Në mbledhjen e Komisionit Qendror për Punët Financiare të PKK-së që u zhvillua në mes të gushtit, u theksua që duhet të nxitet në mënyrë konkrete pasurimi i përbashkët. Vlen të theksohet që ky pasurim është për të gjithë popullin dhe jo për një grup të vogël njerëzish. Sipas mbledhjes, do të forcohen rregullat për të ardhurat e larta, do të mbrohen të ardhurat e ligjshme, do të rregullohen të ardhurat tepër të larta dhe do të inkurajohen njerëzit dhe ndërmarrjet me të ardhura të larta të japin më shumë kontribute shoqërore, me synim që të nxitet barazia dhe drejtësia shoqërore dhe të nxitet zhvillimi i gjithanshëm.

Në teorinë ekonomike, efektiviteti dhe barazia janë fokusi kryesor i debateve. Pas zbatimit të politikës së Reformës e Hapjes, Kina e ka ndryshuar modelin e zhvillimit që fokusohej tepër te barazia, që shkaktonte pasurim jo të mjaftueshëm. Kina në atë kohë bëri përpjekje për ekonominë e tregut dhe inkurajoi pronën private, duke promovuar parimin se “efektiviteti është në plan të parë dhe barazia është e rëndësishme”. Kjo është bërë logjika bazë e ekonomisë kineze që ka pasur zhvillim të shpejtë dhe ka ngritur në mënyrë të dukshme nivelin e jetesës së popullit gjatë 4 dekadave të kaluara.

Me zhvillimin ekonomik dhe me ngadalësimin e rritjes, efektiviteti dhe barazia janë futur në një fazë të re që kërkon përmirësim.

Pas zhvillimit të shpejtë, është e pashmangshme që të zmadhohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Posaçërisht pas shpërthimit të epidemisë COVID-19, ky hendek është bërë më i dukshëm. Në fakt, të dhënat e konsumit e kanë provuar një gjë të tillë. Për shkak të pandemisë, konsumi i përgjithshëm është ndikuar dhe është ngadalësuar, por konsumi i njerëzve me të ardhura të larta nuk është pakësuar, por madje është ngritur.

Nga kjo mund të shohim që ky hendek mes të ardhurave të ndryshme nuk është vetëm një dukuri e lidhur me pabarazinë shoqërore, por ka ndikuar në mëkëmbjen ekonomike dhe zhvillimin e vazhdueshëm. Në këto kushte, është një detyrë urgjente që të përmirësohet sistemi i shpërndarjes së të ardhurave.

Për këtë, në mbledhjen e Komisionit Qendror të Punëve Financiare të PKK-së, është caktuar parimi bazë: Ngritja e të ardhurave të ulëta, zgjerimi i të ardhurave të mesme dhe rregullimi i të ardhurave të larta. Synimi është që të realizohet struktura e shpërndarjes “me mes të madh dhe me skaje të vogla, si forma e ullrit”.

Shpërndarja e të ardhurave përbëhet nga tre faza: shpërndarja e parë që bazohet te talentet, mundësitë e punës e burimet që zotërojnë njerëzit; shpërndarja e dytë me rregullimin e burimeve dhe të të ardhurave nga mjetet administrative, si tatim-taksat dhe sigurimet; shpërndarja e tretë që bazohet kryesisht te dhurimet e bamirësia.

Në fakt, shpërndarja e tretë nuk është një koncept i ri. Më përpara, në plenumin e 4-t të Komitetit Qendror të 19-të të PKK-së, është propozuar që “t’i kushtohet rëndësi rolit të shpërndarjes së tretë dhe të zhvillohet mirëqenia shoqërore, si bamirësi”. Kjo faktikisht ka përcaktuar rolin e rëndësishëm të shpërndarjes së tretë në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kinës.

Drejtori i Zyrës së Studimeve për Zhvillimin e Tokave dhe Ekonominë Rajonale pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Jia Ruoxiang vuri në dukje që shpërndarja e tretë lidhet në mënyrë të posaçme me shtresën e njerëzve me të ardhura të larta, të cilët inkurajohen që të marrin pjesë aktivisht në bamirësi, të mbajnë më shumë përgjegjësi shoqërore dhe t’ia kthejnë pasuritë e mbledhura shoqërisë. Kështu, do të nxitet më tej zhvillimi shoqëror.

Ekspertët analizojnë që gjatë procesit për pasurimin e përbashkët, shpërndarja e tretë është si kapilarët në trup që nxisin mikroqarkullimin e gjakut dhe transportojnë oksigjen dhe lëndë ushqyese në çdo pjesë të trupit. Kjo pa dyshim është në të mirë të shëndetit afatgjatë.

Jia u shpreh që me shpërndarjen e 3-të, do të inkurajohen njerëzit me të ardhura të larta të merren me bamirësi dhe ndihmë për banorët e thjeshtë dhe kjo do të luajë rol mbështetës dhe nxitës për pasurimin e përbashkët.

Kryestudiuesi i Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës, Zhang Yansheng, thotë që tani në Kinë, ekzistojnë disa probleme të zhvillimit jo të balancuar dhe jo të koordinuar, çka është produkt i periudhës së kaluar të zhvillimit. Në të ardhmen, për pasurimin e përbashkët, Kina do të përpiqet të zvogëlojë hendekun e të ardhurave dhe të shkojë drejt një mënyre më të barabartë zhvillimi. (Jiang Lei)