Situata e krijuar nga pandemia i dha një zhvillim të madh shërbimeve të IT dhe po ashtu bëri që shumë biznese të marrin masa për të digjitalizuar shërbimet e tyre dhe për të ofruar edhe shërbime në distancë. Në një intervistë për Radio Ejani, Kushtrim Shala, ekspert në fushën e IT dhe themelues i “ICTS Media” shpjegon situatën aktuale në Shqipëri, se sa i përgjigjet fuqia punëtorë në këtë sektor kërkesës që ka tregu. Sipas ekspertit Shala, sektori i IT-së në Shqipëri është i varur nga shumë aktorë të ekosistemit inovativ siç janë universitetet, kompanitë teknologjike dhe konsumatorët e teknologjisë, por gjithashtu edhe nga politikbërja.

“Ky ekosistem në 20 vitet e fundit është zhvilluar në mënyrë të natyrshmë krejtësisht neutrale pa

ndihmën e një katalizatori, siç mund të jetë vizioni i mirëfilltë i qeverisë gjatë gjithë kohës së këtyre viteve. Pavarësisht se univeristetet publike apo private prodhojnë qindra inxhinierë software çdo vit, në Shqipëri referuar shumë burimeve, por këtu po i referohem Linkedin-it, nuk janë më shumë se 1200 zhvillues software, pra inxhinierë software. Ky numër është shumë i vogël duke krahasuar kërkesën e madhe të tregut global për shërbime teknologjike. Pandemia ishte akseleratori më i fuqishëm i të gjitha kohërave për mendimin tim. Dhjetëra kompani në Shqipëri kanë lindur pra teknologjike, kompani që prodhojnë software dhe që eksportojnë shërbime të ndryshme në botë, qindra biznese lokale kanë digjitalizuar shërbimet e tyre duke krijuar kështu një kërkesë shumë të madhe në treg për burime njerëzore të specializuara në drejtime të ndryshme të teknologjisë pasi vetë teknologjia është shumë e gjerë dhe ka shumë derivate të saj. “- tha eksperti Shala

Sipas ekspertit, për të pasur më shumë kontigjentë në këto shërbime, duhet një bashkërendim më i gjerë. Sot kompanitë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën nuk po arrijnë të përmbushin nevojat e tyre me staf në këtë drejtim.

“Mosha mesatare e re që karakterizon Shqipërinë apo edhe Kosovën i bën këto vende të avantazhuara në këtë drejtim. Por nuk mjafton, sepse nëse duam që të ndryshojmë kursin nga bumi i fasonerive të keqpaguara në fabrika të mendjes, pra të eksportit të shërbimeve më të mirëpaguara në botë siç është edhe ndërtimi i software-ve, atëherë duhet një bashkërendim i të gjithë aktorëve të ekosistemit të inovacionit të teknologjisë në Shqipëri. Me miliona kompani që shtojnë përpjekjet e tyre digjitalizuese në mbarë botën, një sfidë e madhe e pret ekonominë globale dhe ajo është mungesa e talentit. Edhe pse një karrierë joshëse dhe mjaft fitimprurëse, kompanitë në mbarë botën nuk po arrijnë dot që të plotësojnë nevojat e tyre për inxhinierinë e software-t, ndërsa kërkesa për talente në këtë fushë pritet të arrijë në 85 milionë deri në 2030-n”- tha Shala

Ky fakt i mungesës së profesionistëve pritet të prodhojë kosto dhe dëmë për kompanitë.

“Kompanitë rrezikojnë të humbasin 8.4 trilionë dollarë për shkak të mungesës së talentit. Një problem shumë i madh është dhe ikja e trurit. Pra, imagjinoni, gjetja apo ndertimi i talentit është shumë i vështirë për kompanitë lokale, por mbajtja e tyre është akoma më e vështirë, sepse rriten kërkesat globale për të tërhequr trurin dhe në këtë mënyrë është një cikël pambarimor, prandaj edhe duhet ky bashkëveprimi për të ndërtuar sa më shumë inxhinierë software në mënyrë që të kemi një fuqi punëtore sa më të madhe.”- thekson eksperti Shala

Kushtrim Shala ka themeluar “ICTS Media” një kompani që jep një kontribut të mirë në ekosistem duke nxitur, ndërtuar dhe promovuar talentet e sektorit të teknologjisë.

“ Kërkesa e të rinjve konvergon me thënë të drejtën në mënyrë të drejtë me ofertën, por mungesa e akademive cilësore, universiteteve për të përgatitur të rinjtë me aftësitë e shekullit XXI e ka ndaluar paksa këtë proces. Të ardhmen unë e shikoj pozitive, shumë ambicioze. Pra, së fundmi ka sinjale pozitive pas shumë përjekjesh nga të gjitha palët e interesit në ekosistem, përfshirë edhe qeverisjen qendrore, organizatat ndërkombëtare, të cilat janë të interesuara që të rrisin kapacitetet lokale në mënyrë që të parandalohet sado pak emigrimi për arsye të punësimit apo për arsye të tjera dytësore,” thekson eksperti.

Eksperti Shala thotë se përvojën me kompaninë “ICTS Media” dhe rrjetin e nismave të saj e ka përdorur në funksion të një studimi të mirefilltë, i cili dëshmon se talenti dhe potenciali i rinisë sonë është pika më e fortë në rajon dhe përfshirja e tyre në industrine e IT-së mund të ndikojë direkt në GDP-në e Shqipërisë, apo edhe të Kosovës . Përmes rritjes së eksporteve të kompanive të zhvillimit software-it ne mund të ndikojmë kështu edhe në rritjen e ekonomisë vendore në Shqipëri thotë eksperti Shala.