Intervistë me Kryetarin e Dhomës së biznesit të Diasporës, Ardian Lekaj

E ndërsa ndodhemi ende me ethet e kërcënimit të pandemisë qoftë në aspektin shëndetësor, qoftë edhe ekonomik, ekspertë të ndryshëm japin pikëpamjet e tyre për ecurinë në vijim. Ardian Lekaj sipërmarrës i suksesshëm, investitor kryesor në zhvillimin e porteve në dete si: Mesdhe, Deti i Zi dhe ai Adriatik, njekohësisht Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare flet për Radio Ejani lidhur me kërcënimet ndaj ekonomisë në vijim.

Pyetja që bëhet shumë shpesh kohët e fundit është se si do të ecë ekonomia botërore apo e Shqipërisë në vitet e ardhshme. Covid-i dhe kriza ekonomik ndikimi dhe çfarë na pret?

Z. Lekaj thotë se ekonomia e tregut të lirë do të jetë e ardhmja.

“ Duke parë problematikat e sotme botërore nga më të ndryshmet, por veçanërisht ato ekologjike, unë jam fare i qartë në këtë drejtim dhe them, se kësaj forme të kapitalizmit që ne sot përjetojmë, i ka kaluar data. Por megjithatë jam i sigurt se një formë e re e kapitalizmit do të dalë për t’i dhënë drejtim të ardhmes. Teori nga më të ndryshmet dalin sot në botë, por të gjithë flasin gjithmonë për ekonominë e tregut të lirë. Unë mendoj se ekonomia e tregut të lirë do t’i përkasë së ardhmes, për arsye se sot ekonomia botërore kontrollohet nga qeveritë, nga bankat dhe nga kompanitë e mëdha.”, thotë Lekaj.

Me shumë rëndësi shikohet vaksinimi si një masë që do të çlirojë popullisnë nga kërcënimi virusit. Po ashtu Lekaj ndalet edhe tek tensionet e mëdha politike që kërkojnë zgjidhje.

“Realiteti sot në kohën e pandemisë është ndryshe dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në riformatimin e ekonomisë botërore pas pandemisë, janë vaksinimi i plotë i popullsisë dhe sa efikase do të jenë vaksinat. Çfarë politikash fiskale do të ndërtojnë qeveritë që të stabilizohet inflacioni dhe të jetë rreth 2% ose më pak dhe absolutisht të eleminohet stakflacioni? Rrugëzgjidhja qe do të marrë tensionet politike që ka sot bota; shikoni tensionet politike me Kinën, me Iranin, me Rusinë dhe më së fundmi me Afganistanin ku edhe ne si Shqipëri po luajmë një rol pozitiv duke i strehuar njerëzit.”, thotë Ardian Lekaj.

Ekspertët thonë se fatkeqësisht jemi ende në mesin e një pandemie, e cila kërkon angazhim maksimal dhe vigjilencë nga qeveritë.

“Çfarë do të ndodhë me globalizimin, proteksionizmin, fragmentizmin e ekonomisë në kontinente apo rajone, pasi një shembull fare i qartë është që pothuejse nuk mund të udhëtohet siç udhëtohej dikur. Çfarë ndodh konkretisht me ne, në Shqipëri? Absolutisht jemi akoma në mesin e krizës dhe nuk mund të themi që e kaluam pandeminë, për arsye se vala tjetër vjen së shpejti, por me siguri që me qeverinë e re, që do të krijohet së shpejti, do të krijohet një kabinet me një skuadër që do të hapë prespektiva të reja ekonomike për të ardhmen e vendit. Me siguri bashkarisht ne do ta luftojmë këtë virus dhe do të dalim fitues.” shprehet Lekaj.

Ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të pare të këtij viti, duke tejkaluar pritjet, por pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë. Banka e Shqipërisë analizoi se niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta.

Në planin makroekonomik, përshpejtimi i rritjes ekonomike ka pasqyruar reduktimin e kufizimeve, si pasojë e përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe zgjerimit të vaksinimit, rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese fiskale dhe monetare.

Sipas analizave politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter ekspansionist gjatë gjysmës së parë të vitit. Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të domosdoshme natyrën stimuluese të politikës fiskale gjatë pandemisë. Nga ana tjetër, me përfundimin e emergjencës shëndetësore dhe ekonomike, pritet një rikthim i vëmendjes së qeverisë drejt konsolidimit të financave publike.