Shumë kompani, ndër to edhe gjigantë teknologjikë, nuk e kanë pëlqyer shumë punën nga shtëpia, kur ajo nuk ishte e nevojshme. Biznese të tëra në gjithë botën mirëprisnin me miliona punonjës në zyra, çdo ditë pune. Bashkimi në një vend mendohej se nxiste produktivitetin, inovacionin dhe shoqërinë. Kjo u mundësonte shefave të mbikëqyrnin më mirë vartësit e tyre. Puna nga shtëpia ishte diçka që duhej bërë vetëm nëse nuk mund të shmangej absolutisht.

Në mars të vitit 2020, papritmas, ajo nuk mund të shmangej. Pandemia e Covid-19 i detyroi qeveritë në të gjithë botën që të vendosnin karantina të rrepta. Dhe kështu, shumica e zyrave në botë u kthyen në ambiente të ndaluara. Për të mbijetuar, kompanitë kudo nisën një eksperiment gjigant me punën nga shtëpia. Punonjësit e zyrave ndërruan kostumet e shtrenjta me veshjet e rehatshme të shtëpisë.

Në një ndryshim tipik për epokën e re, “Google” i ofroi çdo punonjësi nga 1000 dollarë për të blerë mobilie zyrash në shtëpi, gjithashtu u ofroi atyre video virtuale për fitnes dhe mësime gatimi, si dhe u bëri thirrje të gjithëve që të kujdesen mirë për veten dhe njëri-tjetrin.

Ndërkohë që shkalla e vaksinimit po rritet, eksperimenti i punës nga shtëpia po vazhdon. Por kjo është bërë një çështje e nxehtë debati midis drejtuesve ekzekutivë dhe stafit të punës. Strategjitë që dalin nga këto debate do të formësojnë jo vetëm atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, por edhe të ardhmen afatgjatë të punës në zyrë.

Një ndryshim është tashmë i dukshëm. Mendësia e shkuar universale kundër punës në distancë tashmë është zhdukur dhe është zëvendësuar nga një sërë qëndrimesh që variojnë në bazë të industrive dhe rajoneve.

Nga njëra anë, disa kompani tani presin që të gjithë punonjësit të rikthehen në zyrat e tyre. Nga ana tjetër, kompani të tjera po i heqin fare zyrat. Shumica e bizneseve qëndrojnë diku në mes. “Teksa ekonomitë hapen sërish, punëdhënësit përballen me zgjedhje të vështira”, shkruan “The Economist”.

Shumë drejtues kompanish të mëdha në botë tashmë nuk janë më dakord me vijimin e punës nga shtëpia, pasi sipas tyre nëse mund të qëndrohet në ambiente të mbyllura mund të shkohet edhe në zyrë për të punuar. Për ta, punonjësit në distancë janë më pak të angazhuar me kompaninë dhe rrjedhimisht, më pak produktivë.

Nëpër rajone dhe industri në të gjithë botën, është vënë re se njerëzve u pëlqen puna nga shtëpia, të paktën herë pas here. Një sondazh te rreth 2000 të rritur amerikanë nga shoqëria e sigurimit “Prudential”, përcjellë nga “Monitor”, zbuloi se 87% e atyre që punonin nga shtëpia gjatë pandemisë, donin të ishin në gjendje ta vazhdonin këtë edhe pasi të lehtësoheshin masat kufizuese.

Sipas të njëjtit sondazh, 42% e punonjësve në distancë, thanë se do të kërkonin një punë të re, nëse u kërkohej të ktheheshin në zyrë me kohë të plotë. Vetëm një në pesë punonjës amerikanë thanë se rrallë ose kurrë nuk dëshironin të punonin nga shtëpia. Në një sondazh me më shumë se 10.000 punonjës evropianë të zyrave, rreth 79% e të anketuarve thanë se do të mbështesnin një legjislacion që i ndalon drejtuesit t’i detyrojnë njerëzit të punojnë në zyrë.

Punonjësit e rinj, shpesh të konsideruar si viktima të punës në distancë, i kanë pëlqyer oraret fleksibël. Personat e brezit “Generation-Z”, të moshës 16-21 vjeç, kishin më shumë të ngjarë se çdo grupmoshë tjetër që të citonin zgjedhjen personale në vend të politikave të punëdhënësve, si arsyen kryesore për të vazhduar punën në distancë, sipas një studimi nga “Morgan Stanley”.

