Andi Varrosi ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë në degën e financës dhe prej disa vitesh ka punuar në kompani të ndryshme si dhe në Bankën Kombëtare Tregtare. Kohët e fundit ai punon si konsulent imobilar në agjensinë imobilare Century 21, duke i ngjitur shkallët e karrierës profesionale. Në një intervistë për CMG Andi na tregon për rrugëtimin e tij gjatë studimeve si dhe eksperiencat e ndryshme të punës.

CMG: Keni studiuar për ekonomi. Në çfarë dege?

Andi Varrosi: Unë kam studiuar financë dhe fusha ime e studimit në ekonomi kam shumë vite që i ndjek. Kam filluar në vitin 2007 dhe deri në vitin 2012 kam studiuar në shkollën e mesme teknike ekonomike ku kam mbaruar për pesë vite në profilin bankar. Nga viti 2012-2015 kam mbaruar studimet bachelor në financë në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, pastaj kam pasur një periudhë shkëputje në të cilën unë kam punuar për rreth 3-4 vite në Bankën Kombëtare Tregtare, si analist kredie dhe në departamentin e marketingut të kartave të kreditit. Në vitin 2018-2020 kam kryer edhe studimet master shkencor në financë përsëri në Fakultetin e Ekonomisë.

CMG: Kjo degë ishte zgjedhja juaj personale dhe ju pëlqen financa?

Andi Varrosi: Që në moshën 12 vjeçare kam zgjedhur që fusha ime e studimeve do të jetë ekonomia, pastaj jam profilizuar në financë dhe në moshën 14 vjeçare kam nisur studimet në ekonomi, në gjimnaz. Nuk kam bërë gjimnaz të përgjithshëm por ka qenë zgjedhja ime që të futem në një shkollë teknike ekonomike.

CMG: Mendoni që studimet në një shkollë të mesme teknike ekonomike të ndihmojnë më shumë kur të nisësh fakultetin sesa të mbarosh në gjimnaz të përgjithshëm?

Andi Varrosi: Gjimnazi ka avantazhet e veta sepse të lejon të ndjekësh më shumë profile dhe kur shkon në fakultet ke më shumë mundësi të zgjedhësh, ndërsa kur zgjedh një shkollë të profilizuar në gjimnaz, ti je i kondicionuar që të vazhdosh studimet e larta përsëri për atë fushë. Duke qenë se unë e kisha ndarë mendjen që do vazhdoja këtë rrugëtim, nuk e kisha problem fare. Në fakultet patjetër që të ndihmon sepse ti i ke shumë gjëra gati dhe gjërat të duken shumë herë më të thjeshta.

CMG: Pak më përpara thatë se keni bërë një shkëputje gjatë studimeve, duke u punësuar në bankë. Ky pozicion pune erdhi falë rezultateve të studimeve tuaja?

Andi Varrosi: Tregu i punës në Shqipëri faktikisht është i vështirë dhe studimet në Shqipëri nuk janë të vështira që të nisen apo të përfundohen, sepse ka kosto dhe dihet sa është buxheti mesatar i një familjeje në Shqipëri. Puna në bankë nuk është faktikisht puna ime e pare, sepse unë më përpara kam punuar në një kompani amerikane që jam marrë me marketing. Pastaj puna në bankë sigurisht që më ka ndihmuar dhe profili im i studimeve në financë me rezultate të larta, pasi bachelorin e kam përfunduar me mesataren 9.6 dhe masterin me mesataren 9.8 dhe normalisht ka ndikuar dhe kjo, por çdo gjë pastaj është dhe aftësi sepse që të futesh në një punë në bankë duhet të kalosh disa intervista.

Pastaj duhet të jesh i aftë që ti ta mbash punën sepse tre muajt e parë je në provë. Unë mund të them që ja kam bërë shërbimin punës dhe karrierës sime dhe kam arritur që të punoj me shumë sukses, me arritje shumë të mira. Katër vite në bankë kam arritur të promovohem dy herë dhe ndërkohë që gjatë kohës që isha në bankë nisa dhe studimet master.

CMG: Ju ka ndihmuar kjo eksperiencë pune në bankë gjatë vijimit të studimeve master?

Andi Varrosi: Patjetër, sepse ajo është eksperiencë dhe i shikon gjërat në prakticitet dhe shumë lëndë të masterit lidhen me praktikën bankare dhe tregjet financiare, por që gjithësesi teoria me praktikën deri diku të paktën për mënyrën sesi bëhen studimet në Shqipëri janë të shkëputura dhe kjo nuk është gjë e mirë sepse fakultetet në Shqipëri nuk është se kanë të ndërtuar baza studimesh që të lidhen shume me praktikën. Pra ti vetë si student duhet t’i ndërlidhësh të dyja gjërat, nuk është se të ndihmon shumë fakulteti. Gjithësesi eksperiencën në punë unë do jua sugjeroja gjithkujt që nga përfundimi i studimeve bachelor, minimalisht një ose dy vite të bënte shkëputje për të nisur studimet në master, është gjëja më e mirë.

