spanjë dhe Itali, të cilat historikisht kanë pasur probleme serioze me krijimin e vendeve të punës.

Me miliona njerëz ende janë duke përdorur skemat e ruajtjes së vendeve të punës dhe ata trajtohen si të punësuar për qëllimet e statistikave zyrtare. Banka Qendrore Evropiane, kohët e fundit, vlerësoi se rreth 5% e fuqisë punëtore ishte ende e regjistruar në këto programe në maj, ose afërsisht 10 milionë njerëz.

Disa mund të tundohen të rrisin orët e punës gjatë muajve të ardhshëm, ndërkohë që skemat bëhen më pak bujare, apo edhe skadojnë, siç do të ndodhë në fund të dhjetorit në katër ekonomi të më të mëdha të BE-së. Por të tjerë, veçanërisht punëtorët sezonalë, mund të zbulojnë se nuk ka më punë në dispozicion. Pa dyshim që do të ketë thirrje për zgjerimin e skemave, të paktën për industritë që janë prekur më tepër nga masat kufizuese, si shitja me pakicë, rekreacioni dhe hoteleria.

Kështu, politikanët do të përballen me një akt delikat balancimi. Zgjerimi i skemave të ruajtjes së punësimit i ngarkon më shumë financat e qeverisë: borxhi publik në të gjithë Eurozonën kohët e fundit është rritur mbi 100% të PBB-së për herë të parë, nga 86% në fillim të pandemisë. Por nëse skemat përfundojnë para se kërkesa për punëtorë të jetë rimëkëmbur mjaftueshëm, ekziston rreziku i papunësisë afatgjatë. Megjithëse aktiviteti i Eurozonës është rritur fuqishëm gjatë verës, në tremujorin e dytë, PBB ishte ende 3% nën nivelin në fund të vitit 2019.

Qeveritë evropiane vepruan mirë vitin e kaluar, kur zbutën efektin e masave bllokuese në tregjet e punës dhe do të ngushëllohen nga shifrat e kësaj jave. Perspektiva për tregun e punës duket shumë më mirë sesa pas krizës globale financiare, kur u deshën nëntë vjet që punësimi të kthehej në nivelet e vitit 2008. Por miliona punëtorëve evropianë u mungojnë ende mundësitë që kishin 18 muaj më parë. Prandaj, është ende herët për të deklaruar se Eurozona është kthyer në rrugën e duhur.

Ekonomia gjermane do të rritet më ngadalë sesa pritej këtë vit pasi problemet me zinxhirët e furnizimit dhe mungesat e lëndëve të para mbajnë pezull rimëkëmbjen industriale. Sipas Institutit Ekonomik “DIË”, raportuar nga “Reuters”, ajo duhet të ringrihet fuqishëm vitin e ardhshëm. “DIË” uli parashikimin e rritjes për këtë vit në 2.1% nga 3.2% që kishte deklaruar më parë, ndërsa parashikoi një rritje prej 4.9% në vitin 2022 duke supozuar se kufizimet e prodhimit do të hiqeshin deri në fund të vitit. Për vitin 2023 instituti sheh një rritje normale prej 1.5 për qind.

Borxhi global arriti një rekord të ri prej afro 300 trilionë dollarë në tremujorin e dytë, por raporti i borxhit ndaj prodhimit të brendshëm bruto ra për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, ndërsa rritja ekonomike u përshpejtua, njoftoi Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF).

Nivelet totale të borxhit, të cilat përfshijnë borxhin e qeverisë, familjeve, korporatave dhe bankave, u rritën me 4.8 trilionë dollarë, duke arritur në 296 trilionë dollarë në fund të qershorit, pas një rënieje të lehtë në tremujorin e parë, duke qëndruar në shifrën 36 trilionë dollarë mbi nivelet para pandemike.

Rritja e niveleve të borxhit ishte më e larta në tregjet në zhvillim, ku borxhi total u rrit me 3.5 trilionë dollarë në tremujorin e dytë, duke arritur në gati 92 trilionë dollarë.

Në një shenjë pozitive për perspektivën e borxhit, IIF raportoi një rënie të raportit global të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm bruto, për herë të parë që nga shpërthimi i krizës së koronavirusit. Borxhi si pjesë e prodhimit të brendshëm bruto, ra në rreth 353% në tremujorin e dytë, nga një rekord prej 362% në tre muajt e parë të këtij viti.

Sipas IIF-së, raportet totale të borxhit ndaj PBB-së, duke përjashtuar sektorin financiar, janë nën nivelet para-pandemike në vetëm pesë shtete: Meksikë, Argjentinë, Danimarkë, Irlandë dhe Liban.

Për IIF-së, nga 61 vendet që monitoroi, 51 regjistruan një rënie të niveleve të borxhit ndaj PBB-së, kryesisht si pasojë e rimëkëmbjes së fortë të aktivitetit ekonomik. Por shtoi se në shumë raste, rimëkëmbja nuk ishte aq e fortë sa të stabilizonte raportet e borxhit nën nivelet para-pandemike.

Përgatiti: Irma Paloli