Në disa sektorë pandemia ka ndikuar pozitivisht, duke rritur të ardhurat apo duke zgjeruar gamën e shërbimeve. Pozitivisht ka ndikuar ajo dhe për të riun Todi Karoli.
Ai ka studiuar pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës dega informatikë dhe një ditë të bukur në kohën e pandemisë, ka shpikur aplikacionin Go Taps, një mënyrë mjaft e shpejtë dhe e sigurt në transferimin e të dhënave apo informacionit që njerëzit duan të ndajnë me njëri-tjetrin.
Për Radio Ejani Todi tregon se si lindi idea për këtë aplikacion që po bëhët gjithnjë e më i domosdoshëm për qytetarët.
“Go Taps” lindi në periudhën e pandemisë. I gjithë njerëzimi po hasej me një problematikë të paparashikuar. Në këtë periudhë ne jemi njohur me detaje, me teknologjinë e komunikimin MFS, komunikim në distancë të shkurtër dhe e pamë si një mundësi të vlefshme që mund të krijonim diçka në lidhje me shpërndarjen e informacionit nëpërmjet saj. Pandemia e bëri të domosdoshëm distancimin fizik për të rritur sigurinë shëndetësore te të gjithë njerëzit. Pikërisht edhe “Go Taps” këtë kishte ideuar si qëllim primar të tij, në momentin që projekti u hodh në një letër. “Go Taps” është një mënyrë e sigurt në tranferimin e të dhënave apo informacionit që njerëzit duan të ndajnë me njëri-tjetrin.”- tha Todi Karoli.
Është dashur disa muaj punë për të finalizuar të gjithë aplikacionin dhe për të testuar efikasitetin e tij.
“ Për të realizuar këtë projekt na është dashur një periudhë disa mujore për të arritur në formën që ne dëshironim, që ky aplikacion të ishte me funksionalitetet dhe performancën e tij. Gjithashtu jemi duke punuar për të transformuar “Go Taps” në një ekosistem global, pra të përdoret kudo në çdo industri dhe në çdo vend të botës, duke filluar me bizneset, restorantet, kafshët dhe institucioneve shtetërore dhe bankare. – shton Todi Karoli.
Aplikacioni është menduar në atë mënyrë që vetëm me anë të një prekje të thjeshtë shpërndan informacion.
“Qëllimi i këtij aplikacioni është t’u krijojë mundësi njerëzve të shpërndajnë informacionet e tyre në mënyrë korrekte dhe të shpejtë. Shpërndarja e informacioneve bëhet lehtësisht përmes një prekje të thjeshtë me smartphone-n tuaj. Gjithashtu ofron mundësinë e shpërndarjes së rrjeteve tuaja sociale, email, website, kontakteve, pasaportën tuaj të vaksinimit etj. “
Aplikacioni i krijuar enkas në periudhë pandemie ofron lehtësira edhe sa i përket pagesave për detyrime të ndryshme në një kohë mjaft të shpejtë dhe sigurt. Mbi të gjitha kjo risi e krijuar nga një talent i ri, ofrohet falas.
“Por nuk ngelet vetëm me kaq sepse me “Go Taps” mund të kryesh pagesa online në platformat PayPal, Stripe etj. Pra na jep mundësinë që ne të anashkalojmë përdorimin e pagesave cash. Duhet theksuar që “Go Taps” është një shërbim dhe produkt shumë efiçent sepse mundëson shkurtimin e kohës në transferimin e të dhënave dhe pagesave. Me “Go Taps” nuk është e nevojshme të kesh shpenzime mujore apo vjetore, pasi aplikacioni ofrohet falas në platformat AppleStore dhe PlayStore. Pra ju duhet vetëm ta shkarkoni dhe instaloni atë. Një avantazh tjetër i Go Taps është që të dhënat ruhen automatikisht në smartphone-n tuaj.”, bën të ditur Todi Karoli
Gama e shërbimeve që ka menduar aplikacioni “Go Taps” është e gjerë dhe mbi të gjitha siguria është e garantuar thekson Todi Karoli.
“Personi tjetër nuk e ka të domosdoshme të ketë aplikacionin apo një nga divajset për të marrë informacionet që ju i mundësoni. Aplikacioni funksionon në çdo smartphone. Mundësitë për “Go Taps” janë të pakufishme. Ne kemi disa divajs siç janë etiketat Go, kartat Go, Go animals, e cila përdoret për të identifikuar kafshën tuaj në rast se ajo largohet nga shtëpia juaj. Aplikacioni ofron një siguri maksimale për shkak se përdor protokolle dhe element sigurie shumë të avancuar.” , na shpjegon Todi
Shumë të rinj e kanë kuptuar që inovacioni është e ardhmja. Todi është njëri prej tyre.
“Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta shpikësh atë. Inovacioni është e ardhmja dhe ne jemi duke punuar për të ardhmen tani. Çdokush kur nis një sipërmarrje ka një ëndërr ambicioze dhe një vizion. Shumë pak nga ata që e nisin sipërmarrjen arrijnë ta çojnë atë në nivelin që dëshirojnë. Me ne është e kundërta. Jemi të sigurt se ku do të arrijmë me “Go Taps”. Ne kemi një ëndërr dhe plani ynë për ta realizuar atë është shumë i qartë dhe i detajuar”, thotë me optimizëm Todi
I riu Todi Karoli i ka të qarta ambicjet e tij dhe mënyrën për ta shëndërruar aplikacion në një nevojë të përditshme. Kjo gjë përkthehet në kënaqësi të një pune të arrirë, por edhe në përfitime. Etiketa “Go Taps” shitet online dhe është e thjeshtë për t’u përdorur dhe ngjitet shumë thjeshtë në pjesën e pasme të telefonit tuaj.
“Vizioni ynë është që “Go Taps” të përfshihet në çdo fazë të jetës së njerëzve, duke qenë një ekosistem i cili do t’ju lehtësojë shumë shërbime sepse “Go Taps” është nevojë e domosdoshme. Po punojmë që “Go Taps” pas pak vitesh të jetë një kompani globale, si pjesë e një zhvillimi të qëndrueshëm me një siguri dhe efikasitet teknologjik dhe gjithashtu ne duam të jemi një model frymëzues dhe motivues për çdo të ri anë e mbanë botës, duke u treguar se kush beson çmendurinë e ëndrrave të tij i bën ato realitet. Me shumë punë natyrisht dhe me aspak frikë ndaj të panjohurës. “Go Taps” do të thotë prek të ardhmen tani.”, thotë Todi
Veç përdorimit nga qytetarët, “GoTaps”, sqaron Todi, ka pafund mënyra se si mund të përshtatet për t’u përdorur nga bizneset.