CMG: Aktualisht po punoni si konsulent imobilar në agjensinë imobilare Century 21. Kjo besoj është një eksperiencë e re për ju?

Andi Varrosi: Faktikisht kur e kam nisur punën në bankë kam menduar që do të jetë karriera ime në vazhdim, pra që do të isha për shumë vite aty, por që njeriu kërkon gjithmonë më shumë nga vetja. Pasi përfundova dhe studimet në master, ajo ishte periudha kur dhe unë isha më i lirë, pra më mbetej vetëm puna në bankë dhe normalisht po kërkoja diçka më tepër nga vetja ime. Për arsye të pandemisë gjërat u bllokuan dhe unë u drejtova drejt diçkaje tjetër. Kisha disa miq që punonin në industrinë e real estate, kisha komunikuar me ata dhe më kishin thënë që është një punë interesante dhe mendova që ta provoj ku në fund të fundit është një punë ku ti e e ke biznesin tënd dhe nuk varesh nga një rrogë bazë apo dikush por je komplet i lirë të bësh gjërat tuaja, ti vësh në praktikë ato që ke mësuar gjatë punëve, studimeve dhe të gjithave me radhë. Realisht është muaji i 11-të që unë punoj në real estate që është agjensia më e madhe imobilare në të gjithë botën, Century 21 ku jam shumë i kënaqur. Mundësitë që të ofrojnë këto industri janë vërtetë shumë të mëdhaja.

CMG: Keni marrë dhe vlerësime edhe pse pak kohë keni që punoni si agjent imobilar.

Andi Varrosi: Patjetër sepse Century ka një vlerësim vërtetë fantastik dhe motivues për agjentët pasi të 32 zyrat e kompanisë, secila nga zyrat bën një renditje mes agjentëve të vet për të nxjerrë agjentin më të mirë të muajit, ku vetë Century si kompani nxjerr tre agjentët më të mirë të çdo muaji dhe gjatë vitit nxjerr 21 agjentët më të mire, që ne i quajmë team 21 për shkak dhe të emrit që ka kompania. Vlerësimi është në bazë të transaksioneve dhe në bazë të pikëve që grumbullon gjithësecili agjent dhe në bazë të procedurës që ndjek secili agjent. Realisht është një mundësi e mirë sepse të jesh rregullisht në çdo muaj në dy apo tre më të mirët, në vend të parë në zyrë apo në gjithë sistemin dhe të jesh në team 21 në fund të viti është vërtetë një arritje dhe një mundësi e hapur për të shkuar në konferenca në Kaliforni ku është kompanina kryesore dhe pse jo për ta zhvilluar karrierën në real estate dhe në vende të tjera të botës.

CMG: Sa e vështirë është të punosh me klientët çdo ditë dhe me orar të gjatë punë?

Andi Varrosi: Real estate është nga industritë më në zhvillim në të gjithë botën sepse është një industri që nuk ka limite, pra kërkesa dhe oferta për prona do të ekzistojë gjithmonë. Në Shqipëri ne jemi akoma në fazën e parë të zhvillimit të real estate ku ka vetëm 12 vite që egziston dhe në mënyrë të mirëfilltë funksionon prej 4-5 viteve të fundit. Një nga sfidat më të mëdha që parashtrohet për një agjent imobilar është orientimi dhe edukimi i tregut, pra edukimi i njerëzve me shërbimet real estate.

CMG: Si e shikoni të ardhmen tuaj, ngritjen në karrierë këtu në Shqipëri apo ndoshta dhe jashtë?

Andi Varrosi: Kjo është një industri ku unë e kam gjetur shumë mirë veten në marrëdhëniet me njerëzit. Këtu ne bëjmë shumë profesione njëherësh, pra bëjmë ekonomistin, juristin, noterin, ndërmjetësin dhe konsulentin, dhe patjetër që është një mundësi e mirë për karrierë. Synimi im është arritja në vendin e parë vjetor të kompanisë dhe të shkoj në konferencën e Kalifornisë dhe pse jo ndoshta me kalimin e kohës të më ofrohet një kontratë punë në kompaninë nënë në SHBA apo në vende të tjera të botës.

Intervistoi: Gazmend Agaj