Enio Jaço president i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Enio Jaço president i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Besimi i biznesit në Shqipëri ra me 0.5% në 2021, duke arritur në 37.6, krahasuar me vitin e mëparshëm kur ky tregues ishte 38.1. Ky është konkluzioni i arritur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, pas anketës së zhvilluar tek bizneset anëtare pranë kësaj dhome, vendase dhe të huaja. Në publikimin e edicionit të 9-të të Indeksit të Biznesit, i njohur për perceptimin e klimës së Biznesit (2020-2021) vërehet se ndikimi i pandemisë Covid-19 në tërësi dhe situata e përgjithshme ekonomike, janë faktorët kyç në rezultatin e indeksit. Rënia e besimit të përgjithshëm të biznesit ishte relativisht e vogël – 0.5% nga 100% , por nevoja për një ndryshim më të fortë të politikave për reformat në mjedisin e investimeve është reflektuar gjerësisht në sondazhin e kryer, sipas Dhomës Amerikane.

Sa i përket problemeve, një nga treguesit më të rëndësishëm, Klima e Biznesit në vitin 200 ra me 1.57 pikë në krahasim me vitin 2019. Më shumë se 71% e anëtarëve të AmCham e perceptuan klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, ndërsa 9% e konsiderojnë atë si pozitive dhe 20% kanë qendrim neutral. Rënia më e madhe e perceptimit reflektohet tek “Ecuria e Ekonomisë Shqiptare”, e cila ra me (-5.64 pikë). 80% e të anketuarve deklaruan se performanca e Ekonomisë Shqiptare ka rënë gjatë vitit 2020. Problem për bizneset mbetet edhe niveli i përgjithshëm tatimor i aplikuar, i cili konsiderohet jokonkurrues në nivel rajonal. 59% e konsiderojnë nivelin tatimor të pafavorshëm. Sfidë për sipërmarrjet që operojnë në Shqipëri është edhe gjetja e stafit të kualifikuar lokal .

Treguesit sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë

Treguesit sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë

Por nuk mungojnë drejtimet që kanë bërë progres dhe këtë e pranojnë vetë sipërmarrësit. “Klima e brendshme politike ka bërë progres me (+7.69 pikë), “Niveli i korrupsionit” (+3.09 pikë), “Rendi dhe Siguria në Vend ”(+5.70 pikë),“ Monopoli dhe Konkurrenca e padrejtë ”(+6.02 pikë),“ Burokracia Qeveritare ”(+1.74 pikë) dhe“ Zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve ”(+1.16 pikë). Anketa tregon edhe përmirësime në marrëdhëniet me disa nga institucionet më të rëndësishme publike dhe autoritetet qeveritare. Shumica e të anketuarve janë shprehur për perceptim pozitiv të marrëdhënies së tyre me autoritetet tatimore, autoritetet doganore, qeverisjen vendore dhe ministritë. Bizneset që operojnë në vend kanë deklaruar një përmirësim krahasuar me një vit më pare për ministritë (+3.25 pikë), qeverisjen vendore (+2.23 pikë) dhe Gjykatat (+0.93 pikë). Mirë duket se e kanë marrëdhënien edhe me shërbimet për Infrastrukturën duke shënuar përmirësim me +2.41 pikë dhe Furnizimin me Energji (+2.98 pikë) kjo për vitin 2020.

Përllogaritja e Indeksit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë

Përllogaritja e Indeksit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë

Lidhur me Indeksin e Indeksin e biznesit ka reaguar edhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço. Ai thotë se Shqipëria ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit.

“Bashkëpunimi me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri është kritike për një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri. Rezultatet e Indeksit të Biznesit për vitin 2021 janë matës real që tregojnë se Shqipëria, ka ende sfida të mëdha për të kapërcyer me klimën e biznesit. Rritja me 71% e anëtarëve që morën pjesë në Index, më e larta që në krijimin e saj, tregon për rëndësinë që bizneset i japin terrenit ku ata operojnë dhe rregullave të lojës. Por rënia me 0.5 pikë nga një vit më parë dhe rënia në nivelin më të ulët që në fillimin e Indexit 9 vjet më pare dëshmon peshën e fenomeneve gërryese që vijojnë të mbajnë peng vendin drejt një përparimimë të shpejtë.”- thotë Enio Jaço.

Indeks i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Indeks i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Më tej Z. Jaço thekson edhe njëhërë rëndësinë e dialogut të qeverisë me bizneset për të dëgjuar lidhur me problematikat e tyre, për të diskuatuar për mundësinë e dhëniës së një zgjidhjeje dhe po ashtu për të gjetur mënyra bashkëpunimi edhe më të ngushta.

“Dinamika e zhvillimeve por edhe perspektivës europiane që Shqipëria synon, nuk lë më kohë për reflektim, por nxit rëndësinë e një aksioni të përbashkët. Në kthimin e besimit tek bizneset, duhet së pari, dialog dhe bashkëpunim konstruktiv me përgjegjësi të lartë. Dhoma Amerikane ka pritshmërinë e dialogut dhe gjetjes së mekanizmave te bashkëpunimit me Qeverinë e re dhe Parlamentin e ri për të krijuar një faqe të re në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri”- u shpreh Jaço.

Sa i përket vijimit të aktivitetit në të ardhmen, Shqipëria shikohet si një vend potencial për investime, por reformat janë thelbësore për të arritur progres. Kompanitë anëtare janë të angazhuara për të vazhduar aktivitetin e tyre të biznesit në Shqipëri, pasi shpresojnë për përmirësime të mëtejshme në reforma dhe në kuadrin ligjor. Në komentet e tyre, të anketuarit shpresojnë për një mjedis transparent dhe standarde demokratike që do të garantojnë një të ardhme më të mirë për investimet dhe zhvillimin ekonomik.

Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Ka qenë e lartë pjesmarrja e anëtarësisë në këtë anketim, 71 % e anëtarësisë së Dhomës së Tregtisë morën pjesë, duke shënuar prezencën më e lartë në 9 vitet e publikimit të Indeksit dhe duke reflektuar rëndësinë që anetarët i japin klimës së biznesit dhe realizimit të reformave në mbështetje të përmirësimit të saj. Indeksi mat elementë të rëndësishëm që ndikojnë klimën e biznesit, si politikat qeveritare, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe elementë që lidhen me ecurinë e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare. Kjo mundëson që të indentifikohen sfidat me të cilat përballet komuniteti i biznesit dhe të punojë me administraten publike dhe aktorët e tjerë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.