Projekti i Aeroportit të Vlorës

Projekti i Aeroportit të Vlorës

Premtimi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës duket se po bëhet realitet. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka njoftuar nisjen së shpejti të punimeve të aeroportit, të konsideruar si më të madhin ndërkombëtar në Shqipëri, pikërisht në muajin nëntor të këtij viti.

“Pas shumë studimesh vendosëm të hapim këtë garë për të ngritur aeroportin më të madh ndërkombëtar në Shqipëri, që nuk do të mbulojë vetëm fushën e aviacionit dhe transportit të pasagjerëve, por edhe shërbimet kargo dhe ato të mirëmbajtjes së avionëve, duke i dhënë këtij sektori një hov të ri. Pavarësisht se gara u shty disa herë për shkak të pamundësisë për të garuar, kompania fituese ka deklaruar se në muajin nëntor do të fillojnë punimet në terren. Pra fillon kantieri nga ndërtimi’- deklaroi ministrja Balluku

Ministrja theksoi se përveç aviacionit civil, në këtë aeroport ka edhe dy sektorë të tjerë të aviacionit civil, që janë mirëmbajtja e avionëve, që nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri, si edhe kargo. Mirëmbajtja ose hangarët do të jetë një sektor i ri i zhvilluar në Aeroportin e Vlorës që synojnë të të sigurojë të ardhura, të nxisë punësimin dhe profesionistët e rinj. Më pas synohet që t’i hapet rrugë ngritjes së Akademisë së Aviacionit.

Ministrja Belinda Balluku

Ministrja Belinda Balluku

Fitues për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës u shpall konsorciumi ku 50 përqind e aksioneve zotërohet nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli. Për realizimin e kësaj vepre kishte shprehur interes dhe një kompani me seli në Londër, por ajo ishte skualifikuar pasi nuk plotësonte kriteret e kërkuara.

Mabetex e biznesmenit Pacolli, është në partneritet me një tjetër kompani turke, “Yda Group”, e cila ka eksperiencë në ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte ne Turqi, një në Kazakistan dhe një tjetër në Ukrainë. “Yda Group” ka 48 përqind të aksioneve në konsorciumin që fitoi të drejtën për Aeroportin e Vlorës, ndërsa 2 përqind i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group” Shpk. Vlera e parashikuar e investimit është gati 104 milion euro.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Baluku ka deklaruar se Aeroporti i Vlorës do të jetë “më i rëndësishmi në vend”. Të dhënat e projektit fillestar tregojnë se aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16 000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46 690 m2, nga të cilat 32 000 m2 do të jenë për pozicionet e avioneve (12 vendqëndrime). 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrëfikës. Pista do të jetë e gjatë 3200 metra, ndërsa kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj. Rrugët lidhëse do të jenë në total 7263 metra të kategorisë që mbështet operimet e pistës.

Ceremonia e nënshkrimit të kontratës me Mabetex

Ceremonia e nënshkrimit të kontratës me Mabetex

Në fazën e parë në periudhën 2-vjeçare do ndërtohet godina e Aeroportit dhe pista që kapin vlerën mbi 103 milionë e 500 mijë dollarë. Më pas në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit, që arrijnë vlerën e investimeve me qindra miliona euro . Ndër të tjera, vetë sipërmarrësi Pacolli në rrjetet sociale ka thënë se ky projekt konsiderohet si investimi më i madh i ndonjë kompanie private në rajon.

“Kompania “Mabetex International” ka fituar (për herë të parë në tokat shqiptare) një projekt madhështor në Shqipëri. Është një nder dhe privilegj i madh për mua dhe kompaninë time, që më në fund të ngremë flamurin e Mabetexit në tokën shqiptare. Në fakt, Mabetex International, me investimet e saj do të ndërtojë Aeroportin e Vlorës”- shkruan ndër të tjera Pacolli.

Qeveria ka deklaruar se Aeroporti i Vlorës nuk do të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës, por do t’i japë zhvillim turizmit të gjithë qarkut. Projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër në afërsi të Lagunës së Nartës, në zonën e quajtur Akërni dhe po punohet për ruajtjen e mjedisit. Sipas Ministres së Infrastrukturës, ky investim do të injektojë mbi 100 milionë dollarë investime në ekonomi dhe do të nxisë zhvillimin, duke vijuar strategjinë për rrjetin e aeroporteve për zhvillimin e turizmit

Përpjekjet e ndërtimit të një aeroporti në Vlorë janë të hershme. Madje më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga një konsorcium turk. Por më pas në prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës.