Ullinjtë shekullorë në kodrat e buta në Vlorë, me kurorë piktoreske falin një produkt aq të rëndësishëm dhe të dobishëm për shëndetin e njeriut, sië është vaji i ullirit. Vaji i ullirit Musai është një nga markat lider të prodhimeve shqiptare. Fabrika e vajit Musai, që daton që nga viti 1995, është një biznes familjar që ka zënë vend në tregjet europiane, të Amerikës dhe Azisë.

Kejda Musa, menaxhere marketingu e ‘’Musai Olive Oil’ tregon për Radio Ejani rrugëtimin e suksesshëm të këtij biznesi.

“Fabrika Musai Olive Oil e ushtron këtë aktivitet që prej vitit 1995. Në qendër të vëmendjes ka qenë gjithmonë garantimi dhe ruajtja e cilësisë së lartë të prodhimit, gjë që ka bërë të renditet në një nga prodhuesit më të mirë të vajit të ullirit në vend. Jemi krenarë për çfarë kemi arritur, por natyrisht të mobilizuar për të ecur përpara. “Musai Olive Oil” është një nga prodhuesit e vajit cilësor, fabrika drejtohet nga zoti Vesaf dhe familjarët e tij. Fabrika ndodhet në Vlorë, e pozicionuar përballë kodrave të ullinjve shekullorë, që na falin këtë produkt kaq të domosdoshëm për ushqyerjen. Vaji ynë i ullirit është i certifikuar organik nga organizma të huaja, e cila jep mundësinë të eksportohet në tregje europiane, të Amerikës dhe Azisë.”, thotë menaxherja Kejda Musa.

Fabrika prodhon vaj ulliri vetëm nga ullinjtë e zonës së Vlorës, të rritur dhe kultivuar në mënyrë organike në një nga rajonet më të pasur në vend. Prania në panaire ndërkombëtare ka bërë që ky produkt të rrëmbëjë mënjëhere vëmendjen dhe besimin e partnerëve,

“Është shumë i famshëm për praninë e kultivimit të varietetit tonë autokton “Kalinjot”, unik për cilësitë e pakrahasueshme e të pakonkurrueshme të vajit. Pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare si Fancy Food Show në New York e Uashington, Foodex në Japoni, Biofach në Gjermani, CEEC Expo në Kinë dhe shumë të tjera janë forma kryesore e promovimit të vajit të ullirit cilësor shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Cilësia e produktit është vlerësuar prej shumë vitesh me medalje ari”, tregon menaxherja.

Ky vaj gëzon edhe shumë medalje nga vende të ndryshme të botës.

“Tashmë Musai Olive Oil është fitues i tre medaljeve ekstra të arta në një konkurs ndërkombëtar të zhvilluar në Itali dhe pesë medalje ari në konkurse ndërkombëtare të zhvilluara në Itali, Kroaci e më tej. Gjithashtu çmime ndërkombëtare janë fituar edhe në Japoni dhe në Kinë. Sipas analizave të kryera nga juritë e këtyre konkurseve, cilësia e vajit rezulton katër herë më e mirë se standardi i përcaktuar nga Bashkimi Europian”, thekson menaxherja e kompanisë.

Në fokus të kompanisë janë investimet e reja.

”Kompania ka investuar vazhdimisht në drejtim të përmirësimit dhe perfeksionimit të teknologjisë së përpunimit, me synim arritjen e standardeve më të larta cilësore të prodhimit. Kjo është bërë e mundur dhe falë pajisjeve më të fundit teknologjike cilësore “Alfalaval”, të instaluara në fabrikë në vitin 2019. Mbështjetje të vazhdueshme kemi pasur edhe nga institucionet shtetërore.”, thotë menaxherja

Kapacitetet përpunuese të kompanisë janë 2000 ton për sezon dhe kapaciteti magazinues është 40 000 litra në vit. Ruajtja e vajit në fabrikë kryhet në kushte shumë të mira, në ambjent të freskët, të ventiluar e cila lejon që produkti të qëndrojë i freskët edhe 1 vit pas prodhimit.

Kejda na tregon më shumë për eksportet dhe peshën që zë në tregun vendas ky vaj.

“Falë cilësisë së lartë, ky vaj shitet tashmë në New York, Kaliforni, Zvicër, Hong Kong dhe Kinën kontinentale, Tokio dhe në disa vende të tjera. Në tregun vendas produkti ka ardhur në rritje. Vaji jonë ka aciditet më të ulët”, shprehet ajo.

Një zhvillim vitet e fundit ka marrë edhe agroturizmi, ku sipas përfaqësuesve të kompanisë shumë turistë e vizitojnë kompaninë dhe zonën e ullishteve për të njohur më shumë kulinarinë shqiptare përmes tureve të vajit të ullirit. Aty turistët njihen me varietetet e ullirit, përpunimin dhe shijojnë degustimin e vajit të ullirit.