Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik depozitat në sektorin bankar shqiptar nga individët dhe bizneset me rezidencë jashtë vendit janë në rritje të ndjeshme. Konkretisht depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare arritën vlerën e 15.9 miliardë lekëve ose 130 milionë eurove. Në analizën e bërë nga Revista “Monitor” thuhet se këto depozita janë rritur me 18% që nga fillimi i këtij viti dhe afërsisht me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në krahasim me ecurine e përgjithshme të depozitave kemi të bëjmë më një rritje të tendencës së depozitave të jorezidentëve në periudhën pas pandemisë.

Në materialin e publikuar nga revista ekonomike shpjegohet se në dekadën e fundit, depozitat e jorezidentëve arritën kulmin në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë lekëve para pandemisë. Gjithësesi pesha specifike e depozitave të jorezidentëve kundrejt totalit të depozitave bankare është e papërfillshme, me rreth 0.1% të totalit të tyre.

Eksperti i ekonomisë Klodian Muço shpjegon për radio Ejani arsyet e rritjes së depozitave. Si në çdo vend tjetër arsyeja e parë erdhi për shkak të pandemisë.

“Përgjatë dy viteve të fundit janë rritur ndjeshëm depozitimet bankare. Përgjatë 2021, nga fillimi i vitit deri më sot janë rritur me 18%. Po ashtu janë rritur në mënyrë të ndjeshme edhe depozitat nga jorezidentët që nënkuptojnë, jo nga shqiptarët që jetojnë aktualisht në Shqipëri.

Rritja e depozitave bankare ka disa arsye. Fillimisht në Shqipëri dhe në vende të tjera të botës në tërësi pati një frenim të shpenzimeve nga ana e konsumatorëve që kjo erdhi si pasojë e pandemisë, frika për të shpenzuar para për të ditur se çfarë do të ndodhë nesër. Në këto momente të gjithë filluan të stepeshin apo të kursenin paratë e tyre nga pasiguria e të nesërmes. Përveç konsumatorëve kishte edhe investitorë që filluan të frenonin apo të pezullonin planifikimin, investimet e parashikuara për të bërë në një moment të caktuar, përsëri për arsye të pasigurisë apo të pandemisë. “- shpjegon Muço.

Ekspertët thonë se vijimi i tendencës rritëse të depozitave tregon një stepje në investime.

Ajo që tërheq vëmendjen në Shqipëri është fakti që si ka mundësi përgjatë 2021 në momentin kur konsumi ka filluar të rimarrë vlerat që kishte para pandemisë, apo si ka mundësi kur të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare kanë filluar që të performojnë pozitivisht përfshirë këtu edhe turizmin, që pati një rritje të ndjeshme përgjatë 2021 duke kapur pak a shumë vlerat e 2019, përsëri depozitat bankare kanë tendencë rritëse. Kjo tregon në një farë mënyrë që vazhdohet akoma që paratë të mbahen në bankë dhe mos të shkojnë për investime apo që konsumi të jetë përsëri i stepur”, thekson eksperti.

Eksperti i ekonomisë Klodian Muço

Eksperti i ekonomisë Klodian Muço

Ka disa shpjegime. Shpjegimi i parë që bëmë përgjatë pandemisë është tendenca e frikës apo pamundësisë për të investuar paratë, pasi në Shqipëri vihet re përgjatë dekadave të fundit që kemi një mungesë të theksuar të kompetencave apo aftësive të financave personale apo të mënyrës sesi mund të investohen paratë. Kjo mungon në Shqipëri –thotë Muço

Edhe alternativat në treg sipas ekspertëve nuk kanë qenë të duhurat për qytetarët për të investuar dhe në këtë mënyrë zgjidhet alternativa e kursimeve në bankë.

Mënyra më e përdorur për të investuar këto para është se shkojnë për blerje apo investime imobilare për blerjen e një shtëpie në Tiranë, apo një nga qytetet bregdetare të Shqipërisë. Në thelb kemi një mungesë të theksuar që këto para të investohen në aktivitete më fitimprurëse, kështu që në një farë mënyre kjo rritje e depozitave bankare tregon një pamundësi të shqiptarëve për të gjetur alternativa për të investuar. Një tjetër problematikë janë ato përsa i përket dërgesave nga jashtë.”, shpjegon eksperti.

Gjithësesi mbajtja në bankë e kapitalit shihet si pozitiv sa i përket transparencës

Nuk duhet harruar fakti që shpeshherë është folur në Shqipëri për paratë kriminale apo për pastrimin e parave, por që teorikishte futja e parave në kanalet bankare nënkupton edhe një monitorim të tyre. Në këto kushte mund të themi se më tepër sesa para kriminale këto janë para të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe nga frika se çfarë po ndodh nga pandemia edhe në shtetet ku jetojnë kanë vendosur që këto para t’i dërgojnë në Shqipëri”, sipas ekspertit.

Në fund të muajit korrik, totali i depozitave bankare arriti vlerën e rreth 1.34 trilionë lekëve, nga të cilat rreth 82% janë depozita të individëve.