Në të njëjtën kohë, shumë punonjës të të gjitha moshave, kanë ende dëshirë që të shkojnë herë pas here në zyrë. “Salesforce”, gjiganti i programeve të biznesit, që edhe vetë zbaton një model pune në distancë, zbuloi se, megjithëse gati gjysma e punonjësve vendosën të qëndrojnë në shtëpi shumicën e kohës, katër në pesë duan të mbajnë një lidhje fizike me zyrën.

Sektori publik, shpesh punëdhënësi më i madh në një vend, po përballet me konsiderata të ngjashme. Autoriteti tatimor i Britanisë po u ofron të gjithë punonjësve të drejtën për të punuar nga shtëpia dy ditë në javë. Në Amerikë, qeveria federale parashikon që shumë nëpunës civilë do të dëshirojnë të kenë orare elastikë edhe pas pandemisë. Irlanda, e cila dëshiron që 20% e rreth 300.000 nëpunësve të saj publikë të punojnë në distancë deri në fund të vitit, po ofron mbështetje financiare për t’i inkurajuar ata të zhvendosen jashtë qyteteve. Shteti do të krijojë më shumë se 400 qendra që ofrojnë punë në distancë, duke e lejuar stafin të punojë më pranë shtëpisë. Indonezia ka krijuar skemën “Punë nga Bali” për nëpunësit civilë, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e industrisë së turizmit të ishullit tropikal.

Të gjitha këto tregojnë se puna hibride do të vazhdojë në shumicën e vendeve. Sidoqoftë, ajo ka edhe vështirësitë e veta. Kjo lloj pune zbeh kufijtë midis jetës profesionale dhe asaj personale. Takimet virtuale mund të jenë edhe më të lodhshme se ato ballë për ballë. Oraret hibride e bëjnë të ndërlikuar menaxhimin e hapësirës për zyra, veçanërisht në një kohë kur shumë kompani po planifikojnë të ulin numrin e tyre.

Po të kishin në dorë të zgjidhnin, shumica e punonjësve australianë të anketuar nga “EY” do të parapëlqenin të punonin nga shtëpia të hënën dhe të premten. Edhe pse menaxherët dyshojnë se kjo zgjedhje është një përpjekje e dukshme për të zgjatur fundjavën, kjo do të thotë se zyrat do të ishin shumë më të ngarkuara të mërkurën, zgjedhja më pak e preferuar për punën nga shtëpia, sesa në fillim dhe në fund të javës së punës.

Disa kompani duan t’i lënë njerëzit që të shkojnë në zyrë kur të duan. Të tjera po bëhen krijuese, duke i dhënë stafit një zgjedhje, të punojë në distancë me kohë të plotë ose, nëse paraqiten të paktën dy herë në javë, mund të kenë një tryezë pune në zyrë. Shumë kompani e kanë kapërcyer problemin duke vendosur ditët kur punonjësve u kërkohet të jenë të pranishëm në zyrë.

Rikonfigurimi i papritur i jetës së punës po çon në fërkime. Punonjësit që duan më shumë fleksibilitet po hasin kundërshti nga punëdhënësit që bëjnë thirrje për t’u kthyer në normalitetin para pandemisë. Disa aksionerë, përfshirë investitorët e mëdhenj institucionalë, janë të etur për të promovuar punën fleksibël, jo vetëm për të ruajtur talentin, por edhe për të rritur kredencialet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së kompanive.

Shoqëria analitike “S&P Global” bëri të ditur se sipas vlerësimit të saj, aftësia për të punuar nga shtëpia është një masë e shëndetit publik dhe e mirëqenies së punonjësve, e cila mund të ndikojë deri në 5% të vlerësimit të një firme. Studimet zbulojnë se nënat kanë më shumë gjasa se baballarët që të favorizojnë punën nga shtëpia.

Kompanitë duhet të marrin parasysh shumë gjëra të tilla, edhe kur merren me polemika afatshkurtra, si çështja nëse do të ndalojnë apo jo punonjësit e pavaksinuar të paraqiten në zyrë. Megjithëse ishte përçarës, tranzicioni i papritur i vitit të kaluar drejt punës në distancë, për ironi të fatit, mund të rezultojë më i butë sesa kalimi drejt atij që mund të konsiderohet si normalitet në epokën post-pandemike.

Përgatiti: Irma Paloli