Të dhënat e publikuara nga Instat tregojnë se Aktiviteti i shërbimeve e ka marrë veten në tremujorin e dytë të këtij viti, pas goditjes që pësoi nga pandemia. Treguesit shërbimet, përfshijnë aktivitetet ekonomike: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; Transport, Magazinim dhe Postë; Hotele; Bar-Restorante; Informacioni dhe Komunikacioni; Aktivitete të Arkitekturës dhe Inxhinierike dhe Agjenci udhëtimi të cilat shënuan rritje dyshifrore në tremujorin e dytë 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dukshëm ka shënuar përmirësim aktiviteti i hoteleve, që ishte më i prekuri nga karantina e vitit të kaluar dhe kufizimi i udhëtimeve e mosardhjes së turistëve nga Europa Perëndimore e Lindore. Edhe aktiviteti i bareve e restoranteve është zgjeruar me 82%. Në katërfishim ishte dhe aktiviteti i agjencive të udhëtimit.

Tek Tregtia me pakicë dhe shumicë Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 16,3%, krahasuar me tremujorin e dytë 2020. Edhe numri i të punësuarve u rrit me 1,1% të të njejtës periudhë të një viti më parë.

Ideksi i treguesve në aktivitetin Transport, Magazinim dhe Postë, i cili përfshin transportin Hekurudhor të mallrave, Detar, Ajror, Magazinimin dhe aktivitetin Postar, në tremujorin e dytë 2021 shenoi rritje në shitje neto me 63,2% ndërsa Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 2,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2020;

Në sektorin e Hoteleve pothuajse u katërfishua aktiviteti. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje me rreth 3,6 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2020.

Në të dhënat që ofrohen nga Instituti i Statistikave vërehet se konsumi ka shfaqur shenja gjallërimi në gjysmën e parë të këtij viti. Në mars dhe në prill 2021, tregtia me pakicë në vend u rrit përkatësisht me 37.6% dhe 35.4% në raport me të njëjtët muaj të një viti më parë, Aktiviteti ekonomik që shënoi rritjen më të lartë në këto muaj ishte “tregtia me pakicë e hidrokarbureve”, “Pajisje të ndryshme elektro-shtëpiake, mobiljet dhe pajisje të tjera shtëpiake” si dhe me një zgjerim të fortë ishin shitjet e “Veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure”, që u zgjeruan përkatësisht 195% në mars dhe 692% në prill.

Rigjallërimi i aktivitetit ekonomik është komentuar edhe nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka deklaruar në parlament se vendi ka arritur të rimëkëmbet nga goditjet e njëpasnjëshme të tërmetit dhe pandemisë.

“Gjatë vitit 2021 ka pësuar një rritje ekonomike me 8%, ka thyer kështu parashikimet e institucioneve kombëtare të cilat mendonin 7%. Bëmë një paketë për 80 miliardë lekë si mbështetje për pandeminë, mbështetëm gjysmën e të punësuarëve në sektorin privat. Dyfishuam ndihmën ekonomike, garantum rimbursimin e barnave për të infektuarit me Covid. Kemi rifituar të gjitha vendet e punës të cilat i humbëm nga pandemia”, tha Ahmetaj.

Por kjo nuk lexohet kështu nga ekspertë të ekonomisë pranë Partisë Demokratike. Deputetja e opozitës Jorida Tabaku thotë se ekonomia shqiptare është në ditët më të zeza.

“Shqipëria është kthyer 15 vite pas, sipas nivelit të varfërisë. Me këtë qeveri paga reale ishte në rënie. Borxhi publik sot po arrin në 95%. Shqiptarët për 8 vite nuk panë rritje ekonomike, me të ardhurat për frymë më të ulëtat në të gjithë Rajonin. Shqipëria etiketohet si vendi i pastrimit të parave. Një ekonomi ku çdo vit 300 mln euro shkojnë si taksë korrupsioni nëpër tendera e koncesione. Kanë sjellë ndonjë gjë që ka ndihmuar ekonominë. 7 ligje i kanë shkruar bizneset, i kanë sjellë këtu, janë miratuar këtu. E ka trajtuar si plaçkë pronën publike, e ka dhënë me 1 euro. Reforma në pensione, 23% është rritur deficiti. Reforma në arsim, i braktisën universitetet shqiptare. Arsimi publik është braktisur. Dështimi më i madh i Ramës është procesi i integrimin, prandaj për mua nuk është çudi që në program nuk ka asnjë rresht për integrimin, për 15 kushtet. Sot jemi më larg BE”, është shprehur deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Sipas të dhënave zyrtare të Instat, në aktivitetin Agjenci udhëtimi, në tremujorin e dytë 2021, Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje me rreth 4,0 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2020; rritje shënoi edhe treguesi i numrit të të punësuarve me 17,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.